Nëse qeveria do të finalizojë dhënien me koncesion të Rrugës së “Kombit”, përveç taksave që do të paguajnë qytetarët (5 euro për makinë) buxheti i shtetit do të paguajë në 13 vitet e para të koncesionarit të paktën 65 milionë euro, shumë që është zbardhur në raportin e zgjeruar të Komisionit të Prokurimit Publik, ku ka shqyrtuar ankesën e grupimit “Catalyst Viba Das General Constractin LLC&Salillari shk& BEE Tech” & Viplap Ateve & Kastrati sha, për skualifikimin nga gara për koncesionin e mirëmbajtjes së autostradës Milot–Morinë. Kushti i pazbardhur tërësisht nga Ministria e Transporteve është pjesë e ofertës së koncesionit. Për shkak se Rruga e “Kombit” nuk përcakton kriterin e trafikut, qeveria shqiptare ka marrë përsipër të kompensojë kompaninë fituese për 13 vitet në vijim, periudhë në të cilën pritet që trafiku të arrijë nivelin e maturimit. Gjatë kësaj periudhe, buxheti do të alokojë një shumë ndërmjet 4-5 milionë eurove në vit ndaj kompanisë fituese.
Kur Ministria e Transporteve shpalli fituesin e koncesionit konsorciumin e përfaqësuar nga kompania turke Vendeka, nuk e sqaroi se, tarifa e subvencionit nga buxheti do të ishte vjetore dhe për një periudhë 13-vjeçare. “Oferta e paraqitur nga bashkimi i përkohshëm i shoqërive i kryesuar nga “Vendeka Bilgi Teknolojileri Ltd” ka paraqitur ofertën që përmban kërkesë për subvencion në shumën 5,600,000 euro. Oferta e paraqitur nga bashkimi i përkohshëm i shoqërive i kryesuar nga “Catalyst Viva Das General Constructing LLC” ka paraqitur ofertën që përmban kërkesë për subvencion në shumën 4,995,000 euro”, thuhej në njoftimin e ministrisë, pa specifikuar vitet që do paguhej ky subvencion. Komisioni i Prokurimit Publik ka anuluar vendimin që shpalli turqit fitues, duke lënë fitues automatikisht kompaninë e dytë në garë Catalyst, vendim që u ankimua sërish nga Ministria e Transporteve. Oferta në fuqi, ajo e Catalyst, kërkon kompensim nga buxheti 64.9 milionë euro.
Sipas ekspertëve, standardi maksimal ndërkombëtar për mirëmbajtjen e 100 kilometrave kërkon një tarifë 2.5 euro. Rruga e “Kombit”, në të gjithë gjatësinë e saj, është 116 kilometër, ndërsa vetëm gjysma e saj ka përfunduar (60 kilometër Rrëshen Kalimash). Ekspertët pohojnë se tarifa e koncesionit, përveçse është shumë e lartë, duhet që të përfshinte me patjetër ndërtimin e pjesës së mbetur të saj, zgjerimin e aksit Milot-Rrëshen dhe ndërtimin e dy by-paseve. Nga ana tjetër, drejtuesit paguajnë taksë qarkullimi mbi karburantin me 27 lekë për litër, që kryesisht ka funksion të gjenerojë fondet për mirëmbajtjen. Kështu, vetëm nga taksa e qarkullimit, buxheti i shtetit vjel 19 miliardë lekë ose afërisht 150 milionë euro, shumë kjo e mjaftueshme për mirëmbajtjen e rrugëve.
Dhënia e mirëmbajtjes me koncesion në këtë aks synon një tarifë 5 euro pa TVSH për një periudhë 30-vjeçare. Sipas “Monitor”, nëse autostrada realizon minimumin e trafikut për një aks të këtij niveli, 7 mijë makina në ditë, siguron një të ardhur vjetore minimumi 13 milionë euro pa llogaritur tarifat më të larta se 6 euro që pritet të vihen ndaj automjeteve të rënda (furgonëve, autobusëve dhe kamionëve).
“Monitor”