Duke marrë në konsideratë uljen e çmimit të energjisë në tregjet botërore, Konfederata e Industrisë kërkon nga Enti Rregullator i Energjisë që të vlerësojë uljen e këtij çmimi për industritë, biznesin dhe qytetarët.
Sipas Konfindustrisë, çmimi i energjisë ka rënë me 30% në tregjet botërore. Një tjetër fakt, Konfindustria përmend uljen e mbulimit të humbjeve të energjisë me vlerën e 60 milionë eurove në 7-mujorin e parë të këtij viti.
“Mbështetur në të dhënat ekonomiko financiare të mësipërme, por dhe rënien e thellë të çmimit të energjisë elektrike në tregjet botërore, kërkon nga ERE/Enti Rregullator i Energjisë të vlerësojë një ulje të çmimit të energjisë elektrike, që i ofrohet industrive, biznesit dhe qytetarëve, natyrisht duke patur parasysh edhe nivelin e investimeve të nevojshme. Vetëm në vitin e fundit kemi një rënie prej pothuaj 30% të çmimit të energjisë elektrike në tregjet botërore pa asnjë pasqyrim në Shqipëri, që ka çmimet më të larta në rajon me pasoja sidomos në industritë vendore”, thuhet në deklarata.
Ndërkohë, Konfindustria kërkon nga ekzekutivi shqiptar të vazhdojë procesin e liberalizimit të tregut të energjisë elektrike.
Enti Rregullator i Energjisë (ERE) ka miratuar një tarifë 12.4 lekë për konsumatorët (bizneset) që furnizohen nga tensioni i mesëm, por që faturohen për tension të ulët. Kjo tarifë është 12.7 për qind më e lartë se çmimi i energjisë për biznese prej 11 lekë për kilovatorë i miratuar me vendimin e dhjetorit 2014 dhe është e vlefshme deri në fund të këtij viti. Gjithsesi, kjo tarifë është më e ulët se çmimi 14 lekë për kilovatorë që OSHEE ka faturuar deri tani bizneset që furnizohen nga tensioni i mesëm, por që faturohen për tension të ulët. Prej mëse një viti, kjo diferencë në faturim ishte bërë burim konflikti mes bizneseve dhe OSHEE, teksa shumë sipërmarrje kishin hedhur në gjyq OSHEE për faturim më të lartë se tarifa e vendosur nga ERE prej 11 lekë për kilovatorë. Në vendimin e fundit, ERE ka zgjedhur një çmim të ndërmjetëm për faturimin e kësaj kategorie të biznesit duke dhënë një tarifë 1.6 lekë më të ulët se faturon OSHEE dhe 1.2 lekë më shumë për kilovatorë se sa kishte miratuar ERE me vendimin e fillimvitit 2015.