Jupp Heynckes, trajneri i Bayern Munich, ka thënë në një intervistë të publikuar nga gazeta “Bild” të hënën se skuadra e tij tani ka skuadër më të mirë se sa në sezonin 2012-2013, kur ai fitoi Bundesligën, Kupën e Gjermanisë dhe Ligën e Kampionëve. Megjithatë, Heynckes paralajmëroi se kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht që Bayerni do të përsërisë tripletën, pasi konkurrenca në Europë është bërë shumë më e fortë. “Konkurrenca ka ndryshuar, janë pesë ekipe angleze në vitet e fundit, që kanë investuar 3.000 milionë euro. Por unë mendoj se kemi një grup lojtarësh, që është në thelb më i mirë se ai i sezonit 2012-2013 dhe ofron më shumë alternativa, ka thënë Heynckes. Por, kjo nuk garanton që ne do të fitojmë Ligën e Kampionëve përsëri, këtë vit, sepse ky kompeticion tashmë është shumë më i fortë”. Në sezonin 2012-2013, Bayern Munich fitoi tripletën, i udhëhequr nga Jupp Heynckes, i cili i ka udhëhequr bavarezët në këtë sezon drejt gjysmëfinales së Kupës së Gjermanisë dhe pothuajse e ka kualifikuar në çerekfinale të Ligës së Kampionëve, pas avantazhit të thellë, 5-0, në ndeshjen e parë të 1/8 finale, kundër Besiktas. Po ashtu, Bayern është kryesues i Bundesligës me 20 pikë avantazh mbi ndjekësin më të afërt, skuadrën e vendit të dytë.