Ciladoqoftë e ardhmja e globalizimit, në artikulimin e saj midis rrugëve tregëtare, një monedhe për shkëmbimet, një gjuhe për komunikimin dhe sidomos një rend politik, është e qartë për të gjithë se Interneti do të jetë mediumi me anë të të cilit kjo e ardhme do të bëhet e kuptueshme.
Marshimi i gjatë i rrjetit
Cloud është bërë mamia e një realiteti virtual që kërcënon të jetë më real se ai që jemi mësuar të përqasim me kategoritë tona pjellë e filozofisë së ‘700. Ky transformim i madh prek pushtetet e krijuara të paktën sa i tërheq, pasi në mundësitë e cloud shohin premisën e një rendi të ri shoqëror. Një shkrirje midis pushteteve të vjetra “analogjike” dhe pushteteve emergjente, të përfaqësuar nga gjigandët e internetit, që tashmë prej fuqisë dhe pavarësisë së tyre ngjanë me kombe dixhitale, mund t’i jap jetë një absolutizmi të ri, shumë më bindës se ai që dominoi Europën në ‘600.
E gjitha kjo shpjegon se pse është e rëndësishme të vëzhgohet nga afër lëvizja e nëndheshme dhe e heshtur që po vendos të ardhmen e rrjetit global. Një ballafaqim që po bëhet gjithnjë e më i ashpër dhe që pas pak muajsh mund të çojë në risi të konsiderueshme. Faktikisht, marsin e ardhshëm në Hyderabad të Indisë do të zhvillohet World Telecommunication Standardization Assembly: çdo katër vjet e organizon këte event ITU, agjenci që operon në gjirin e OKB me detyrën e fiksimit të standardeve ndërkombëtare për telekomunikacionet, në të kaluarën teatër ngjarjesh të rëndësishme që kanë kontribuar të ravijëzohet kundërvënia midis dy vizioneve të ndryshme të rrjetit me implikacione thellësisht të ndryshme mbi të ardhmen e të gjithë neve.
Nga “dita zero” e Internetit në tetorin e 1969, kur mesazhi i parë informatik u dërgua nga kompjuteri i një universiteti amerikan në një tjetër, rrjeti ka përjetuar një evolucion marramendës. Kompjuterët e universiteve përfunduan të lidhur me Advance Research Projects Agency (ARPA), që më 1972 u bë DARPA, ent kërkimor për Pentagonin. Për 20 vjeçarin e ardhshëm Interneti mbeti në kontrollin e qeverisë federale, deri kur në fillimet e viteve ’90 rrjeti ju hap sektorit privat. Kjo i dha hapësirë një serie instancash mjegullisht utopiste dhe libertare që ende sot marrin frymë në margjinat e rrjetit, pasi e kanë celebruar epifaninë e tyre me krijimin e bitcoin më 2008.
Ato kohëra gjeneruan një model governance të rrjetit, që në pjesën më të madhe vlen akoma sot, e mbështetur mbi shumë bartës interesash. Një governance multi-stakeholder që bazohet mbi konceptin e organizmave të ndryshme të shoqërisë civile. Bëhet fjalë për entitete pak të njohura për kronikat jo të specializuara, si për shembull Internet Engineering Task Force (IETF), Internet Architecture Board (IAB), Internet Society (ISOC) dhe pastaj ICANN, (Internet Corporation for Assigned Names and Numbers), një prej vendeve më strategjike ku interesat e ndryshme arrinin të formoheshin.
ICANN lindi më 1998 në shtetin California si OJF e sponsorizuar nga qeveria amerikane, jo më nga Pentagoni, por nga Departamenti i Tregëtisë. Shërben për të garantuar unicitetin e emrit të domenit dhe praktikueshmërinë e tij. Cakton emrat e domeneve të nivelit të parë (Top Level Domain, TLD) që gjenerojnë prefiksat e ndryshëm (.org, .com, etj), dhe pastaj menaxhon caktimin e root name server, domethënë të serverave që mundësojnë arritjen e domenit të dëshiruar. Së fundi, ICANN rregullon caktimin e blloqeve të adresave IP (Internet protocol) që shërbejnë për të identifikuar në rrjet dispozitivët e lidhur.
Por prapa detyrave teknike është e lehtë të individualizohet shumë diskrecionalitet politik. Siç është kujtuar me të drejtë më parë, ka shumë politike kur jemi thirrur të vendosim nëse domeni united.com është për t’ju caktuar United Airlines, United Emirates Airlines apo Manchester United. Dhe vendimi i takon ICANN, i cili ju drejtua një gjykate amerikane kur kërkoi që Iranit për hakmarrje t’i hiqej prefiksi “.ir” pas një atentati në Jeruzalem që e mbështeti Teherani.
Internet: kush vendos?
ICANN u krijua për të vendosur një ekran teknik midis qeverisë së Shteteve të Bashkuara dhe Internetit, por shpejt u bë e qartë se ekrani ishte tejet transparent. Megjithatë gjithçka mbeti e pandryshuar deri më 2016, kur National Telecommunication and Information Administration, që i referohet Departamentit amerikan të Tregëtisë, e ndërpreu influencën e tij ndaj ICANN. Por sigurisht nuk qe një akt liberalizmi, por më shumë pasojë e një katastrofe, që natyrisht kalonte nga Interneti.
Faktikisht rrjeti ndërkohë kishte përfunduar në vëmendjen e shumë ekonomive emergjente – BRICS e fillimviteve ‘2000 – që me shumë shpejtësi kuptuan se vuanin hegjemoninë amerikane, përfshi atë ndaj Internetit. Qe pikërisht lidhur me governance e rrjetit global që Kina dhe Rusia snënshkruan entente cordiale e parë duke kapur rastin e World Conference on International Telecommunications (WCIT) të mbyllur në Dubai më 14 dhjetor të 2012. Konferenca e ITU kishte si objektiv të ripërkufizonze rregullimin e telekomunikimeve ndërkombëtare (ITR), qi përkiste vitit 1988, kur praktikisht Interneti nuk ekzistonte fare. U shfaq një koalicion vendesh, të udhëhequra nga Rusia e Kina me qëllim përkufitimin e një roli më të madh të shtetit në governance e Internetit. Këtij vizioni ju kundërvu ai i një grupi të dytë që donte të ruhaje stauskuoja, me brenda Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre. Globalizimi emergjente bënte rrugë në botën e telekomunikimeve, duke provuar të “shkelmonte” kontrollorët aktualë. Fraktura nuk u ndreq. U formuan dy blloqe: 89 shtete dakord me Rusinë e Kinën, 55 me Shtetet e Bashkuara. Koalicioni i udhëhequr nga Rusia e Kina kishte propozuar që të ishte ITU ajo që duhej të zinte vendin e ICANN në menaxhimin e Internetit. Një mënyrë as tejet e kamufluar për t’u spostuar nga një model multi-stakeholder në një model multi-shtetëror apo multilateral, quaje si të duash, për shkak të një konteksti – pikërisht OKB – ku Rusia e Kina disponojnë një pushtet të konsiderueshëm ndërhyrës.
Nga kjo situatë ngërçi u gjenerua një turbulencë e madhe një vit më pas, kur në media shpërtheu afera Snowden. Lajmi që NSA, Agjencia për Sigurinë Kombëtare, spiunonte gjysmën e botës preku si një ortek Uashingtonin dhe e detyroi qeverinë që t’i rishikonte rregullat e lojës. Po atë vit në Montevideo përfaqësuesit e ICANN e të organizatave të tjera në krye të governance të rrjetit u shprehën në favor të ndarjes së governance në nivel global. Përpunimet zgjatën 3 vjet, në fund të të cilit qeveria e Shteteve të Bashkuara e kompletoi ndarjen e saj nga ICANN, duke hequr dorë kështu, të paktën formalisht, nga ushtrimi i hegjemonisë së saj mbi Internetin. Por pasi natyra ka tmerrin e boshllëkut, forcat tashmë e mirëzhvilluara e globalizimit emergjent e gjetën lehtësisht hapësirën për ta shprehur tendencën për ta “rajonalizuar” kontrollin e rrjetit. Për ta bërë thirrën në ndihmë nënën e çdo preteksti: sigurinë. Shtetet donin t’i “blindonin” territoret e tyre duke i mbrojtur nga “inkursione” të jashtme. Dhe ja arritën.
Shembulli më i njohur është ndoshta Great Firewall kinez, që praktikisht e “izolon” vendin nga pjesa tjetër e botës sipas diskrecionit të qeverisë. Por nuk është i vetmi. Vëzhguesit rrëfejnë për shembull se në 6 muajt e parë të 2017 Google, Facebook dhe Twitter kanë pranuar 114169 kërkesa për heqje përmbajtjesh nga 78 shtete dhe 179180 kërkesa për informacion mbi përdorues nga 110 qeveri të tjera. Është shfaqur edhe tendenca e segmentimit të infrastrukturave. Propozimi kinez i quajtur “DNS extension for autonomous Internet”, që propozonte të “rajonalizoheshin” domenet e nivelit të parë (TLD), duke ja hequr këtë tagër ICANN, shkonte në këtë drejtim. Do t pasonte fragmentimi i infrastrukturës. Nuk është pranuar, por tentativa është bërë.
Këto kujtime shërbejnë për t’i kuptuar më mirë skenarët që gjallojnë në pritje të meeting indian të ITU të marsit 2022. Konfrontimi midis governance multi-stakeholder (të interesave) dhe governance multilaterale (të shteteve) faktikisht është radikalizuar. Prandaj ITU, me drejtim kinez tashmë prej vitesh, është bërë kaq e rëndësishme. Huolin Zhao, Sekretari i Përgjithshëm, dëshiron ta transformojë atë në “agjenci teknologjike”, domethënë një hapësirë mjaft të gjerë sa të mirëpresë debate impenjues si ai i propozuar vitin e kaluar nga Huawei, që pikërisht këtu e dërgoi propozimin për dizajnimin e një arkitekture të re të IP që do të ngjallte interesin e rusëve, të Arabisë Saudite dhe të shumë vendeve afrikane, ndërsa shkaktonte protestat nga ana e Internet society.
Për t’i inkuadruar termat e çështjes duhet kujtuar se të dhënat transmetohen nëpërmjet rrjetit Internet mbi bazën e një protokolli që quhet TCP/IP, ku TCP është “Transmission Control Protocol” dhe IP është “Internet protocol”. Informacionet që përbëjnë një fajl ndahen në paketa që adresohen drejt makinës destinacion nëpërmjet një adrese IP, që mundëson kështu të identifikohet destinacioni final. Për këtë shumë frikësohen se mos propozimi kinez është një mjet për rritjen e nivelit të kontrollit të rrjetit.
Fushëbeteja në Kombet e Bashkuara
E vërtetë apo false qoftë, pika kyresore është se OKB, ka mundësi edhe falë një pune të caktuar diplomatike nga ana e kinezëve, është bërë një lloj dhome kompensimi e instancave kombëtare lidhur me të ardhmen e Internetit. Fokusi i governance por spostohet nga një mjedis formalisht aqeveritar në një forum ndërqeveritar. Kur Kina thotë se dëshiron të favorizojë multilateralizmin, dëshiron të thotë edhe këtë. Qëllimi përfaqësohet qartë edhe nga puna e gjerë që po zhvillon Pekini, gjithmonë në seli të OKB, për të kontribuar pas fiksimit të standardeve ndërkombëtare, që është pjesë e planit të saj më të gjerë Standard China 2035, derivim i Made in China 2025. Standardet vendosin kërkesat e produkteve që industria i propozon tregut. Janë një komponent themelor i çdo globalizimi dhe përcaktohen pranë organizatash të ndryshme ndërkombëtare. Për shembull, 3GPP është një nëngrup i ITU që ka detyrën të prodhojë teknika specifike për teknologjitë wireless, midis të cilave 5G, ku Kina ka qenë në vend të parë pikërisht falë një politike shumë aktive duke ngjallur alarme të ndryshme midis vëzhguesve.
Raporti i 2020 i Cyberspace Solarium Commission, organizëm qeveritar amerikan i ngarkuar që të përpunojë një strategji për mbrojtjen e kibernohapësirës ndaj sulmeve armiqësore, i kushton një hapësirë të madhe influencës në rritje kineze në fiksimin e standardeve ndërkombëtare. Frika është se mos Kina dhe Rusia, duke përfituar prej çimpenjimit të dukshëm amerikan pranë organizmave ndërkombëtare, po provojnë që të ndërtojnë rregullat e reja të lojës globale të rrjetit. Melanie Hart, hulumtuese e China Policy Center for American Progress, e ka thënë qartazi gjatë një seance dëgjimore pranë China Economic and Security Review Commission në marsin e 2020. “Sistemi i Kombeve të Bashkuara është si objektivi kryesor, ashtu edhe platforma kryesore për shtytjen ndaj reformës së governance globale të Pekinit”, thotë ajo. “Fatkeqësisht, ndërsa Kina intensifikon përpjekjet e saj për të minuar parimet demokratike liberale në të gjithë sistemin e Kombeve të Bashkuara dhe t’i rrisë apo zëvendësojë me ato autoritare, Shtetet e Bashkuara po tërhiqen, duke lëshuar terren dhe duke i dhënë hapësirë maksimale manovruese Kinës për arritjen e objektivave të saj”.
Për shembull, Kina ka qenë shumë aktive brenda komisioneve teknike lidhur me 5G. Me mbi 19000 kontribute dhe mbi 3000 inxhinierë të dërguar në fiksimin e proceseve të standardizimit të kësaj teknologjike, Huawei ka qenë në vend të parë. Midis bizneseve amerikane, Qualcomm ka prodhuar 5994 kontribute dhe dërguar 1701 inxhinierë dhe Intel ka ofruar 3656 kontribute teknike dhe dërguar 1259 inxhinierë. Huawei ka miratuar 5855 kontribute, që kanë hyrë e janë bërë pjesë e standardit 5G, përballë 1994 të Qualcomm dhe 962 të Intel. Pasoja është që kompania kineze vlerësohet se mban 36% të patentave thelbësore për standardin global të 5G dhe Shtetet e Bashkuara vetëm 14%. Nga këtu preokupimi i shprehur në raport: “Në rritjen e influencës së teknologjisë kineze në informimin e standardeve ndërkombëtare. Rriten edhe vlerat dhe politika që shoqërojnë vizionin e Pekinit për përdorimin e këtyre teknologjive. Kina po shkruan një të ardhme dixhitale të teknologjive pronësore ku “survejimi i projektuar” lehtësisht mund të jetë ai default”. Çfarëdo që të thuhet, teknologjitë nuk janë kurrë neutrale ndaj zhvillimit të një shoqërie, siç shkruante Marshall McLuhan në vitet kur po lindte Interneti.
Survejim dhe supremaci
Frikërat amerikane ndoshta burojnë nga frika e humbjes së supremacisë, por duhet të mendojmë se çfarë do të ndodhte sikur të kishin të drejtë. Mbi të gjitha duhet të kujtojmë se ky transformim teknologjik, i pandalshëm dhe i thellë, lidhet me zhvillimin e platformave të mëdha hi-tech, që janë makina për prodhimin e të dhënave personale dhe, për pasojë, mall i çmuar për çdo qeveri. Rasti Didi, Uber kinez të cilit Pekini i ka ndaluar kuotimit në bursë jashtë vendit me prektekstin se të dhënat e mbledhura nga kompania janë një problem sigurie kombëtare, flet shumë sesi qeveri që i konsiderojnë informacionet e ruajtura në barkun e këtyre kompanive. Por nëse është e arësyeshme të presësh që Kina të zhvillojë një model teknologjik që të jetë koherent me vokacionin e saj të drejtimit të fortë planifikues, çfarë do të bëjë Perëndimi?
Tentativa kineze për ta spostuar në tryezat e OKB governance e Internetit është një sinjal i kohëve. Shumë vende, edhe midia vendeve të përparuara, duan më shumë pushtet mbi rrjetin, jo vetëm pse është një instrument shumë i fuqishëm kontrolli, por edhe pse kanë kuptuar që platformat e mëdha – të lindura e të rritura në cloud – janë në gjendje t’i shmangen kontrollit të tyre dhe të fitojnë autonomi politike. Ndeshja është në zhvillim e sipër dhe rezultati do të varet shumë nga ajo që do të bëjnë Shtetet e Bashkuara. Për ta profilohet një dilemë shumë e vështirë: të favorizojnë instancën multilaterale e promovuar nga Kina dhe, për pasojë, në mënyrë implicite të cedojnë supremacinë dixhitale ndërkombëtare, por duke sovranitet territorial kombëtar ndaj platformave të veta të mëdha e të pakontorllueshme, ose instancën multi-stakeholder, atë që vlerëson bartësit e interesave të botës dixhitale, domethënë kolosët hi-tech, ama duke rrezikuar që ta rrisë kështu akoma power shift nga territori në cloud. Kjo teksa Kina duket megjithatë e vendosur që të ndjekë një shkrirje midis territorit kombëtar dhe dixhital që për nga pesha specifike rrezikon t’i ndryshojë ndjeshëm rregullat e lojës globale.
Që është një çështje me zgjidhje jo të lehtë e ilustron mirë edhe një dokument i kohëve të fundit i botuar nga disa studiues japonezë që e transformon dilemën për të ardhmen e Internetit në “trilemë”, duke e marrë hua atë të bërë të famshme nga Dani Rodrik midis Demokracisë, Sovranitetit dhe Globalizimit. Secili prej këtyre koncepteve lidhet me një entitet të ndryshëm politik: tendenca demokratike i përket Shteteve të Bashkuara, që kanë imponuar një platformë të hapur; ajo që privilegjon sovranitetin të një grupi vendesh, në krye të të cilëve është vënë Kina; ajo që i referohet globalizimit i referohet kolosëve të hi-tech që vijnë nga të dy vendet dhe që progresi teknologjik thelbësisht i ka transformuar në entitete konkurruese me shtetet kombëtare. Dokumenti në fjalë evidenton që të shikohet problemet lidhur me të ardhmen e Internetit sesi një rezultante e thjeshtë e konfrontimit midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës rrezikon që të jetë mjaft reduktuese dhe, për pasojë, pak realiste, duke parë që hyrja e kompanive të mëdha teknologjike i ka shtuar kuadrit analitik një element me kompleksitet të konsiderueshëm. Veç kësaj, në margjinat e trilemës jetojnë dhe veprojnë trupa të shumtë të ndërmjetëm – të kihen parasysh këtu Kombet e Bashkuara dhe agjencitë e saj – që megjithatë nuk kanë sa duhet masë kritike sa për të rezultuar përcaktuese, ruajnë prapëseprap një pushtet të konsiderueshëm influence.
Midis governance dhe hegjemonisë
Nga ky këndvështrim, ta imagjinosh të ardhmen e Internetit si rezultatin e një përplasjeje për pushtet midis Uashingtonit dhe Pekinit nuk është më probabël se rrethana e kundërt. Për ta thënë me fjalët e dy studiuesve japonezë, “kush sheh të mundshme një përplasje midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës nuk duket se merr në konsideratë mundësinë që të dy vendet të mos e arrijnë një marrëveshje”. Kjo ujdi mund të nënshkruhet pikërisht në kurriz të kolosëve të dixhitales, që për më tepër kinezët duket se i tolerojnë gjithnjë e më pak. Është në këtë përputhje – apo konkurrencë – interesash që fshihet trilema e Internetit, e ardhmja e të cilit ka shumë të bëjë me kë do të jetë më shumë në gjendje të “kapë” të dhënat që navigojnë brenda rrjetit. “Pushteti i kibernohapësirës – kujtojnë studiuesit japonezë – është aftësia e pasjes akses në të dhëna dhe të influencosh sjelljen e të tjerëve. Kushdo që kontrollon kibernohapësirën është i njëjti që ka akses në numrin më të madh të të dhënave”. Pra le të flasim për hegjemoninë, as më shumë e as më pak.
Nëse ky është posti i lojës, atëhere është e qartë se kategoritë e vjetra interpretuese e konfrontimit midis shteteve nuk janë më në gjende ta “lexojnë” realitetin. Aktorëve tradicionale u janë shtuar aktorë “joterritorialë” dhe këta tre aktorë – Shtete e Bashkuara, Kinë dhe biznese dixhitale – mëshojnë secili për të bërë të mbizotërojnë pozicionet e tyre. Urimi i kërkuesve është që demokracia dhe globalizimi – domethënë rendi i bazuar mbi bashkëpunimin midis Shteteve të Bashkuara dhe kompanive të Internetit që ka funksionuar deri më tani – të vazhdojë ta karakterizojnë Internetin. Ama do të ishte gabim të nënvlerësohej “kushtrimi i të parëve” që buron nga instinkti territorial i lidhur me sovranitetit e shteteve “analoge”. “Po bëhet e qartë se Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara po kërkojnë një formë demokratike të kibernohapësirës që siguron të drejtat sovrane e shteteve”, paralajmërojnë dy studiuesit. Domethënë, një derivim kinez, por allaperëndimor. Ndërsa vende të tjera si “Japonia, Hollanda dhe Singapori punojnë për një kibernohapësirë demokratike me ndërveprueshmëri globale”. Për momentin e vështirë të kuptohet sesi do të lëvizë Bashkimi Europian, ndërsa mbetet ende e mbështjellë me mister strategjia që do të përdorin kompanitë dixhitale, natyrisht duke supozuar se e kanë një të tillë, për ta mbrojtur pozicionin e tyre.
Si do që do të zgjidhet kjo trilemë, një gjë rezulton e qartë. Po bëhet një luftë e nëndheshme për kontrollin e të dhënave në botën e së nesërmes. Ne jemi krijuesit e këtyre të dhënave, kështu që ato të dhëna jemi ne. Thënë ndryshe, zgjidhja e trilemës duket e destinuar të konfigurojë rendin politik e shekullit të XXI, domethënë një prej konstituentëve të globalizimit që do të vijë. Hipoteza e një konvergjence midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës ndaj një sistemi ku teknologjia bëhet instrument kontrolli, duke marrë si pretekst respektimin e prerogativave kombëtare natyrisht në emër të sigurisë, projekton mundësinë e një skenari neo-absolutist që duhet t’i preokupojë të gjithë ata që kanë për zemër liritë civile. Nuk duket se ka të ngjarë, por është e mundur. Dhe kaq mjafton.
(nga Aspen Institute)
Përgatiti
ARMIN TIRANA