Bashkia e Fierit, nën drejtimin e socialistit Armando Subashi, ka sajuar një tender me vlerë 24 mijë euro, fonde të cilat përfunduan tek njerëzit e lidhur me Ajola Xoxen, bashkëshorte e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Në dosjen voluminoze të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), e cila, deri më tani konkludoi me arrestimin e Veliajt, si edhe me vendosjen nën masë sigurimi të Xoxes e disa biznesmenëve të rëndësishëm në Tiranë, jepen detaje edhe për një projekt të financuar nga Subashi i Fierit, në vitin 2021.
Sipas bisedave të administruara nga SPAK-u, rezulton se bashkëpunëtoret e Xoxes, shtetaset Ines Dani dhe Adela Kondakçiu, diskutojnë ndër të tjera, edhe për pagesën e një projekti të Bashkisë së Fierit.
Projekti titullohet ‘Konsulencë e jashtme për propozim ligjesh’, me vlerë 24 mijë euro. Ky projekt i është dhënë ‘Personit Fizik-Ines Dani’, por ndërkohë, kjo e fundit rezulton se nuk ka asnjë dijeni që ka qenë fituese e këtij fondi.
Por, përtej padijenisë së fitueses zyrtare, projekti i financuar nga Armando Subashi duket se është tërësisht fiktiv.
Sipas projektit, Bashkia e Fierit ka porositur konsulencë për propozim ligjesh, ndërkohë që institucionet e pushtetit vendor nuk e kanë tagrin për iniciativa ligjvënëse.
Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë përcakton se të drejtën për propozimin e ligjeve e ka Këshilli i Ministrave, çdo deputet ose 20 mijë zgjedhës. Pra, duket qartë që Bashkia e Fierit nuk e ka tagrin për të propozuar ligje dhe, rrjedhimisht, edhe projekti me ‘fituese’ shtetasen Ines Danin duket se është tërësisht i sajuar.
Rezulton se pagesa për projektin ‘e sajuar’ është kryer në 14 qershor 2021 dhe shuma ishte diçka më shumë se 3 milionë lekë të reja, ekuivalenti i 24 mijë eurove, vlerë që përmendet në bisedat e administruara nga SPAK-u
Subashi, projekt ‘të sajuar’
Sipas akteve të administruara nga SPAK-u rezulton se ekonomistja Adela Kondakçiu, i kërkon shefes së saj, Ajola Xoxa për të proceduar ose jo me faturën që lidhet me kontratën e fituar nga Ines Dani në Bashkinë e Fierit, duke i dërguar në format .pdf një kopje të aktit. Nga ana e saj, shtetasja Ajola Xoxa e pyet nëse në kontratë parashikohet e gjithë vlera apo do të paguhet në dy këste.
Sipas Prokurorisë së Posaçme ‘rezulton qartë që personi që vendos për lëshimin e faturës dhe interesohet në vazhdimësi për likujdimin e shumës së të hollave, nuk është personi fizik Ines Dani, siç në fakt duhet të funksionojë, por Ajola Xoxa’.
Në vijim, siç citohet në dosjen gjyqësore Ajola Xoxa shqetësohet madje edhe për pagesën e TVSH-së së pagesës që Ines Dani duhet të marrë nga Bashkia e Fierit, duke i thënë Adela Kondakçiut që ‘Inesi nuk duhet ta paguajë kot Tatimin mbi Vlerën e Shtuar’.
Në vijim të komunikimit Kondakçiu-Xoxa, financierja e njofton shefen e saj se fatura e Inesit është likujduar. Madje, Kondakçiu thotë se Ines Dani donte të kthente një pjesë të lekëve tek Ajola në formë CASH. Por, në këtë pikë, Ajola Xoxa ndërhyn, duke thënë se do të fliste vetë me Inesin të nesërmen.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, ‘këto komunikime përforcojnë më tepër faktin se Ines Dani është thjesht punonjëse e Ajola Xoxas dhe regjistrimi i saj si person fizik është bërë me qëllimin për të kaluar fondet prej entiteve publike dhe private në favor të kësaj të fundit’.
Por, ndërkohë që SPAK-u ka krijuar dyshime të forta në këtë rast për skemën ‘Ajola Xoxa-Ines Dani’, mbetet ende i pahetuar vetë procedura e dyshuar tërësisht fiktive, e zhvilluar nga Bashkia e Fierit, nën drejtimin e Armando Subashit.
CNA.al