Koncesioni i Bashkisë, terminali për autobusët

Një terminal i ri për autobusët pritet të ndërtohet në juglindje të Tiranës, në Sauk, pranë TEG. Bashkia e Tiranës ka miratuar projektvendimin për “Përcaktimin e vendndodhjes së terminalit juglindor të autobusëve në Bashkinë e Tiranës”, ku ka ngarkuar strukturat përgjegjëse të Bashkisë së Tiranës të lidhin një marrëveshje me Praslin Investment AL  Sh.A. për garantimin e investimit me fondet e Praslin Investment AL Sh.A. dhe operimin e terminalit juglindor të transportit të autobusëve prej kësaj të fundit për më së paku 20 vjet. Vendimi vjen pasi me shkresën më datë 18.12.2015 nr./prot. 21864 shoqëria Praslin Investment AL. Sh.A. kishte bërë propozimin e pakërkuar për ndërtimin e terminalit juglindor.

Terminali

Sipas relacionit të Bashkisë, terminali juglindor është alternativa më e mirë për t’u ofruar shërbim 23% të hyrje-daljeve ditore nga qyteti i Tiranës nëpërmjet këtij shërbimi nga krahu i Rrugës së Elbasanit, duke lehtësuar kështu ndjeshëm trafikun në Tiranë dhe duke iu ofruar qytetarëve një shërbim më eficient në kohë dhe vlerë monetare.
Projekti i terminalit juglindor i paraqitur propozon ndërtimin, operimin dhe menaxhimin e terminalit juglindor të Tiranës për autobusët. Ai do të ngrihet pranë hyrjes së autostradës Tiranë–Elbasan dhe segmentit lindor të Unazës së Madhe të Tiranës dhe do të ofrojë shërbimet e plota të një terminali bashkëkohor, si dhe ambiente të tjera shtesë për shërbimet e domosdoshme për udhëtarët dhe operatorët e shërbimit të transportit, gjatë stacionimit të tyre.
Projekti i terminalit juglindor do të zhvillohet në një pronë private të ofruar nga investitori me një sipërfaqje totale 20.000 m2, e cila ofron akses mjaft të kënaqshëm për zhvillimin e terminalit. Kompleksi i terminalit do të përbëhet nga ambientet e hapura dhe ndërtesat kryesore të terminalit. Ambientet e hapura, të cilat përfshijnë sheshet, rrugët e qarkullimit të brendshëm të terminalit, trotuarët, pikat e kontrollit të hyrje-daljeve në terminal zënë një sipërfaqje prej 12.000 m2.
Gjithashtu në kufirin perëndimor të terminalit do të realizohet një rrugë që do të shërbejë për të lidhur terminalin dhe pronat e tjera (jo pjesë e terminalit, me autostradën Tiranë–Elbasan dhe unazën e jashtme të Tiranës. Kjo rrugë do të realizohet së bashku me sistemin e përroit të Kabillit (sipas projektit inxhinierik përkatës dhe zë një sipërfaqje rreth 1500 m2). Ndërtesa që do të ketë shërbimet kryesore të terminalit ka një sipërfaqje rreth 10.500 m2, të organizuara në dy kate.
Sipas propozimit, kompleksi i terminalit do të përbëhet nga ambientet e hapura dhe ndërtesat e terminalit, të cilat do të përbëhen nga:
– Sallë pritje (kati -1) – 650 m2
–  Holle dhe korridore (kati përdhe dhe kati -1) – 1600 m2
– Biletari (kati përdhe) – 80 m2
–  Njësi tregtare (kati përdhe) – 185 m2
– Bar– kafe (kati përdhe dhe kati -1) – 225 m2
– Zyrat për kompanitë e transportit (ndërkat i katit përdhe) – 450 m2
– Servisi për mirëmbajtjen e autobusëve (ndërtesë e veçantë ) – 200 m2
– Bagazhe (kati përdhe) – 100 m2
– Zyrat e menaxhimit dhe sigurisë së terminalit – 200 m2
– Ambient çlodhje për shoferët (ndërtesë e veçantë) – 100 m2
– WC (kati përdhe) – 110 m2
– Kabinë elektrike – 70 m2
Ndërsa në parkimin me një sipërfaqje prej 6000 m2 përfshihen:
– Vendqëndrime për autobusët qytetas dhe mbërritjet -9;
– Vendqëndrime për nisjet  – 24;
– Vendqëndrime për nisjet 8+1  -9;
– Parkim bus në pritje  -12;
– Taksi 4+1  -5;
– Kiss and ride  -10;
– Parkim për makina private  -150;
– Hapësirat e këmbësorëve dhe dy katet e ndërtesës janë të lidhura me platformat e terminalit, nëpërmjet shkallëve fikse, shkallëve lëvizëse dhe ashensorë.
Lidhja e terminalit me autostradën Tiranë–Elbasan dhe Unazën e Madhe të Tiranës, do të realizohet me anë të një rruge që do të kalojë mbi përrua (me tombino). Sipërfaqja e rrugës parashikohet të jetë 1,500 m2.

Trafik i rënduar

Trafiku hyrës total në Tiranë (autobus/minibus) numëron në 18,066 njësi. Rrugët kryesore hyrëse janë Rruga e Durrësit me 7,250 transferta/ditë (e barabartë me 40% të totalit të flukseve përbrenda), pasuruar nga Rruga e Elbasanit me 5,270 transferta/ditë (29%); Rruga e Kavajës me 4,674 transferta/ditë (26%) dhe më në fund rruga e Dajtit me 872 transfertat/ditë (5%).
Transfertat e përditshme me autobus/minibus dalëse janë më të shumta se ato hyrëse dhe vlerësohen deri në 20,776 njësi. Rruga kryesore dalëse është përsëri Rruga e Durrësit në të cilën tranzitojnë 44% e automjeteve (9,092 transfertat/ditë).
Rruga e dytë kryesore është Rruga e Kavajës (7.292 transferta/ditë barabartë me 35% të totalit të flukseve dalëse), e cila së bashku me Rrugën e Durrësit përbën gati 80% të totalit të flukseve të trafikut dalës. Rruga e Elbasanit (3.528 transferta/ditë barabartë me 17% të flukseve dalëse) dhe rruga e Dajtit (Dibrës) (864 tranferta/ditë barabartë me 4% të flukseve dalëse), e cila, edhe më pak e rëndësishme dalëse për Tiranën.
Në projektin Plani Rregullator Urban i Bashkisë Tiranë (2009), si dhe në planin që është në proces janë përcaktuar disa “stacione fundore” apo terminale për transportin publik të Tiranës, dhe njëri nga ata është pikërisht në Sauk që është qendra e trafikut për flukset e udhëtarëve që vijnë nga zona juglindore e Shqipërisë, si edhe trafiku ndërkombëtar që i bashkohet këtij fluksi. Po kështu, në planet për ndërtimin e unazës së jashtme të Tiranës, që për seksionin e saj juglindor është drejt përfundimit, shihet se, me ndërtimin edhe të seksionit verilindor, stacioni i Saukut pranë TEG-ut kthehet në një nyje mjaft të rëndësishme të trafikut dhe me një pozicion ideal për një terminal të transportit publik, i cili do të lehtësonte mjaft edhe trafikun që hyn në Tiranë nga juglindja.

Exit mobile version