Në kulmin e debatit pas miratimit të ligjit për mbetjet, qeveria jep me koncesion ndërtimin e landfillit të Fierit me një vlerë prej 3.7 miliardë lekësh, i cili sipas specifikimeve në dokumentacionin përkatës parashikon tretjen e mbi 180 mijë tonë plehrash në ditë. Qeveria po përgatiste me kohë terrenin për importin e plehrave. Dy muaj më parë, në korrik të 2016, Ministria e Mjedisit shpalli dhënien me koncension të impiantit të Fierit, i cili është fituar dje nga bashkimi i dy kompanive. Sipas Open Data, bashkimi i dy kompanive, “Integrated Tchnology Services” dhe “Energy 2 SRL” janë fituese të koncesionit për ndërtimin e administrimit e impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane të Qarkut Fier dhe prodhim energjie. Në buletinin e fundit të Agjencisë së Prokurimit Publik u dhanë edhe detajet mbi këtë koncesion, i cili u hap në fillim të muajit korrik dhe pati si datë të fundit të mbylljes atë të 5 shtatorit. Tashmë operatorët duhet të negociojnë mbi kushtet me autoritetin kontraktues që në këtë rast është Ministria e Mjedisit. Oferta mbi të cilën janë shpallur fitues operatorët është 3.7 miliardë lekë. Në fakt bashkimi i dy kompanive që kanë rezultuar fituese është surprizuese në kushtet ku më herët e interesuar ishte shprehur “Building Construction & Green Energy” që kishte kryer dhe studimin e fizibilitetit. Impianti në fjalë parashikohet që të ketë një kapacitet tretës prej 180¬200 tonë në ditë mbetje, fuqia termike do të jetë 18.4 megavat, kurse ajo elektrike 3.85 megavat, kurse prodhimi vjetor do të jetë 28.7 milionë kwh energji. Kompania fituese “Integrated Tchnology Services” rezulton se ka aksioner të vetëm Klodian Zoto, ndërkohë që sipas ekstraktit të Qendrës Kombëtare të Biznesit objektivi i kompanisë për “Përpunim, trajtim, menaxhim dhe transport të mbetjeve” ka ndryshuar vetëm më 28.07.2016, pak ditë pas shpalljes së tenderit nga ministria.
Studimi i fizibilitetit
Sipas dokumenteve në lidhje me studimin e fizibilitetit, në të thuhet se, “iniciativa për një impiant për trajtimin e mbetjeve me rikuperim të energjisë ka qenë prej vitesh një alternativë potenciale dhe mjaft e diskutueshme në vend, por ende asnjë eksperiencë nuk është bërë realitet. Gjithsesi, falë zhvillimeve më të fundit teknologjike, vitet e fundit kjo teknologji ka njohur një përdorim të gjerë, sidomos në vendet e BE”. Sipas saj, rezultatet e analizës ekonomike të këtij studimi bëjnë të qartë se ky projekt është potencialisht i realizueshëm nga pikëpamja teknike, ekonomike dhe mjedisore. Supozimet në lidhje me sasinë dhe potencialin energjetik të mbetjeve urbane dhe industriale në Qarkun e Fierit nuk ndikojnë në nivelin e realizimit të projektit. “Në fakt, perspektiva pritet të jetë pozitive në disa drejtime: Nga pikëpamja ekonomike, si për shembull, rritja e çmimit të energjisë elektrike në të ardhmen; Nga pikëpamja mjedisore, potenciali për të kredituar nivelin e CO2 si kontribut i mbrojtjes së klimës dhe nga pikëpamja shëndetësore duke ulur risqet dhe duke reduktuar burimet e ndryshme të infeksioneve”. Sipas dokumenteve, projekti gjen një mbështetje institucionale në nivel qendror dhe lokal si një zgjidhje e qëndrueshme për menaxhimin e mbetjeve në përputhje me politikën kombëtare për menaxhimin e mbetjeve, kuadrin ligjor kombëtar dhe standardet ndërkombëtare. Duke shtuar këtu që projekti ofron një zgjidhje ekonomike të qëndrueshme, ky përbën një potencial dhe shembull për t’u ndjekur në vend.
Emergjenca për projektin
Në dokumente thuhet se projekti pritet të ketë aktorë kryesorë në nivel kombëtar si: Ministrinë e Mjedisit, Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë dhe Ministrinë e Financave. “Menaxhimi dhe mbledhja e centralizuar e mbetjeve urbane në Shqipëri nuk është në një stad të avancuar, shoqëruar me probleme me infrastrukturën, mungesën e kapaciteteve financiare dhe teknike, etj. Mungesa e sistemeve moderne dhe sanitare për trajtimin e mbetjeve urbane, ka sjellë një problematikë serioze në mjedis dhe në shëndetin e njerëzve. Nëse i referohemi progres raporteve të Komisionit Europian për përmbushjen e kërkesave në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizimit dhe Asociimit, situata e menaxhimit të mbetjeve në Shqipëri për vitet 2013, 2014 dhe 2015 na paraqitet shumë e keqe”, thuhet në këto dokumente. Sipas saj, ndarja e mbetjeve është shumë e kufizuar dhe riciklimi i tyre mbetet i rrallë. Shumica e mbeturinave vazhdon të depozitohet në mënyrë të pasigurt në vendgrumbullime legale dhe ilegale ose duke i djegur ato.
Problemet në zonë dhe pasojat e rënda
Në dokumente thuhet se gjatë periudhës së ndërtimit të impiantit, shqetësimet kryesore në lidhje me cilësinë e ajrit shkaktohen kryesisht nga shkarkimet e mjeteve të rënda, sasi të madhe pluhuri dhe grimcat pezull që krijohen nga aktivitetet e ndërtimit si gërmimi, depozitimi apo transporti të dherave dhe materialeve të ndërtimit, etj., dëmtimi apo eliminimi i bimësisë. Këto shkarkime konsiderohen efekte negative në mjedisin lokal, bimësinë dhe shëndetin e njerëzve janë të përkohshme vetëm gjatë ndërtimit, si dhe varen edhe nga faktorë të tjerë si kushtet metereologjike, përbërja e tokës dhe llojin e aktiviteteve të ndërtimit. Gjatë fazës së ndërtimit të impiantit pritet të ketë prani të zhurmave dhe vibrimeve për shkak të punimeve të ndërtimit, gërmimit dhe nivelimit të sheshit, lëvizjes së makinave të rënda, transportuese etj. Duke marrë në konsideratë që vendi i përzgjedhur ndodhet në periferi të qytetit të Fierit, mund të parashikojmë se do të shkaktohen shqetësim (zhurma) në rrugët lokale drejt dhe pranë sheshit të ndërtimit. Ky shqetësim do të jetë i pranishëm si gjatë ndërtimit të impiantit ashtu dhe gjatë funksionimit të tij. Gjithsesi këto efekte janë minore, të lokalizuara brenda apo afër zonës së ndërtimit, si dhe të përkohshme. Ato mund të minimizohen dhe adresohen nga zhvilluesi duke ndjekur masat e duhura teknike dhe shmangien e punës/lëvizjeve të mjeteve gjatë natës, etj. Si pasojë e punimeve dhe funksionimit të impiantit pritet të ketë ndikime të mundshme negative ndaj florës dhe faunës së zonës rreth impiantit, që minimalisht do të shkaktojë dëmtimin apo zhdukjen e florës dhe zhvendosjen apo fragmentimin e faunës përreth. Në përgjithësi vendi i propozuar dhe zona përreth karakterizohet nga një mjedis me bimësi të paktë kryesisht barishtore e mbirë në mënyrë spontane. Në zonën përreth vërehen toka dhe kultura bujqësore.
Vendndodhja e impiantit në tokë publike
Zona e lokalizuar për impiantin është në Bashkinë e Fierit në Ultësirën Perëndimore të Shqipërisë, 71 km në drejtimin Jugperëndim nga Tirana. Zona ku do të kryhet ndërtimi përfaqëson fundin e shpatit të fshatit Portëz, ajo është me reliev të rrafshët me diferencë të vogël kuotash. Lartësia e vendit është variabël nga 55 m në 75 m mbi nivelin e detit. Zona e propozuar për realizimin e impiantit është e barabartë me rreth 6 hektarë (60000 m2), duke marrë parasysh veçoritë e vendit të zgjedhur, nevojën e hapësirave shtesë për ndonjë situatë të paparashikuar e mbi të gjitha për plotësimin në çdo rast të kërkesave të impiantit. Sipërfaqja e nevojshme mund të ndryshojë gjatë fazës së projektit përfundimtar. Ajo mund të zvogëlohet së tepërmi për shkak të studimit të hollësishëm të detajeve teknike të rastit konkret. Zona e përzgjedhur për impiantin ka një inklinim jo të theksuar. Zona e parashikuar ka destinacion bujqësor, por e lënë kryesisht djerrinë. Toka është publike, pjesë e Njësisë Administrative Portëz, fshati Plyk, Zona Kadastrale 3000, ngastra 8 (tetë) dhe ngastra 6 (gjashtë), në pronësi të Bashkisë Fier. Rregullohet nëpërmjet vendimit të Këshillit Bashkiak Nr. 40, dt. 26.10.2015, rrjedhimisht nuk ka asnjë problem pronësie apo paqartësi mes palëve. Ky vendim është ndryshuar me qëllim saktësimi me anë të vendimit të Këshillit të Bashkisë Fier nr. 25, datë 26.02.2016 “Për një saktësim në V., datë 26.10.2015 të Këshillit të Bashkisë Fier ‘Mbi shpalljen e emergjencës mjedisore në fushën e menaxhimit të integruar të mbetjeve urbane në Qarkun e Fierit’”, vendimin nr. 40. Në këto kushte, duke qenë se Bashkia Fier ka vënë në dispozicion të projektit truallin ku do të ndërtohet impianti i propozuar, nuk është e nevojshme që pasuri të tjera publike apo private që do të jenë pjesë apo që do të nevojiten për këtë projekt.
Banorët dhe bizneset kundërshtojnë projektin
Ministria ka parashikuar se ndërtimi i një impianti për djegien e mbetjeve urbane pritet të krijojë një kundërshtim apo tension nga komunitetet përreth vendit të propozuar, organizatat joqeveritare, përfaqësues politikë lokalë apo kombëtarë, media lokale dhe kombëtare, etj. Duke iu referuar eksperiencave të ngjashme ndërkombëtare, pavarësisht se projekti i propozuar vjen si një nevojë emergjente lokale dhe rajonale dhe siguron një zhvillim të qëndrueshëm të sektorit të menaxhimit të mbetjeve urbane, plotëson kriteret ligjore mjedisore, padiskutim që do të ketë kundërshtime nga banorët përreth. Impianti i propozuar do të vijë pranë banesave dhe bizneseve përreth vendit të ndërtimit, në periferi të qytetit të Fierit dhe mund të jetë e nevojshme të kemi zhvendosjen e banorëve apo ekonomive lokale. Banorët mund të humbasin tokat apo të kenë ndikime në ekonomitë individuale ose të humbasin punën në sektorin informal të riciklimin të mbetjeve urbane, etj. Pritet që këto efekte të jenë më shumë sensitive tek komunitetet lokale në një rreze largësie më pak se 250 m. Një tjetër shqetësim lokal gjatë ndërtimit dhe operimit të impiantit është rritja e trafikut të mjeteve të rënda, ndotja e ajrit, shkaktimi i zhurmave dhe vibrimeve që bezdisin dhe shqetësojnë banorët përreth në një rreze më të gjerë. Kundërshtimi i banorëve pranë objektit të propozuar pritet të jetë një efekt i rëndësishëm për t’u marrë në konsideratë dhe adresuar që në hapat e parë të shpalljes së propozimit. Në fakt, ky efekt pritet të jetë i përkohshëm kryesisht pas shpalljes së propozimit ashtu dhe gjatë ndërtimit dhe diçka më pak në fazën e funksionimit. Ndër masat më efikase për reduktimin e kundërshtimit nga komunitetet lokale është identifikimi i grupeve të interesit që mund të influencohen direkt apo indirekt, që kundërshtojnë projektin ose nuk përkrahin atë. E rëndësishme është që komunitetet pranë ashtu dhe banorët e qytetit të Fierit duhet të dëgjohen, të jenë apo ndjehen palë përfituese dhe jo humbëse nga projekti. Punësimi i fuqisë punëtore nga zonat përreth gjatë ndërtimit dhe funksionimit të impiantit mund të jetë një masë efikase për sigurimin e mbështetjes së tyre. Transparenca dhe komunikimi me ta, ashtu si dhe shpërblimi apo kompensimi, zgjidhja e problemeve sociale apo ekonomike që nuk lidhen domodoshmërisht me projektin e propozuar. Sigurimi i përkrahjes dhe besimit të komuniteteve lokale kërkon rritjen e njohurive dhe sensibilitetit të publikut dhe grupeve të caktuara të interesit, kërkon bërjen e tyre pjesë të procedurave të monitorimit të emetimeve dhe efekteve gjatë zbatimit të projektit, verifikimit të planeve dhe masave lehtësuese dhe kompensuese. Procesi i kompensimit të tokave, nëse ekziston një çështje e tillë, duhet të adresohet para fillimit të punimeve të ndërtimit të impiantit në bashkëpunim me autoritetet lokale dhe kombëtare.