Konsumi negativ, për të parën herë në 6 vitet e fundit

Ankesat e shumta të biznesit se ka një rënie të dukshme të shitjeve, teksa konsumatorët sa vijnë e po e shtrëngojnë dorën, tashmë janë të konfirmuara dhe zyrtarisht. Sipas të dhënave të INSTAT, konsumi i popullatës ka shënuar një rënie me gati 0.2% në vitin 2015, duke kaluar në territor negativ për herë të parë që nga viti 2010, kur dhe raportohet kjo e dhënë.
Një vit më parë, në 2014-ën, konsumi ishte rritur me rreth 2.7%, ndërsa më dobët ishte në 2012-ën, me një rritje minimale prej 0.13% (shiko grafikun Konsumi Final i Popullatës).
Në një ekonomi, 50% e prodhimit të brendshëm bruto të së cilës vjen nga tregtia e shërbimet, konsumi është një element mjaft i rëndësishëm, që ndikon në rritjen e vendit.
Rritja e papunësisë për dy tremujorë radhazi (nga 17.3% në tremujorin e dytë  2015, në 17.5% dhe 17.7% përkatësisht në të tretin dhe të katërtin, sipas INSTAT), ngadalësimi i rritjes së pagave apo dhe rënia reale e tyre si dhe largimi masiv i njërëzve nga vendi (kërkesat për azil në shtetet e BE-së u rritën 439% në 2015-ën), të kombinuara këto me pasigurinë për të ardhmen, vlerësohen si faktorët kryesorë që kanë ndikuar në këtë tendencë negative.
Sipas të dhënave tremujore, konsumi ishte në territor negativ në dy tremujorët e parë të vitit, përkatësisht -1.1% dhe -3%, për t’iu kthyer rritjes pozitive në gjysmën e dytë të vitit, përkatësisht me 1.74% dhe 2.42%. Teksa kjo periudhë përkon me fillimin e luftës ndaj informalitetit dhe rritjen e deklarimit të xhiros nga bizneset (kryesisht ato tregtuese të vogla) është e vështirë të bëhet ndarja nëse ky zgjerim konsumi ka qenë real apo fiktiv.
Ndërsa konsumi gjithsej (përfshirë dhe administratën publike) shënoi një rënie prej 0.5% në 2015-ën, teksa dhe administrata publike e kishte këtë tregues negativ, për herë të parë që nga viti 2010 (shiko grafikun Ecuria e konsumit gjithsej).

Rënia e konsumit jep alarmin për deflacionin

Në shkurt dhe mars të këtij viti inflacioni arriti pranë zeroz, përkatësisht me 0.2 dhe 0.3% (ndryshimi vjetor), duke ngjallur debatet nëse kjo tendencë reflekton një rënie të konsumit apo është për shkak të faktorëve të tjerë, si ulja e çmimeve të naftës, mbiprodhimi vendas, apo inflacioni i ulët i importuar. Gjithsesi, në një ekonomi, ku prodhimi mungon dhe që është tepër e varur nga konsumi, rënia e këtij të fundit është një sinjal negativ.
Paraja që qarkullon në ekonomi ka shënuar rritjen më të ulët të paktën që nga viti 2002, kur raporton të dhënat Banka e Shqipërisë, një tregues direkt ky i ngadalësimit të ekonomisë dhe që është reflektuar dhe në rritjen e dobët të çmimeve, duke ngjallur frikën për deflacion. Sipas serive kohore të Bankës së Shqipërisë, agregati M3 (paraja në qarkullim përfshirë depozitat) u rrit me 22.7 miliardë lekë në vitin 2015, nga 46 miliardë lekë vitin e mëparshëm dhe më i ulëti historik që kur raportohen të dhënat (shiko grafikun). Një nivel i përafërt zgjerimi i këtij treguesi i përket vitit 2013, kur ekonomia shënoi rritjen më të ulët pas viteve 2000, me 1.1%.
Teoritë ekonomike sugjerojnë se, një rritje e fortë në paranë gjithsej në mënyrë tipike ul normat e interesit, që nga ana e vet gjeneron më shumë investime dhe vë më shumë para në duart e konsumatorëve, duke nxitur shpenzimet. Bizneset reagojnë, duke porositur më shumë lëndë të para dhe duke rritur prodhimin. Rritja e aktivitetit të biznesit shton kërkesën për punë. E kundërta mund të ndodhë në rast se, oferta e parasë bie ose rritja e saj ngadalësohet. Fatkeqësisht kjo e fundit duket se po ndodh dhe në Shqipëri, siç e tregojnë qartë shifrat e Bankës së Shqipërisë.
Tregues të tjerë kishin sinjalizuar se, ekonomia është ngadalësuar dhe investimet kanë ngecur. Me bazë vjetore huaja për ekonominë ka rënë me 2.4% në 2015-ën. Kjo është rënia më e lartë historike e stokut të kredisë, që nga viti 1998, kur Banka e Shqipërisë raporton të dhënat. Edhe rritja e kredisë neto (përjashtuar huatë e fshira) ishte negative prej -1.4% në 2015-ën, sipas të dhënave nga aktivet e sistemit bankar. Rënia e kreditimit të ekonomisë është një tregues direkt i mungesës së investimeve në vend. Edhe eksportet, një burim i rëndësishëm i hyrjes së valutës në vend, në 2015-ën ranë me gati 5%.

Artikulli paraprakIndeksi i Transformimit, Shqipëria e fundit në rajon
Artikulli tjetërBajerni fiton titullin javën tjetër