Nga Merve Suna Özel Özcan
Në shkurtin e vitit 2022, Rusia shpalli fillimin e “Operacionit Special Ushtarak”, që ishte një demonstrim i hapur i një procesi, sfondi konceptual dhe historik i të cilit nisi të merrte formë në verën e 2 viteve më parë. Megjithatë, artikulli i presidentit rus Vladimir Putin me titull “Mbi unitetin historik të rusëve dhe ukrainasve”, shënoi vërtet një moment historik të rëndësishëm në këtë zhvillim.
I botuar në verën e vitit 2021, ai ofron një analizë të thellë të lidhjeve historike midis rusëve dhe ukrainasve, duke e rrëzuar konceptin e dy popujve të ndryshëm dhe e vënë theksin tek uniteti i tyre si një komb. Për më tepër, konteksti politik dhe gjeografik, përfshirë lidhjet sovjetike dhe perandorake, e bën akoma më shumë komplekse situatën aktuale.
Kombinimi i i zgjerimit të NATO-s dhe koncepti i ndërsjellë mbi “tjetrin armiqësor” në marrëdhëniet midis Perëndimit dhe Rusisë, i ndërlikon më tej gjërat. Prandaj, procesi që çoi në sulmin ndaj Ukrainës, nuk ishte thjesht një deklaratë e drejtpërdrejtë. Raportet përfshinin referenca për NATO-n, duke nënvizuar natyrën e shumanshme të këtij konflikti.
Në konfliktin aktual në rajon, Moska e ka zhvendosur fokusin e saj drejt një qasjeje më agresive në vend se të mbështetet tek lidhjet historike. Për pasojë, kanë marrë një rëndësi të shtuar mjetet dhe strategjitë specifike të përdorura në luftë. Në fjalimin e tij, Putin nënvizoi përpjekjet e Rusisë për të negociuar me vendet e NATO-s mbi parime të barabarta dhe të pandashme në lidhje me sigurinë në Evropë.
Rëndësia e këtij fjalimi, qëndron në faktin se nuk u arrit rezultati i dëshiruar, vendosja e këtyre parimeve të sigurisë. Që nga 6 gushti i këtij viti, konflikti midis Rusisë dhe Ukrainës, është përshkallëzuar në një luftë të plotë me natyrë hibride në të dyja vendet. Dhe është në tryezën e diskutimit përdorimi i mundshëm i armëve bërthamore, së bashku me pasojat e tyre politike mbi konfliktin ruso-ukrainas.
Parandalimi bërthamor
Shembulli më konkret i shndërrimit të energjisë bërthamore në një kërcënim për njerëzimin dhe njëherazi në një fuqi të madhe mbrojtëse, u pa padyshim gjatë Luftës së Dytë Botërore. Projekti Manhattan, i udhëhequr nga fizikani bërthamor me ndikim Robert Oppenheimer, zbuloi për herë të parë se çfarë ishin armët bërthamore dhe ç’mund të bënin ato.
Laboratori i Los Alamos, luajti një rol të rëndësishëm në riformësimin e sistemit dhe historisë globale nëpërmjet studimeve të tij pioniere në këtë fushë. Bomba e pagëzuar më emrin “Little Boy” që goditi qytetin e Hiroshimës në Japoni më 6 gusht 1945, ndryshoi konceptin e luftës dhe parandalimit të ndërsjellë.
Ky i fundit u bë një mjet shumë i përdorur për luftërat, që nuk duhej të ndodhnin midis fuqive me armë bërthamore. Parandalimi bërthamor, zbuloi se kostoja e agresionit të mundshëm nga një aktor kundër një tjetri do të ishte e lartë. Përdorimi i armëve bërthamore, interpretohet aktualisht brenda kornizës së marrëveshjeve specifike në kontekstin e të drejtës ndërkombëtare.
Kontrolli i armëve bërthamore, ka qenë vendimtar në frenimin e garës së armatimeve
dhe rregullimin e arsenaleve të Rusisë dhe SHBA-së. Ai i ka reduktuar ndjeshëm arsenalet bërthamore të të dyja vendeve, sidomos pas Luftës së Ftohtë. Traktati i Reduktimit të Armëve Strategjike SHBA-Rusi (START), zë një pozicion kyç në fushën e kufizimeve ndërkombëtare.
Megjithatë, një zhvillim vendimtar ndodhi në shkurtin e vitit 2023, kur ky traktat, që deri vonë luajti një rol të rëndësishëm në ruajtjen e ekuilibrit bërthamor brenda sistemit global, u shpërbë me nismën e Rusisë. Në vitin 2020, Rusia e rishikoi politikën e saj për armët bërthamore dhe jo bërthamore, veçanërisht në kontekstin e një kërcënimi ekzistencial. Politika e re, parashikon që e gjithë fuqia ushtarake e Federatës Ruse, përfshirë armët bërthamore, do të përdoret për të kundërshtuar çdo sulm të mundshëm. Megjithatë, pas shkurtit të vitit 2022, ndryshimet në doktrinën bërthamore të Rusisë kanë filluar të tërheqin gjithnjë e më shumë vëmendje. Lufta në Ukrainë, po krijon një përshkallëzim të shpejtë, veçanërisht me mbështetjen e Perëndimit ndaj Kievit dhe përmendjen e vazhdueshme të “vijave të kuqe” nga ana e Rusisë.
Përditësimi i doktrinës bërthamore
Argumenti i fundit, nënvizon nevojën e një rishikimi gjithëpërfshirës të doktrinës bërthamore të Rusisë, të ndryshuar në shtator të këtij viti. Ajo tregon se Rusia do të marrë në konsideratë sulmet jo konvencionale, pra brenda fushës së sulmeve bërthamore. Putini ka përshkruar në vija të përgjithshme ndryshimet e planifikuara.
Sipas tij ky rishikim ishte i nevojshëm, nisur nga zhvillimet e fundit gjeopolitike dhe kërcënimet ushtarake të shfaqura në horizont. Doktrina e rishikuar bërthamore është përshtatur me realitetet e konfliktit të vazhdueshëm në rajon. Është thelbësore të theksohen disa prej pikave më të rëndësishme të saj.
Çdo agresion kundër Rusisë nga një shtet jo-bërthamor, me përfshirjen ose mbështetjen e një shteti bërthamor, do të konsiderohet si një sulm i përbashkët ndaj Rusisë. Të dhënat e sakta të shërbimeve sekrete që tregojnë një vendosje të konsiderueshme të avionëve strategjikë ose taktikë përkundrejt Rusisë apo mundësinë e lëshimit të raketave rrëshqitëse, dronëve ose armëve hipersonike me drejtim territorin e saj, mund të shihen si justifikim për një kundërpërgjigje bërthamore nga Moska.
Së fundi, Rusia ruan të drejtën për t’i përdorur armët e saj bërthamore në rastin e agresionit ndaj saj dhe aleates së saj, Bjellorusisë. Në fakt, siç u përmend me lart, ky ndryshim lidhet me gjendjen në zhvillim të luftës në Ukrainë. Gjithsesi, koha e këtij ndryshimi përkoi edhe me kërkesën e Ukrainës për përdorimin e raketave me rreze të gjatë veprimi të blera nga Perëndimi për të shënjestruar bazat ushtarake në territorin rus.
Pas shqyrtimit të rrethanave aktuale, është e qartë se që të dyja palët kanë arritur në një ngërç. Ndaj, edhe pse Rusia dhe Ukraina duket sikur janë larg arritjes së një marrëveshjeje, vetë kushtet do të çojnë gradualisht në atë pikë. Dhe arsyeja është se për Rusinë, lufta po zhvendoset edhe në territorin e saj, duke krijuar një front të ri dhe imponuar një ndryshim në strategjinë e Moskës mbi negociatat.
Nga ana tjetër, për Ukrainën dhe sigurisht për presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy, problem është mos-arritja e një marrëveshjeje me Perëndimin mbi paketën e re të ndihmës dhe përdorimin e raketave me rreze të gjatë veprimi, të cilën ata e kanë pritur prej kohësh./ Përshtatur nga “Daily Sabah”
Shënim:Merve Özcan, profesoreshë dhe zv/drejtore e Departamentit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin Kırıkkale, Turqi.