Partia Demokratike denoncoi sot një tjetër rast sesi po realizohet procesi i vettingut, duke u shprehur se po rikonfirmohen në detyrë gjyqtarë të korruptuar. Në një deklaratë për mediat, deputeti Enkelejd Alibeaj denoncoi rastin e gjyqtarit Ilir Toska, i cili e kaloi vettingun, për të ka një përgjim që tregon se ka marrë para. Alibeaj u shpreh se, gjyqtari Toska u konfirmua në detyrë me urdhër politik të kryeministrit Rama.
“Partia Demokratike, tha Alibeaj, i kërkoi dje Edi Ramës, që në vend të akuzave dhe sulmeve të dala boje kundër opozitës, t‘u thotë shqiptarëve sesi po pastrohet Pallati i Drejtësisë, kur vettingu po konfirmon në detyrë gjyqtarë të kapur në flagrancë me përgjime në afera korruptive. Duke qenë se Edi Rama hesht për të mbrojtur gjyqtarët e korruptuar dhe të lidhur me krimin e organizuar, të konfirmuar në detyrë nga vettingu, ne po bëjmë transparencë për një prej rasteve flagrante.
Gjyqtari Ilir Toska, kandidat i Edi Ramës për Këshillin e Lartë Gjyqësor është vlerësuar nga institucionet përgjegjëse dhe shërbimet inteligjente si i papërshtatshëm me detyrën dhe duhet shkarkuar nga organet e vettingut. Siç thuhet në raportin zyrtar, gjyqtari Ilir Toska, kandidat i Edi Ramës për këshillin e Lartë Gjyqësor, “rezulton individ i mundshëm për t’u vënë nën presion nga struktura kriminale”, por ai u konfirmua në detyrë nga vetting me urdhër politik të Edi Ramës.
Shqiptarët duhet të dinë se raporti zyrtar i shërbimeve inteligjente bazohet në një përgjim me zë dhe figurë, ku gjyqtari Ilir Toska, kandidat i Edi Ramës për Këshillin e Lartë Gjyqësor, është përfshirë në korrupsion. Sipas materialeve që kanë në dosje organet e vettingut rezulton se Shërbimi Informativ Shtetëror u kishte dërguar autoriteteve më të larta të kohës, Presidentit Alfred Moisiu dhe Ministrit të Drejtësisë, Fatmir Xhafaj një material audioviziv, ku provohej se Ilir Toska, në atë kohë kryeinspektor i KLD-së, ka marrë para me ndërmjetësimin e një punonjësi të Ministrisë së Brendshme, që ai të mos i jepte masë disiplinore një gjyqtari të korruptuar.
Pavarësisht këtij fakti të rëndë dhe tronditës, ku gjyqtari Ilir Toska, është kapur në flagrancë për korrupsion, organi i vettingut konfirmoi në detyrë kandidatin e Edi Ramës për Këshillin e Lartë Gjyqësor. Ky nuk është rasti i vetëm, kur vettingu ka konfirmuar në detyrë gjyqtarë dhe prokurorë të korruptuar. Partia Demokratike do të vazhdojë të bëjë transparencë e këtij procesi të korruptuar politikisht nga Edi Rama, qëllimi kryesor i të cilit është zbatimi i projektit mafioz të kapjes së sistemit të drejtësisë për ta vënë atë në shërbim të mbrojtjes së korrupsionit dhe krimit të organizuar, më të cilin qeveris vendin”?