Konfindustria do të paraqesë si një nga kërkesat kryesore për Paketën Fiskale 2017, ndryshimin e kategorizimit të bizneseve sipas qarkullimit vjetor – si veprim i domosdoshëm për formalizimin e ekonomisë. Kështu bëri të ditur Administratori i Përgjithshëm i saj, Gjergj Buxhuku. “Legjislacioni në fuqi kategorizon bizneset në të ashtuquajtur “të vegjël” me qarkullim vjetor deri ne 5 milionë dhe 8 milionë lekë, që përfitojnë përjashtim të plotë dhe ose pjesor nga tatimet, tha Buxhuku. Konfindustria, mbështetur në praktikat e vendeve themeluese më të zhvilluara të BE do të kërkojë, që zbatimi i përkrahjes fiskale për bizneset e ashtuquajtur të “vegjël” të mbështetet në fitimin dhe jo qarkullimin vjetor. Konfindustria vlerëson, se ndarja e sotme ka shtuar ndjeshëm rezistencën e bizneseve të “vegjël” për moslëshimin e faturave tatimore për biznesin e “madh”, duke shkaktuar drejtpërdrejt prodhim të evazionit fiskal në gjithë ekonominë vendore. Bizneset, në pamundësi për shkarkimin e faturave dhe përballë rrezikut të falimentit, detyrohen të fshehin shitjet, të hyjnë në spiralen e evazionit dhe si rrjedhim të jenë lehtësisht të goditshëm nga institucionet fiskale, duke krijuar kushte objektive edhe për korrupsion. Pasojat e dukurisë së mësipëme janë të rënda për ekonominë vendore, sepse ajo vë në pozitë të vështirë biznesin “e madh”, ul të ardhurat për buxhetin e shtetit, minon aksionin e ekzekutivit për luftën kundër informalitetit, rëndon mjedisin e biznesit dhe ul konkurencën e vendit për tërheqjen e investimeve. Shqipëria radhitet në vendet e fundit në rajon për investimet e huaja, shkalla e evazionit fiskal arrin deri në 50% të PBB dhe mosrealizimi i të ardhurave buxhetore në vitin 2015 ishin në nivelin historik më të lartë prej afër 400 milionë USD”, përfundoi Buxhuku.
Kryesore
Continue to the categorySabah Sheta: Mustafa Merlika Kruja, tashmë i nderuar me bust në...
Kreu i degës së Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë në Krujë, Sabah Sheta, ka vlerësuar lart vendosjen e bustit të Mustafa Merlika Krujës në qytetin e...