Konsumi i energjisë ra me 7% më 2015

Energjia elektrike rezulton të jetë konsumuar më pak gjatë vitit 2015 sipas Entit Rregullator të Energjisë dhe kjo për arsye të miradministrimit më të madh të përdorimit të produktit nga konsumatorët dhe për shkak të dimrit të butë. Në një raport të posaçëm për këtë çështje Enti Rregullator i Energjisë referon se më 2015 konsumi total i energjisë ishte 7,265,525 MWh nga 7,793,434 MWh që ishte më 2014. Ulja më e madhe ka ndodhur në konsumin e energjisë nga familjarët. Në vendin tonë konsumi familjar në raport me konsumin e përgjithshëm të faturuar për konsumatorët tariforë për vitin 2015 përbën rreth 49.6% duke shfaqur ulje prej 8.4% në krahasim me vitin 2014. Konsumatorët privatë zënë 37.8% të faturimit total të OSHEE, duke shfaqur rritje me 6.8% krahasuar me vitin 2014. Një peshë të rëndësishme në konsumin e energjisë elektrike zënë edhe konsumatorët buxhetorë dhe jo buxhetorë, të cilët zënë 12.6% të faturimit total të OSHEE me një rritje prej 1.6% nga viti i kaluar. Nga studimi i profilit vjetor të konsumit të energjisë elektrike, tipari karakteristik i këtij profili është simetria thuajse e plotë e konsumit dimër–verë, analizon Enti Rregullator, duke vënë në dukje se edhe këtë vit vërehet i njëjti fenomen, ajo e përdorimit të energjisë elektrike për ngrohje. Çdo ndryshim i temperaturës së mjedisit reflektohet menjëherë në konsumin ditor të energjisë elektrike, pikërisht të efektit nga përdorimi ose mospërdorimi i ngrohjes elektrike të banesës. Gjatë stinës së verës, në muajt korrik dhe gusht tendenca e pikut është në rritje, i cili nga viti në vit po bëhet më evident dhe lidhet me përdorimin gjithnjë e në shkallë më të gjerë të pajisjeve klimatizuese.

Exit mobile version