Koncesionet në Shqipëri, problem jo më kombëtar, por europian

Jorida Tabaku

Nuk është habi që qeveria përpiqet të mbulojë vjedhjen e saj përmes PPP-ve që në dukje sjellin investime por në fakt rëndojnë buxhetin e shtetit. I këtij mendimi ka qenë edhe është një nga partnerët kryesorë të qeverisë Rama 1, FMN që për një kohë të gjatë ka folur kundër kësaj praktike të qeverisë.
Dy muaj më parë një studim i FMN i bërë publik sot, raportonte të dhënat mbi marrëdhëniet e qeverive të Ballkanit Perëndimor me kontratat PPP. Studimi fokusohej tek infrastruktura (mungesa e rrugëve, ndërtesave publike etj.) duke evidentuar problemet që kanë vendet e rajonit përfshirë Shqipërinë dhe situatën aktuale të qeverisjes dhe menaxhimit të financave publike.
Nga ana tjetër angazhimi për të zbatuar PPP-në në interes të qytetarëve duhet të shoqërohet me një planifikim të qartë dhe transparent nga ana e qeverisë, me institucione fiskale të forta ku nuk bëhet evazion fiskal dhe ku kompanitë e naftës nuk zhduken brenda ditës, me kontrata të forta dhe të sigurta që mund të rinegociohen nëse kushtet ndryshojnë, me një kornizë ligjore të fortë dhe mbi të gjitha me një përllogaritje të saktë për atë çfarë brezat e ardhshëm do të paguajnë për PPP-të.
Ndërkohë që i njëjtë është reagimi dhe në Raportin e Progresit të publikuar pak ditë më parë. Deri në fund të 2017 janë firmosur rreth 200 parteritete publike dhe private, kryesisht koncesione. Megjithëse kërkohet nga ligji, nuk ka analizë të kosto përfitimeve dhe nuk ka raporte të rregullta për PPP.

Fatkeqësisht asnjë nga këto pika nuk është marrë parasysh në PPP-të që kalojnë vlerën e 5 mld USD. Shqiptarët sot nuk e dinë koston dhe përfitimin e PPP-së për rrugën e kombit, por janë në dijeni se shqiptarë të pafajshëm mbahen në burg. Askush nuk e di se çfarë përfitimi do të kenë nga PPP-të për inceneratorët që pasurojnë ministrat që janë të gatshëm të shkelin çdo procedurë. Askush nga ne nuk di as për kontratat koncesionare në fushën e mjekësisë, të cilat pasurojnë vetëm një oligark ndërkohë që shqiptarët paguajnë në fund të ditës haraçin për pasurimin e tij.
Prandaj jo rastësisht sipas FMN, Shqipëria sot është vendi i parë ndonëse me një bazë të dobët ligjore dhe fiskale që zbaton PPP-të në raport me rajonin. Jo rastësisht qeveria ka zgjedhur këtë praktikë ndërkombëtare që ka nevojë për institucione të forta dhe një qeveri që nuk mendon për interesin e ngushtë të saj, që ta zbatojë kaq gjerësisht. Pa folur që vendet e rajonit kanë një nivel taksash më të ulëta krahasuar me ne dhe se infrastruktura e tyre është përmisuar ndjeshëm edhe si pasojë e lobimit të qeverive të tyre në fonde specifike të BE-së. Mali i Zi po ndërton sot autostradën e tij duke përfituar nga fondet e BE për Ballkanin Perëndimor ndërkohë që kryeministri ynë gjezdiste me atlete forumeve ndërkombëtare.

Exit mobile version