Konflikti brenda PS/ Manastirliu sfidon Erion Veliajn, “e dekonspiron” Top Channel

Afrimi i zgjedhjeve lokale po kristalizon grupimet brenda Partisë Socialiste, me Edi Ramën nga njëra anë dhe dyshen Fatmir Xhafaj-Erjon Veliaj nga ana tjetër. “Boldnews.al” raportoi pak ditë më parë për një sherr të ashpër mes kryeministrit dhe kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Gjatë këtij debati, sipas burimeve të “Boldnews.al”, Edi Rama ka kërcënuar “Lali Erin” se nuk do ta rikandidojë për bashkinë e Tiranës dhe në vend të tij, Partia Socialiste do të përfaqësohet nga ministrja aktuale e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.
Ky “kërcënim” duket se është vlerësuar maksimalisht nga Lali Eri, pasi mediat pranë kryebashkiakut kanë nisur një fushatë kritikash ndaj ministrisë së Shëndetësisë, e cila drejtohet nga Manastirliu.
Rasti më tipik është Top Channel, televizioni që ka vendosur t’i bëjë “opozitë” qeverisë vetëm në çështjet e shëndetësisë, sektor i drejtuar nga Ogerta Manastirliu. Natyrisht, në aspektin mediatik janë të kuruara mirë nga stafi i Top Channel, pasi, në të vërtetë, sektori i Shëndetësisë në vendin tonë është në gjendje të mjeruar.
Por, ky television ka intensifikuar publikimin e problemeve të shëndetësisë, sidomos gjatë dy javëve të fundit, periudhë që përkon pikërisht me sherri Rama-Veliaj.
Ditën e martë, Top Channel kishte rezervuar në edicionin qëndror të lajmeve dy kronika të njëpasnjëshme

lidhur me mungesën e burimeve njerëzore dhe infrastrukturën në disa qendra shëndetësore.
Në kronikën e parë, evidentohej gjendja e mjeruar e qendrës shëndetësore Ballsh, në të cilën nuk ka as infermierë dhe as ambulanca. Në kronikën e dytë, Top Channel sjell shqetësimin e zonjave nga Bulqiza, të cilat nuk kanë mundësi të kryejnë mamografinë në qendrën shëndetësore të qytetit. Pak ditë më parë, Top Channel solli pamjet e ambjenteve të mykosura në qendrën shëndetësore të Zhabjakut, në Rrogozhinë.
Në një kronikë të pak ditëve më parë, Top Channel arriti në konkluzionin se “Task-Forca” e Ministrisë së Shëndetësisë për të kontrolluar barnat në farmaci nuk janë treguar efikase. Sipas kësaj kronike, “Kur kontrollet e task forcës së ngritur nga Ministrisë së Shëndetësisë janë drejt fundit rastet e konstatuara për subjekteve që tregtojnë barnat kontrabandë apo barna pa pullë janë shumë të pakta…”.
Gjatë dy javëve të fundit, Top Channel ka transmetuar lajme problematike që lidhen me mungesën e ilaçeve për fëmijët me sindromën Doën, për organizimin e një konkursi të dyshuar fiktiv lidhur me shefat e rinj të pavioneve apo edhe për problemet e talasemikëve. Të gjitha janë kronika që paraqesin realitetin e vështirë të Shëndetësisë shqiptare.
Por, paralelisht me këto kronika problemore për Shëndetësinë e drejtuar nga Manastirliu, Top Channel vijon me intensitet pompimin e Erjon Veliajt si “njeriu i punës”, “njeriu që mendon për njerëzit”, ashtu siç “Lali Eri” ka orientuar zyrën e tij të propagandës dhe mediat bashkëpunëtore të tij.

“Boldnews.al”

Exit mobile version