Koncesionet që shqetësojnë FMN

Cilat janë koncesionet që kanë shqetësuar Fondin Monetar Ndërkombëtar? Programi 1 miliard euro i koncesioneve u njoftua për herë të parë nga kryeministri Edi Rama si një instrument për të modernizuar infrastrukturën publike të vendit. “Bëhet fjalë për një numër veprash publike në shkolla, infrastrukturë rrugore, qendra shëndetësore ekselence që mungojnë, që në kushtet e buxhetit të shtetit, do të mund të ndërtoheshin në 10-13 vjet. Duke thithur kapitalin privat, ne i ndërtojmë në 2-3 vjet”, deklaroi Kryeministri Rama. Lista e projekteve është ndryshuar disa herë. Por varianti më i fundit i saj përmban ndërtimin e 5 akseve kombëtare dhe një spitali rajonal në Fier. Përveç rrugës së “Arbrit”, e cila është firmosur tashmë, në programin buxhetor afatmesëm janë përcaktuar edhe 4 akse të tjera kombëtare, që do të jepen me koncesion. I pari është Thumanë-Kashar. Për këtë aks, qeveria ka nisur procedurat e tenderimit, duke shpërblyer me bonus 8.5 për qind të pikëve kompaninë Gener 2, e cila ka bërë ofertën e pakërkuar.

Segmenti ka një gjatësi 20.8 kilometër dhe kosto të parashikuar 250 milionë euro. Segmenti i dytë është rruga Kardhiq – Delvinë me gjatësi 28 kilometër dhe kosto 64 milionë euro. Ky është cilësuar një nga akset më prioritare, që shkurton distancën e rrugës Tiranë – Sarandë në 3 orë, duke i dhënë një hov të mëtejshëm turizmit. Projekti i tretë është rruga Orikum – Himarë me kosto 130 milionë euro. Për këtë projekt ka 2 variante ose transformimi i rrugës ekzistuese me standarde europiane, ose ndërtimi i një aksi pjesërisht të ri me tunel në Llogara. Vepra e fundit është rruga Milot-Balldren, pjesë e autostradës Adriatiko Joniane. Kjo rrugë ka një gjatësi 18.2 kilometër dhe kosto të përafërt 100 milionë euro. Në total, së bashku me rrugën e Arbrit të pesë akset pritet të kenë një kosto prej 720 milionë euro. Duke përfshirë edhe Spitalin e Fierit, kostoja totale e tyre arrin mbi 800 milionë euro. Qeveria synon që të gjitha këto vepra ti japë me koncesion brenda këtij viti. Por FMN kërkoi publikisht pezullimin e kontratave të reja, deri në ndërtimin e një kuadri të fortë ligjor në përzgjedhjen e projekteve dhe nënshkrimin e kontratave koncesionare.

Exit mobile version