Konsistenca amerikane dhe pabesia e Tiranës zyrtare

Enver Bytyçi

Metju Palmer ishte në Beograd dhe në Prishtinë. Kjo vizitë kishte një karakteristikë të veçantë. Palmer deklaroi nga Prishtina se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme, ndërkohë që në Beograd ka paralajmëruar Serbinë se ajo nuk mund të anëtarësohet në BE pa njohur shtetësinë e Kosovës.

Ky është një zhvillim i ri dhe njëkohësisht i vjetër sa i përket qëndrimeve amerikane ndaj çeshtjes së Kosovës. Eshtë i vjetër, sepse ishin amerikanët ata që sponsorizuan çlirimin dhe pavarësinë e shtetit më të ri në Europë. Eshtë një qëndrim i ri, sepse më parë kishim qëndrime kontroverse, deri te pajtimi me idenë e ndryshimit të kufijve dhe ndarjes së Kosovës, po të kemi parasysh deklaratat e ish-Këshilltarit për Siguri Kombëtare, Bolton.

Konsistenca amerikane për pavarësinë, shtetësinë dhe tërësinë territoriale të Kosovës është imediate për Kosovën. Dhe këtë lloj konsistence e ka ndihmuar fitorja në zgjedhjet e 6 tetorit të Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike, dy parti këto të cilat janë kategorikisht kundër projektit serb të shkëmbimit të territoreve, projekt i përkrahur fuqimisht nga presidenti i Kosovës dhe shefi i tij në hije, Baton Haxhiu, si dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Edhe vetë i ngarkuari për Politikë të Jashtme i BE-së, komisioneri Josep Borrel, për shkak të Katalonjës, është kundër ndarjes së Kosovës. Po ashtu Gjermania, Britania e Madhe dhe shtete të tjera në Europë. Duket se gjithçka është në linjën e duhur, por në Tiranë po bëhen përpjekje për të ndihmuar përpjekjet e Beogradit që dialogu të përmbyllet në favor të Serbisë.

Shefi jolegjitim i diplomacisë shqiptare, Gent Cakaj, deklaroi në një emision televiziv se “Shqipëria do të ndërtojë një partneritet strategjik për të ndihmuar procesin e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë”, ndërkohë që foli për krijimin e një diplomacie të unifikuar midis të dy vendeve.

Të dyja këto mesazhe të tij përmbajnë një rrezik të dukshëm për Kosovën. Gjatë gjithë kohës, prej fillimit të bisedimeve për statusin e Kosovës me 2005-ën e deri më sot, asnjë përfaqësues i qeverisë shqiptare apo ndonjë institucioni tjetër nuk ka kërkuar partneritet strategjik me Kosovën në procesin e bisedimeve. Pse ndodh kjo në këtë fazë të këtyre bisedimeve?!

Pse ndodh pikërisht pas dështimit të përpjekjeve të Vuçiç, Thaçit dhe Ramës për të realizuar skenarin e shkëmbimit të territoreve?! Pse duhet që Tirana zyrtare të ndërtojë dhe kësisoj të ndikojë në këtë fazë në rezultatin e këtyre bisedimeve?! A mund të besohet se kryeministri i Shqipërisë, si një mik i dëshmuar e për kokë i presidentit të Serbisë, të mbështesë zgjidhjen më të mirë në favor të Kosovës?!

Të gjitha këto dilema e bëjnë të dyshimtë tezën e kryediplomatit pa qenë asnjë ditë diplomat, Gent Cakaj, e që në fakt nuk është tezë e tij, sepse është e ditur se ai as shurrën nuk e bën pa lejen e Edi Ramës. Dyshimi lidhet me faktin se Rama dëshiron të jetë përsëri faktor, në mos aktori kryesor i dialogut Kosovë-Serbi, me qëllim që ta zvetënojë rolin e Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit në këtë dialog. Ai kërkon që ta devijojë zgjidhjen në drejtimin serb të konfliktit shqiptaro-serb në Kosovë.

Kryeministri shqiptar për ta arritur këtë synim mori përsipër përfaqësimin e Kosovës në Beograd. Por presidentit Thaçi iu thartuan buzët nga injorimi që iu bë dhe kësisoj ai hyri në lojë me një rol aktiv në skenarin Rama-Vuçiç të ndarjes së Kosovës. Tani që Thaçi nuk mund të ketë më asnjë rol në dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit, Rama provokon një skemë të re. Në emër të patriotizmit dhe “qëndrimeve të përbashkëta”, ai dëshiron të luajë rolin e provokatorit si në rastin me Haradinajn për heqjen, përkatësisht mosheqjen e taksës për mallrat serbe.

E ndërkohë po kaq e rrezikshme është dhe teza e dytë e ministrit të pamandatuar, Cakaj, për unifikimin e diplomacisë midis dy vendeve tona. Sepse kjo tezë do të interpretohet si projekt i bashkimit të Kosovës me Shqipërinë e në këtë rast do të ndikonte për keq në shtimin e njohjeve dhe forcimin e shtetësisë së Kosovës.

Dobësimi i institucioneve dhe zhbërja e shtetësisë është mesa duket qëllimi kryesor i Edi Ramës dhe ai po e përdor për këtë qëllim “kosovarin” Gent Cakaj. Sigurisht që nuk do të gjendej mashë e florinjtë si ajo Caka për këtë mision. Ai është i dërguari i posaçëm i besnikut të Milosheviçit dhe bashkëpunëtorit të Vuçiçit, Baton Haxhiu. Për pasojë Rama mund t’ia besojë rolin e pabesisë së tij ndaj Kosovës beniaminit Gent Cakaj.

Albin Kurti dhe Vjosa Osmani do të duhet të kenë kujdes nga kurthet e Edi Ramës. Ai nuk do të qëndrojë indiferent. Ai ka marrë përsipër një mision proverb para Aleksandër Vuçiç dhe miqve të tij në Moskë. Fatmirësisht amerikanët e kanë kuptuar më në fund këtë lojë dyfytyrëshe të kryeministrit Rama, ndaj dhe shpallën strategjinë e luftës për forcimin e shtetësisë së Kosovës. Duhet besuar se edhe Albin Kurti nuk do ta dorëzojë sovranitetin e shtetësinë e Kosovës në duart e Edi Ramës. Kjo dë të ishte tragjedi për Kosovën dhe shqiptarët në Ballkan.

 

Artikulli paraprakPse qeveria nuk publikon Projekt-Buxhetin e 2020, reagimi i fortë i Tabakut
Artikulli tjetërEurodeputetja: Parlamenti europian sapo ka kaluar rezolutën, Shqipëria të llogarisë viktimat e komunizmit…