Konferenca e Bujanit, si u goditën nacionalistët nga sllavo-komunistët. Çfarë tregojnë dokumentet! Kosovës i njihej e drejta e…

PROF. DR. ELMAS LECI

Aty në Bujan të Tropojës në pragvitin e ri 1944, u nënshkrua një rezolutë historike, Rezoluta e Konferencës së Bujanit, e cila më pas u dënua nga serbomëdhenjtë dhe u anatemua gjysmë shekulli me radhë. Kosovës sipas asaj Rezolute, i njihej e drejta e vetëvendosjes deri në shkëputje dhe realizimi i dëshirës së popullit shqiptar të Kosovës për bashkim me Shqipërinë.

Në përpjekjet vigane të popullit shqiptar mbi ndasitë, që i shkaktuan të tjerët, ajo ishte një gur themeli për realizimin e çështjes madhore, rikonfirmim i rrethanave të reja të krijuara pas Mbledhjes së Mukjes, që tashme dihet se si përfunduan vendimet e saj, rezultat i diktimit të emisarëve jugosllavë pranë shtabit politik të Enver Hoxhës. Kjo mbledhje gjithë përfshirëse politike (31 dhjetor 1943- 2 janar 1944, që u mbajt në fshatin Bujan të Tropojës të malësisë së Gjakovës dhe pikërisht në kullën e Sali Manit) si edhe Mukja, kanë qenë dy mbledhje të rëndësishme të çështjes sonë kombëtare gjatë Luftës së Dytë Botërore, që vendimet e tyre janë dënuar për arsyen se komunistët nuk e deshën çështjen e përbashkuar shqiptare.

Konferenca e Bujanit kishte për objeksion Kosovën në Luftën Antifashiste dhe të ardhmen e saj pas lufte. Kjo, e ardhmja e Kosovës dhe e gjithë çështjes shqiptare, ishte gjithçka konceptuale për atë organizim, që u bë dhe ishte njëkohësisht edhe objeksioni më i madh i organizatorëve. Në të morën pjesë 49 delegatë nga 63 të programuar, të cilët përfaqësonin popullin e Kosovës dhe forcat politike të rreshtuara të Frontit Antifashist. Për tri ditë radhazi Konferenca shqyrtoi problemet që dilnin asokohe nga lufta kundër pushtuesit. Problematika e kohës e Konferencë kërkonte edhe mbarëvajtjen e punimeve të saj, ndaj ajo zgjodhi kryesinë për drejtimin e punimeve të përbërë prej 9 vetash: Mehmet Hoxha (kryetar)ish-prefekt i Elbasanit, Rifat Berisha (nënkryetar), Pavle Joviçeviç, (nënkryetar), Xheladin Hana (anëtar), Fadil Hoxha (anëtar), Hajdar Dushi (anëtar), Zekeria Rexha (anëtar), Milan Zeçarin (anëtar) dhe Ali Shukriu (anetar) ndërsa Tefik Çanga (sekretar), i cili ishte edhe sponsorizuesi i Konferencës, pasi ai ishte afarist nga Shkodra dhe menaxher ekonomik i Konferencës e më pas i zënë rob e i ekzekutuar nga gjermanët dhe është shpallur dëshmorë.

Në punimet e Konferencës së Bujanit mori pjesë edhe një përfaqësuesi i misionit anglez, major Baily, i cili edhe foli në Konferencë e në mes të të tjerave siç shkruan procesverbali i konferencës, ai theksoi se “dëshiroj t’ju falënderoj për ftesën… Kam pasur kontakte me shumë njerëz me botëkuptime të ndryshme politike. Lëvizja Antifashiste është e vetmja lëvizje që lufton kundër armikut të përbashkët-fashizmit”.

Në ato tri ditë Bujani ishte një vend pritje i përfaqësuesve të kombësive që jetojnë në territoret shqiptare (shqiptarëve, serbëve dhe malazezëve) që kërkonin një marrëveshje për parandalimin e konflikteve të mëtejshme ndëretnike, dhe mbi të gjitha vetëvendosjen e Kosovës. Pikërisht për këtë dhe për t’i kundërshtuar vendimet e Mbledhjes së II të AVNOJ -it jugosllav që u mbajt në Jajcë, që ishte bere me 29-30 nëntor te vitit 1943, ku serbosllavët as që i vunë në referencë t’i ftonin përfaqësuesit e Kosovës, por atje u diskutua dhe u vendos rregullimi i pas luftës i “Jugosllavisë se re”. Ndërsa Bujani nga ana tjetër e ballë për ballë kërkoi legalizimin dhe ligjërimin pikërisht të së drejtës së popullit të Kosovës për vetëvendosje, duke e organizuar Konferencën edhe me pjesëmarrje serbe e duke ia thënë në sy gjithçka që lidhej me çështjen shqiptare të Kosovës e cila meritonte jo vetëm vëmendje, por edhe qëndrim bazuar te të gjitha aktet dhe normat e atëhershme ndërkombëtare. Dhe serbo malazezët e përfaqësuar në atë Konferencë historike nga Pavle Jovanoviçi e Milan Zeçarin firmosën Rezolutën e Konferencës pa asnjë farë rezerve dokumentare.

Rezoluta dhe gjithë filli i punimeve të Konferencës, theksuan se Kosovës i njihet e drejta e vetëvendosjes deri në shkëputje, që është edhe realizimi i dëshirës së popullit shqiptar të Kosovës për bashkimin me Shqipërinë. Me miratimin e Rezolutës, nga Konferenca u zgjodh edhe Këshilli Antifashist Nacionalçlirimtar (parlamenti) dhe Kryesia (Qeveria e përkohshme) e Kosovës)”. Mirëpo Jugosllavia e AVNOJit të dytë, duke shkelur të drejtën universale të vetëvendosjes së popujve, Kartën e Atlantikut dhe premtimet e vetë partisë së saj komuniste, nga fundi i Luftës së Dytë Botërore mohoi vullnetin e popullit të Kosovës, të shprehur në Rezolutën e Bujanit dhe e shtypi me gjak kryengritjen e armatosur të shqiptarëve, duke lënë të aneksuar sërish dhunshëm Kosovën dhe territoret e tjera shqiptare.

Kosova e kundërshtoi me forcë tradhtinë që e futi në robëri të re, por me gjithë sakrificat sublime, padrejtësisht mbeti pjesë e Serbisë dhe e “Jugosllavisë së re”. Megjithëse një ngjarje madhore, ajo në të dy anët e kufirit shtetëror u la në harresë pothuajse 50 vjet pas silurimit të saj, dhe u quajt nga ata dhe komunistët tanë shqiptarë, njëlloj “tradhtare” si edhe Mukja, paçka se ajo ka qenë, siç ka theksuar edhe Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, “një konferencë e gjerë e frontit antifashist të Kosovës, dhe aty kanë marrë pjesë përfaqësues të të gjitha shtresave e krahinave të Kosovës.

E ndonëse e tillë, ende ajo nuk njihet mjaft nga qytetarët, që njohja dokumentare dhe Rezoluta e saj është tejet e vlefshme si një nga momentet e rëndësishme te historisë kombëtare kur populli i Kosovës, ndërkohë që rreshtohej kundër fashizmit si shumë popuj të tjerë të botës, në të njëjtën kohë, afirmonte të drejtën e vet për vetëvendosje, dhe dëshirën e vet të kahershme e të vazhdueshme për t’u bashkuar me Shqipërinë. Rezoluta e Bujanit, e cila i përmban pikërisht këto shprehje, u votua prej të gjithë pjesëmarrësve, përfshi edhe atyre serbë e malazezë.”

Nga gjurmimi i dokumenteve rezulton gjithashtu se Konferenca pati vlerësimet më të mëdha si nga përfaqësuesi anglez majori Baily, i cili mori pjese e foli ne punimet e saj ashtu edhe nga shqiptarët udhëheqës e drejtues të Luftës Antifashiste si komandanti Shaban Haxhia dhe figura të tjera të rëndësishme të Luftës si Hajdar Dushi, Xhevdet Doda, Rifat Berisha, Qamil Brovina, Zekeria Rexha etj, të cilët për shkak të qëndrimit pro Konferencës, me pas u goditën dhe u eliminuan edhe fizikisht. Përmasat e Konferencës i tregojnë edhe përshëndetjet që janë bërë punimeve te sajë edhe nga komandantët e batalioneve “Bajram Curri” e “Perlat Rexhepi” respektivisht Shaban Haxhia dhe Sadik Bekteshi.

Rezolucioni historik i Konferencës nuk pati jetëgjatësi sepse atë sapo e morën vesh në shtabin jugosllav të partisë e të luftës, e dënuan si formë arkaike dhe përfundimisht e denoncuan dhe e shfuqizuan në Konferencën e Prizrenit në gushtin e vitit 1945, ku votuesit serbë e malazezë ishin organizuar jo pa qëllim shumicë dhe ajo Konferenca famëkeqe e Prizrenit vendosi vendimin më ogurzi që Kosova të mbetej nën Serbi ashtu siç kishte qenë në Jugosllavinë e Versajës. Pavarësisht kohës së gjatë dhe devizës se si shkoi e ardhmja e Konferencës së Bujanit, pavarësisht se si e trajtuan dhe e dënuan andej serbosllavët e Titos dhe këtej stalinistët e Enver Hoxhës, ajo siç zbulohet nga studiuesi Mark Palnikaj, jo pak por 5 herë ka qenë evidente në 50 vjet komunizëm në Senatin amerikan dhe disa here prezente me Rezolutën e saj në parlamentet e Anglisë, Gjermanisë dhe Italisë. Edhe pse ka ndodhur kështu, ngjarjet e pas Bujanit treguan se ajo ishte goditja e dyte dhe më fatale që i u dha luftës mbare nacionale shqiptare nga sllavo komunistët./

Artikulli paraprakSPAK dhe GJKKO i kërkojnë Ministrisë së Brendshme pse nuk siguruan perimetrin e sigurisë pas seancës për Erjon Veliajn
Artikulli tjetërBIRN: Presione dhe intimidim/ Çifti Veliaj dhe Bushka akuzohen për pengim të drejtësisë