Koncesioni fantazmë i Milot-Balldren aktiv, qeveria kërkon zgjidhje të njëanshme

Në mars të vitit 2019 u bë aktive një kontratë koncesionare ndërmjet qeverisë shqiptare dhe kompanisë “ Bardh Konstruksion” për ndërtimin e segmentit Milot -Balldren prej 17 kilometrash.

Në një raport të posaçëm për monitorimin e koncesioneve për vitin 2023 Ministria e Financave raportoi se statusi i koncesionit është “Në fazën e plotësimit të kushteve paraprake për zbatimin e projektit”, ndonëse sipas Financave Ministra e infrastrukturës i ka kërkuar zyrtarisht kompanisë zgjidhjen e kontratës.

Por pas kësaj kërkesë nuk ka veprime të mëtejshme ligjore për zgjidhjen e saj, duke e lënë zyrtarisht aktive. Sakaq Kryeministri Edi Rama lajmëroi para disa ditësh se ky aks do të tenderohej. https://www.monitor.al/rama-kete-muaj-hapet-gara-per-ndertimin-e-aksit-milot-balldren-aeroporti-i-vlores-operacional-sezonin-e-ardhshem/

Ministria e Financave raportoi se, Ministria e infrastrukturës dhe Energjisë në cilësinë e Autoritetit Kontraktues me shkresën nr. 1069/3 datë 16.12.2021, i ka dërguar shoqërisë “ANK” sh.p.k., si Koncesionari, dhe shoqërisë “Bardh Konstruksion” sh.p.k., si Shoqëria Koncesionare, njoftimin për zgjidhjen e kontratës së Koncesionit/PPP “Për projektimin, ndërtimin dhe mirëmbajtjen e segmentit rrugor “Milot– Balldren”, si rezultat i mos -përmbushjes së kushteve të kontratës nga ana e Shoqërisë Koncesionare dhe Koncesionarit, të parashikuara ne nenin 7 “Mos-përmbushja e Kushteve Paraprake” si dhe ne pikën 4.2 të nenit 21 “Përmbyllja Financiare”.

Por në raportin e Ministrisë së Financave në tabelën përshkruese të projektit përcaktohet faza aktuale e projektit: “Në fazën e plotësimit të kushteve paraprake për zbatimin e projektit”.

Sakaq Kompania “Bardhi Konstruksion” ka status të pezulluar në Qendrën Kombëtare te Biznesit një masë që QKB ka marrë ndaj kompanisë pasi nuk ka deklaruar pronarët përfitues dhe gjobën për këtë qëllim. Pezullimi në QKB nuk është kërkuar nga kompania koncesionare.

Objekti PPP për ndërtimin e segmentit Milot -Balldren u iniciua pas një propozimi të pakërkuar të kompanisë shqiptare A.N.K dhe në tetor 2018. A.N.K fitoi procedurën konkurruese për dhënien me koncesion/PPP të ndërtimit dhe mirëmbajtjes së rrugës Milot –Balldren, me vlerë ndërtimi dhe mirëmbajtje gjithsej 161.5 milionë euro. Pas një rinegocimi pa garë të interesave, vlera e kontratës u rrit në 213 mln euro pa TVSH, ose 256 mln euro me TVSH, për një gjatësi prej 17.2 km.

Debate lindën edhe për faktin se kompania fituese A.N.K nuk kishte kapacitetin për të ndërtuar një rrugë të përmasave të tilla. Ndërsa A.N.K premtoi të financojë 52 milionë euro nga kapitali i vet, të dhënat zyrtare nga bilanci 2017 (një vit para se të fitonte kontratën) treguan se totali i aktiveve të saj është vetëm 16 milionë euro (2 miliardë lekë), ndërsa totali i kapitalit është 3.2 milionë euro. Kompania kishte të ardhura prej 16 milionë eurosh në 2017-n dhe një fitim minimal prej më pak se 1 milion euro. Kompania pretendoi se do të merret një hua prej 70 milionë eurosh. Gjatë gjithë kësaj periudhë ANK nuk ka arritur të sigurojë financimit.

Baypass-i i Lezhës, ose ndryshe aksi Milot-Balldren, është pjesë e Autostradës Adriatiko -Joniane, projekt i cili është përzgjedhur për financim nga Nisma e Berlinit për shkak se, lidh Ballkanin Perëndimor me Korridoret Europiane. Në studimin e fizibilitetit, dokumenti zyrtar që ka Ministria e infrastrukturës për autostradën Adriatiko – Joniane, Balldren-Milot e përllogarit me një kosto 141 milionë euro (pa TVSH), ose 177 mln euro me TVSH, të cilat vlejnë për ndërtimin e 17 kilometrave autostradë.

Por, më datën 7 nëntor të vitit 2018, në një mbledhje ku po diskutohej korniza e investimeve në Ballkanin Perëndimor, të administruara nga WBIF (The western Balkans investment Frameëork), u vendos që Shqipërisë t’i kërkohej të kthente 350 mijë euro që i kishte marrë për studimin e fizibilitetit për Bypass-in e Lezhës (Milot-Balldren) për shkak se qeveria shqiptare kishte vendosur dhënien e tij me koncesion të tipit PPP.

Zyrtarisht koncesioni ishte aktiv deri në fund të 2023, ndërsa qeveria shqiptare në vitin 021 financoi një studim për ndërtimin e rrugës me fonde buxhetore, teksa kryeministri lajmëroi hapjen e tenderit ketë muaj.

a1


Revista Monitor

Artikulli paraprakNdërpreja e fondeve të BE/ Subvencionet në bujqësi përfundojnë në lëmoshë, qeveria jep 450 euro për fermer
Artikulli tjetërKëshilltari trafikant droge/ BIRN: Rama sulmon median rumune, i del në mbrojtje Florian Coldea