Koncesionet vijojnë të marrin milionë euro çdo vit dhe qeveria është treguar dorëlëshuar duke rritur fondet.
Koncesionet duket se janë gangrena e ekonomisë shqiptare. Janë 7 kontrata PPP, të cilat çdo vit marrin miliona e miliona lekë dhe skandali është se shumë prej projekteve kanë mbetur rrugës.
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka bërë një auditim në Ministrinë e Financave mbi zbatimin buxhetor dhe tregohen me detaje fondet që skanojnë për secilën kontratë PPP. Rruga e Arbrit vijon të mbetet një kontratë që merr miliona dhe rruga ka mbetur rrugëve. Inceneratorët po ashtu. Edhe koncesionet e vjetra vijojnë të marrin miliona dhe në fund dështojnë.
“Nga auditimi konstatohet se në raportin “Mbi zbatimin e buxhetit vjetor, situatës makroekonomike dhe fiskale gjatë vitit 2021”, pagesat e realizuara të vitit 2021 rezultojnë në vlerën 11,517,745 mijë lekë ndërkohë që në raportin “Mbi zbatimin e buxhetit vjetor, situatës makroekonomike dhe fiskale gjatë vitit 2022”, pagesat e vitit 2021 rezultojnë 11,443,679 mijë lekë, pra 74,066 mijë lekë më pak”, shprehet KLSH.
Kontratat koncesionare/PPP që rezultojnë me rritje pagesash për periudhën 2021-2021 janë:
– kontrata “Përmirësim, Ndërtim, Operim, Mirëmbajtje e Rrugës Porti i Jahteve – By Pass
Orikum-Dukat (Ura e Shën Elizës)”;
-kontrata “Financimi, ngritja dhe operimi i shërbimit të skanimit të konteinerve e automjeteve
të tjera në Republikën e Shqipërisë”;
– kontrata “Për paketën e shërbimeve të kontrollit mjekësor bazë (Check-up)”;
– kontrata “Ofrimi i setit të personalizuar të instrumenteve kirurgjikale, material mjekësor
steril një përdorimesh në sallat kirurgjikale, trajtimi i mbetjeve biologjike dhe dezinfektimi i
sallave kirurgjikale)”;
– kontrata “Ofrimi i shërbimit të dializës”;
– kontrata “Ofrimi i shërbimeve laboratorike spitalore”.
Detaje nga raporti i KLSH
1. Projekti koncesionar/PPP për inceneratorin e Fierit është detajuar në fondet e investimeve me kod projekti “M064079” dhe ka pësuar ndryshime në rritje përgjatë vitit.
Ky projekt është çelur në mes të vitit dhe nuk reflekton vlerën e plotë të angazhimit, si rrjedhojë as ndryshime të argumentuara buxhetore. Pagesat e kryera gjatë vitit 2022 për këtë kontratë koncesionare janë në shumën 376,385 mijë lekë, sipas 6 urdhër shpenzimeve të regjistruara në Sistemin Informatik Financiar të Qeverisë të kryera nga ana e aparatit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. Secila faturë rezulton në vlerën 62,731 mijë lekë.
2. Ndërtimi dhe Operimi i Rrugës së Arbrit
Ndërtimi operimi dhe mirëmbajtja e rrugës së Arbrit. Kontrata e koncesionit është nënshkruar në 16.03.2018, në vlerën 33.6 miliard lekë pa TVSH ose 40.32 miliard lekë me TVSH.
Pagesat e kryera gjatë vitit 2022 për këtë kontratë koncesionare janë në shumën 2,940,000 mijë lekë, sipas 4 urdhër shpenzimeve të regjistruara në Sistemin Informatik Financiar të Qeverisë të kryera nga ana e aparatit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, dhe i përkasin shlyerjes së detyrimeve të prapambetura, konkretisht faturave të vitit 2019 dhe 2020.
3. Ndërtim, Operim dhe Mirëmbajtje e Rrugës Milot-Morinë
Pagesat e kryera gjatë vitit 2022 për këtë projekt janë në shumën 740,978 mijë lekë, sipas 2 urdhër shpenzimeve të regjistruara në Sistemin Informatik Financiar të Qeverisë të kryera nga ana e aparatit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.
4. Ndërtimi dhe Operimi i Porti Jahteve Orikum – Dukat
Gjatë vitit 2022 pagesat e kryera janë në vlerën 224,698 mijë lekë, sipas 3 urdhër shpenzimeve. Nga auditimi konstatohet se 2 fatura në vlerën totale 150,532 mijë lekë i përkasin shlyerjes së detyrimeve të prapambetura, konkretisht vitit 2021.
5. Shërbimi i Skanimit në Dogana
Pagesat e realizuara në vitin 2022 sipas databazës së pagesave në SIFQ rezultojnë në shumën 1,898,906 mijë lekë sipas 69 urdhër shpenzimeve. Nga vlera e paguar për këtë kontratë, konstatohet se për 8 urdhër shpenzime, në shumën 231,864 mijë lekë i përkasin detyrimeve të prapambetura periudhës 2020-2021, të cilat janë paguar duke përdorur buxhetin e miratuar për vitin 2022, konkretisht:
-4 fatura me datë furnitori viti 2020 në vlerën 138,919 mijë lekë.
-4 fatura me datë furnitori viti 2021 në vlerën 92,945 mijë lekë.
Vlera e paguar sipas databazës së pagesave në SIFQ rezulton me një diferencë krahasuar me vlerën e raportuar në raportin e buxhetit faktik 2022, pasi kjo e fundit rezulton 1,925,903 mijë lekë. Diferenca midis raportimit dhe SIFQ rezulton në vlerën 26,997 mijë lekë.
6. Ndërtimi i Shkollave të Arsimit Parauniversitar në Bashkinë e Tiranës
Bashkia e Tiranës si autoritet kontraktues ka paguar 395,047 mijë lekë, të financuara nga të ardhurat e veta dhe buxheti i vendosur në dispozicion nga MASR, në masën 50% me 50%, konkretisht nga 197,537 mijë lekë.
Ndërtimi i Shkollave të Arsimit Parauniversitar në Bashkinë e Tiranës është një kontratë koncesionare e nënshkruar në datën 17.10.2018 ndërmjet MAS dhe Bashkisë Tiranë me BOE në shumën 2,364,096,027 lekë, në të cilën është ndërmarrë angazhimi për kryerjen e pagesës së kësaj shumë për shtatë vjet nga momenti i marrjes në dorëzim, angazhim pa fonde buxhetore. Kjo kontratë është regjistruar në modulin e kontratave në datën 31.05.2022 në vlerën 197,537,194 lekë, me kod projekti 18BC893, kontratë e copëzuar dhe jo në vlerën e saj të plotë.
7. Inceneratori i Tiranës
Vlera e detajuar në fillim të vitit për këtë projekt koncesionar paraqitet në shumën 200,000,000 dhe e rishikuar në ulje në shumën 180,000,000 lekë, plan përfundimtar. Këto ndryshime buxhetit me ulje, krahasuar me vitet e kaluara, për kontratat në vazhdim rezultojnë të paargumentuara. Pagesat e realizuara përgjatë vitit 2022 sipas raportimit në “Mbi zbatimin e buxhetit vjetor, situatës makroekonomike dhe fiskale gjatë vitit 2022”, rezultojnë 1,046,397 mijë lekë. Këto pagesa sipas SIFQ janë financuar në shumën 179,722 mijë lekë nga buxheti i MIE, programi i mbetjeve urbane. Pjesa tjetër prej 866,675 mijë lekë është financuar prej të ardhurave të veta të Bashkisë Tiranë.