Konstituimi i Kuvendit të Kosovës, mbahet sot seanca e 4-rt! Dështoi të zgjidhej, LVV do të propozojë sërish emrin e Albulena Haxhiut për kryeparlamentare

Sot nga ora 15:00 do të mbahet vazhdimi i katërt i seancës konstituive të Kuvendit. Lëvizja Vetëvendosje synon që edhe sot ta propozojë emrin e deputetes Albulena Haxhiu për kryeparlamentare. Haxhiu të shtunën dështoi i zgjidhej pasi mori vetëm 57 vota.

 

Ndërkohë tri përpjekjet e para për konstituim të Kuvendit kanë dështuar në pikën e parë të rendit të ditës, që ishte konfirmimi i mandateve të deputetëve.

Kundër këtij raporti të përpiluar nga Komisioni i përkohshëm, të martën e kaluar kanë votuar deputetët e PDK-së, ata të LDK-së dhe të AAK-së. Të enjten seanca është ndërprerë pa u trajtuar asnjë pikë e rendit të ditës, për shkak të mungesës së koordinimit mes grupeve parlamentare lidhur me mënyrën e vazhdimit të punimeve.

E të shtunën raporti ka kaluar me votat unanime të deputetëve. Kjo është mundësuar pasi kryesuesi i seancës, Avni Dehari, i ka ftuar përfaqësuesit politikë për takim para seancës.

Pas miratimit të raportit deputetët kanë bërë betimet.

Kryesuesi Dehari e ka lexuar tekstin, ndërsa ligjvënësit janë betuar në fund, përveç atyre të Listës Serbe, të cilët kanë refuzuar të thërrasin “betohem”, për çka deputeti nga LVV-ja, Dimal Basha, ka kërkuar që as të mos u pranoheshin mandatet.

Bllokadë e re është krijuar pasi i ka ardhur rendi pikës së zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit. Ashtu siç i ka takuar me Kushtetutë, propozimin e ka bëri LVV-ja.

Nga 61 vota sa nevojiten, pro zgjedhjes së Haxhiut në këtë detyrë kanë votuar 57 deputetë, 48 të LVV-së dhe 9 të komuniteteve.

Kundër kanë votuar 20 deputetët e LDK-së, ndërsa kanë abstenuar 3 deputetët e Nismës.

Ndërkaq në votim nuk kanë marrë pjesë deputetët e PDK-së, ata të Listës Serbe, Duda Balje dhe Adem Hoxha.

Artikulli paraprakPROFIL/Albor Elezi sot kandidati, nesër deputeti që do jetojë në Spitallë për të qenë zëri real qytetar në Parlament
Artikulli tjetër“SPAK po kryen hetime ndaj ish-drejtorit të Tatimeve, Ceno Klosi”/ BIRN: ‘Politika sfidon drejtësinë’ me kandidatët nën hetim për çështje korrupsioni! Ja emrat