Kongresi amerikan votoi për të mos e përfillur veton e Presidentit Barak Obama rreth një projektligji që lejon ngritjen e padive kundër Arabisë Saudite për sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001. Rezultati i votimit të mërkurën në të dyja dhomat e Kongresit ishte me shumicë dërrmuese dhe shënon herën e parë që Kongresi nuk e përfill një veto të Presidentit Obama.
Pesëmbëdhjetë vjet pas 11 shtatorit, ligjvënësit ndërmorën një hap të vendosur për të lejuar padi kundër entiteteve të huaja që sponsorizojnë terrorizmin në territorin amerikan. Projektligji i ishte paraqitur Kongresit me mbështetjen e familjeve që humbën njerëz të tyre në sulmet e 11 shtatorit 2001.
“Këto familje nuk do t’i kenë më kurrë njerëzit e tyre, por ato meritojnë drejtësi”, thotë Richard Blumenthal, senator i shtetit Konektikat. Për senatorin e Teksasit, John Corny-n, “ligji kundër nxitësve të terrorizmit u dërgon një mesazh të fuqishëm atyre që nxisin sulme terroriste në tokën amerikane, duke përfshirë qeveritë e huaja; ata do të përgjigjen për këto viktima dhe do të paguajnë për vdekjen dhe shkatërrimin që shkaktojnë”.
Shtëpia e Bardhë argumentoi se ligji i vë në rrezik amerikanët jashtë vendit, duke minuar imunitetin e tyre.
“Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara më thellë dhe në më shumë vende të botës se çdo vend tjetër. Prandaj minimi i mëtejshëm i imunitetit sovran i vë ato në një rrezik më të madh se çdo vend tjetër në botë”, tha Josh Earnest, zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë.
Por shumë prej aleatëve kryesorë të Presidentit në Kongres nuk binden. “Rreziku që autorët e terrorizmit t’i shmangen drejtësisë na kushton më shumë sesa reagimi që vendet e tjera mund të kenë ndaj këtij ligji”, tha Ben Cardin, senator i shtetit Merilend. Votimet në të dyja dhomat e Kongresit përkuan shumë me njëri-tjetrin.
Në Senat, udhëheqësi i pakicës demokrate, Harry Reid nga Nevada, ishte i vetmi që qëndroi në anën e Presidentit. Dhoma e përfaqësuesve votoi me 348 vota pro dhe 77 kundër.
Rezultati është një fitore e familjeve të atyre që u vranë në sulmet terroriste të 11 shtatorit të vitit 2001. Deri tani, përpjekjet e tyre për të kërkuar drejtësi në gjykatat amerikane, pengoheshin nga imuniteti ligjor i Arabisë Saudite.
Pesëmbëdhjetë nga 19 rrëmbyesit e avionëve të 11 shtatorit ishin sauditë. Familjet e viktimave prej kohe besojnë se rrëmbyesit janë ndihmuar nga elementë sauditë. Por Arabia Saudite vazhdimisht ka mohuar se ka luajtur ndonjë rol në sulmet e 11 shtatorit. Ajo ka paralajmëruar për pasoja nëse projektligji do të kthehej në ligj.
Presidenti Obama i tha rrjetit “CNN” se vendimi i Kongresit për të lejuar paditë është “gabim”.
Ai tha se viktimat e sulmeve të 11 shtatorit dhe familjet e tyre meritojnë mbështetje dhe kompensim nga fondi i krijuar nga administrata e tij. Por, ai tha se të lejosh qytetarët privatë të padisin një vend nën pretendimet se nuk ka bërë sa duhet për të penguar terroristët, kjo mund të dëmtojë Shtetet e Bashkuara.