Kongresi i Lushnjës, cilat ishin vendimet! Qëllimi, mbrojtja e tërësisë territoriale të Shqipërisë, rimëkëmbja e shtetit dhe sigurimi i pavarësisë

Më 21 janar të vitit 1920 nisi zyrtarisht punimet Kongresi i Lushnjës, një nga kuvendet më të rëndësishme në historinë e kombit shqiptar.

 

Qëllimi i mbajtjes së Kongresit të Lushnjës ishte mbrojtja e tërësisë territoriale të Shqipërisë, rimëkëmbja e shtetit shqiptar dhe sigurimi i pavarësisë së tij. Pjesëmarrës në kongres ishin 50 përfaqësues nga pjesa më e madhe e krahinave të shtetit shqiptar. Data 21 janar ishte çelja zyrtare e kongresit, ndërsa punimet e tij u zhvilluan nga 28-31 janar 1920.

Kongresi i Lushnjës hodhi poshtë planet e Konferencës së Paqes në Paris dhe u shpreh për mbrojtjen me çdo kusht të tërësisë dhe të pavarësisë së plotë të shtetit shqiptar në kufijtë e vendosur nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër në 1913. Gjatë punimeve të tij u miratua një akt kushtetues, në të cilin ripohohej sovraniteti i plotë i shtetit shqiptar. Ai zgjodhi organet më të larta të shtetit shqiptar si Këshillin e Lartë të përbërë nga katër vetë, i cili do të kryente detyrën e kryetarit të shtetit deri sa të caktohej forma përfundimtare e regjimit.

U krijua Këshilli Kombëtar i përbërë nga 37 përfaqësues, i cili do të kryente funksionet e parlamentit shqiptar. Kongresi i Lushnjës me shumicë votash rrëzoi qeverinë e Durrësit dhe zgjodhi një qeveri të re kombëtare të drejtuar nga Sulejman Delvina. Me 21 janar të 1920, para 104 vitesh, Ahmet Zogu vinte në Kongresin e Lushnjës si një nga përfaqësuesit e krahinave me tradita patriotike, asaj të Matit, Dibrës dhe Mirditës. I shoqëruar nga qindra luftëtarët e tij, ai luajti rol kryesor në sigurinë e zhvillimit të punimeve të Kongresit në ato ditë të trazuara. Duke parë origjinën e tij, prej familjes së madhe patriotike Zogolli, aftësitë personale dhe krahinën që ai përfaqësonte, Kongresi e zgjedh Ahmet Zogun, unanimisht Ministër të Brendshëm.

Pas përfundimit të punimeve të kongresit në Lushnjë, po atë pasdreke të 31 janarit, Ahmet Zogu që u zgjodh Ministër i Punëve të Brendshme, u dërgoi të gjitha prefekturave një qarkore nga qyteti i Lushnjës, me anë të së cilës i bënte të ditur popullit shqiptar arsyet për mbajtjen e Kongresit Kombëtar të Lushnjës dhe u shpjegonte atyre vendimet që mori ajo mbledhje historike, për shpëtimin e Shqipërisë nga rreziqet që e kërcënonin. Gjatë punimeve të kongresit, ra në sy temperamenti i ndezur i Ahmet Zogut, që i bëri të gjithë delegatët të fitonin një admirim ndaj tij dhe ta zgjidhnin me votim unanim në postin delikat të Ministrit të Brendshëm, ndonëse ai nuk i kishte mbushur akoma 25 vjeç.

Qeveria e Durrësit u përpoq me të gjitha mënyrat dhe mjetet për të ndaluar zbatimin e vendimeve të kongresit, duke u mbështetur dhe në forcën e ushtrisë italiane. Nisur nga presionet e qeverisë së Durrësit, e cila po bënte çmos për mosnjohjen e vendimeve të Kongresit të Lushnjës, shumë nga e delegatët Tiranës, Elbasanit, Kavajës e Shijakut, duke kuptuar se do të sulmoheshin me armë nga forcat italiane të nxitura nga qeveria e Durrësit, shfaqën mendimin që të qëndronin dhe për disa kohë në qytetin e Lushnjës. Mendimet që shfaqën disa delegatë, për të qëndruar në qytetin e Lushnjës deri sa të stabilizohej disi situata e turbullt e krijuar, i kundërshtoi hapur Ministri i Brendshëm Ahmet Zogu. “Vendimet e Kongresit do të zbatohen domosdo dhe pa vonesë, kjo gjë lyp guxim dhe punë, prandaj unë po nisem për në Tiranë, ju po të doni rrini këtu”. Ahmet Zoguu si ministër i Brendshëm, luajti rol të pazëvendësueshëm në vendosjen e rendit në një Shqipëri të trazuar siç ishte asaj kohe. Prandaj Ahmet Zogu, me plot kuptimin e fjalës mbështetur në fakte të pakontestueshme mund të themi, luajti rol kryesor në jetësimin e vendimeve të Kongresit të Lushnjës. Prej këtij momenti Tirana mbetet kryeqytet i Shqipërisë, filloi ngritja e institucioneve shtetërore, kombi nisi të bëhet shtet, nisi njohja ndërkombëtare e Shqipërisë duke u bërë e mundur futja e saj në Lidhjen e Kombeve të bashkuara brenda vitit 1920. Nga ky Kongres nisi udhëtimin bërja e shtetit shqiptar dhe ngritja politike e Ahmet Zogut me rolin e pazëvendësueshëm të tij në shërbim të atdheut dhe kombit nën moton: “Atdheu mbi të gjitha”.

Exit mobile version