Shtyrja me dy vite e marrëveshjes koncsionsionare me Rinasin, do jetë me risk për vendin. Kryetarja Autoritetit të Konkurencës, Lindita Lati ka reaguar për herë të parë pas heqjes së ekskluzivitetit të fluturimeve ndërkombëtare për Aeroportin e Rinasit, me kusht zgjatjen me dy vite të operimit të kompanisë koncesionare në Shqipëri. Në një intervistë për televizionin “Klan”, Lati shpjegon se ishin të gjitha mundësitë ekonomike që heqja e ekskluzivitetit me anë të lejimit të vënies në funksion të Aeroportit të Kukësit, të bëhej pa shtyrë me dy vite marrëveshjen. “Ishin të gjitha kushtet ekonomike, që të mundësohej liberalizimi i tregut për Aeroportin e Kukësit, por pa shtuar afatin e marrëveshjes koncesionare. Lati shpjegon se, Autoriteti i Konkurencës, gjatë kohës së negociatave, ka insistuar më shumë që të ndërhyhet tek tarifat e larta aeroportuale, se sa tek liberalizimi fluturimeve. “Ne pamë klauzolat për rishikimin e tarifave. Pjesa e negociuar e marrëveshjes nuk lidhet me pjesën e tarifave në ditët e sotme. Autoriteti Konkurencës thotë se kjo shtyrje me dy vite mund të këtë risk për vendin, por kjo mbikëqyrje i takon ministrive përkatëse. “Kjo mund të ketë edhe një risk tjetër, por i takon mbikëqyrësit të marrëveshjes koncesionare sikurse edhe Autoritetit të Konkurrencës që të vëzhgojë dhe sjelljen koncesionare në këtë rast, por për të parë sjelljen e tij edhe në vijueshmëri. Duke marrë shkas nga eksperienca koncesionare me kompaninë që menaxhon Aeroportin e Rinasit, Autoriteti i Konkurencës bën thirrje që vënia në funksion e Aaeroportit të Kukësit të bëhet nga qeveria dhe sheh më pak optimiste mundësinë e dhënies me koncesion.
Si u injorua nga qeveria rekomandimi i Konkurencës
Një opinion i dhënë nga Autoriteti i Konkurrencës për Ministrinë e Transportit kundërshton propozimin për zgjatjen e koncesionit, pasi sipas formulimit aktual, koncesionari përfiton zgjatje të kontratës me dy vjet, pavarësisht nëse do të ketë apo jo aeroport tjetër në Shqipëri. Ministria e Transportit dhe e Infrastrukturës ka injoruar një rekomandim eksplicit të Autoritetit të Konkurrencës për moszgjatje të afatit të koncesionit të Aeroportit të Rinasit dhe për heqje të menjëhershme të ekskluzivitetit si një shkelje e parimeve anti-monopol të Bashkimit Europian, por pavarësisht rekomandimit të Konkurrencës, ministria ka vendosur të pranojë propozimin e koncesionarit. Ministri Edmond Haxhinasto deklaroi të premten se ka arritur një marrëveshje me kompaninë koncesionare të aeroportit të vetëm ndërkombëtar, ku koncesionari pranon të heqë dorë nga ekskluziviteti i fluturimeve ndërkombëtare në shkëmbim të zgjatjes së afatit të koncesionit me dy vjet. Haxhinasto e shpalli arritjen e marrëveshjes si një sukses, duke paralajmëruar vënien në punë të Aeroportit të Kukësit, dhe interesimin e kompanive europiane të njohura si “low cost” për të operuar nga ky aeroport. Vendimi i Autoritetit të Konkurrencës, i publikuar të shtunën, tregon prapaskenat dhe hiletë e marrëveshjes, si dhe rekomandon që qeveria nuk duhet ta pranojë zgjatjen e afatit. Gjithsesi, autoriteti i Konkurrencës vëren se mënyra se si është formuluar modifikimi i kontratës, përcakton një zgjatje automatike të afatit të koncesionit dhe se ky afat zgjatet pavarësisht, nëse Aeroporti i Kukësit vihet në punë apo jo. “Në Nenin 3 të Amendamentit parashikohet zgjatja e afatit të ekskluzivitetit të operimit të Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza” të paktën me dy vite (pavarësisht nëse do të operojë ose jo ndonjë aeroport tjetër në territorin e Shqipërisë) dhe në varësi të datës së operimit zgjatjen e afatit sipas tabelës me minimalisht 0.5 vite, nëse një aeroport tjetër fillon në vitin 2024 dhe maksimalisht 5 vite, nëse ndonjë aeroport tjetër fillon të operojë që këtë vit”, thuhet në vendimin e Autoritetit të Konkurencës. Koncesioni i Aeroportit të vetëm Ndërkombëtar të Tiranës u firmos në vitin 2004 me vendim të shumicës parlamentare socialiste të asaj kohe, mes kritikave të ashpra nga media dhe ekspertët për shkak të klauzolës së ekskluzivitetit në kontratën e koncesionit. Që nga koha kur u firmos, kompania koncesionare ka realizuar fitime të majme në vendin më të varfër të Europës. Aktualisht, kompania që menaxhon Rinasin fiton 8 deri në 10 milionë euro në vit neto, dhe zgjatja e koncesionit me dy vjet nënkupton vijimin e fitimeve të kësaj kompanie në kurriz të shqiptarëve me 16 deri në 20 milionë euro në vit. Ndërkohë, ndërsa afati i koncesionit zgjatet me dy vjet, nuk është e sigurtë se Aeroporti i Kukësit do të funksionojë, dhe nëse do të funksionojë, do të jetë apo jo në gjendje të konkurrojë Rinasin dhe të sjellë ulje të kostove. Shumë ekspertë vërejnë se Aeroporti i Kukësit, është aktualisht jashtë kohe, pasi kur u ndërtua, gjykohej se mund të shërbente për të mbuluar një pjesë të tregut të Kosovës. Kosova në kohën kur filloi ndërtimi i Aeroportit të Kukësit nuk qe ende një vend i pavarur, qe nën kontrollin e UNMIK dhe nuk qe e sigurtë, nëse Aeroporti i Prishtinës do të mund të zhvillohej për të përballuar trafikun në rritje apo jo.