Kontabilistët depozitojnë në Kushtetuese kërkesën për shfuqizimin e ligjit për tatimin mbi të ardhurat; IKM dhe IEKA: Cenohet parimi i barazisë

Pas debateve të shumta që shkaktoi te profesionet e lira miratimi i ligjit për tatimin mbi të ardhurat, kontabilistët kanë dërguar në Gjykatën Kushtetuese ankimimin për rrëzimin e tij, pasi krijon pabarazi mes tatimpaguesve.

Ankimi u depozitua në Gjykatën Kushtetuese nga Instituti i Kontabilistëve të Miratuar (IKM) dhe Instituti i Ekspertëve Kontabël të Autorizuar (IEKA).

Përfaqësues të këtyre institucioneve pohuan për Monitor se pretendimet në lidhje me shkeljet kushtetuese janë: 1.Cenimi i parimit të barazisë para ligjit; 2.Shkelja e të drejtës themelore të lirisë së veprimtarisë ekonomike dhe të profesionit; 3.Cënimi i parimit të shtetit të së drejtës dhe sigurisë juridike; 4.Cënimi i parimit të rezervës ligjore në fushën tatimore dhe hierarkisë së normave.

Ligji i ri parashikon zbatim në dy periudha. Pas zbritjes së shpenzimeve, fitimet e të vetëpunësuarve, personave fizikë dhe tregtarë të shërbimeve të profesioneve të lira nga 1 janari 2024 taksohen me normat 15% dhe 23%. Ndërsa bizneset e tjera të vogla do të vijojnë te kenë tatim zero deri më 31 dhjetor 2029.

Për shkak të trajtimit të pabarabartë tatimor që u bëhet kategorive të bizneseve kërkohet shfuqizimi i nenit 69 që përcakton përjashtimin e bizneseve të tjera nga taksimi dhe të listës së shërbimeve të profesioneve të lira që u përfshinë në taksimin e ri.

“Shfuqizimi i pjesshëm i neni 3, paragrafi 5; nenit 12,paragrafi 1, germa “ç”; dhe nenit 69, paragrafi 1, germa “dh”, të ligjit nr. 29/2023 datë 30.03.2023, “Për tatimin mbi të ardhurat ” i ndryshuar.

Shfuqizimi i nenit 4, paragrafi 1 ” lista e shërbimeve objekt tatimi nga 1 Janari 2024″ dhe i tabelës Analitike nr. 2, nën ndarja 69, i VKM nr. 753 datë 20.12.2023 si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë për pjesën që i referohet profesioneve të Kontabilistit të Miratuar dhe Audituesve Ligjorë”, citohet në kërkesën e depozituar në Kushtetuese.

Ligji për tatimin mbi të ardhurat u miratua në muajin mars 2023 nga Parlamenti. Në muajin dhjetor u botua në fletoren zyrtare vendimi i miratuar nga Këshilli i Ministrave me listën për shërbimet e profesioneve të lira që do të përfshihen në taksimin e ri, duke përfshirë 26 lloje aktivitetesh duke nisur nga shërbimi IT, i kontabilitetit, avokatët, arsimin, mjekët, pasuritë e paluajtshme, agjencitë e lajmeve, agjencitë e punësimit, të sportit operatorët turistikë etj.

Tatimi 15% për fashën e parë të bizneseve me të ardhura vjetore deri 14,000,000 lekë në vit llogaritet mbi fitimin, pas zbritjes së shpenzimeve fikse të padeklaruara në kontabilitet në vlerën 30%, duke përfshirë dhe të ardhurat nga paga minimale, ndaj totalit të të ardhurave vjetore.

Kategoria tjetër e bizneseve që përfshihen në të ardhurat vjetore mbi 14 milionë lekë kanë detyrimin e deklarimit të shpenzimeve vjetore pranë administratës tatimore, ndryshe nga fashë e parë që u njihen shpenzime fikse apo të pa mbajtura në kontabilitet në masën 30%. Pas zbritjes së shpenzimeve të deklaruara në administratën tatimore fitimi i kësaj kategorie do të tatohet me normën tatimore 23%.

Në total sipas Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë në regjimin e ri tatimor do të përfshihen deri 29 mijë biznese të profesioneve të lira. MFE llogarit se deri 90% e totalit të bizneseve (të ndarë sipas 3 kategorive, si: vetëpunësuarit, personat fizikë dhe tregtar) përfshihen në fashën e ardhurave vjetore deri 14 milionë lekë në vit që do të tatohen me normë 15%./ Monitor

Artikulli paraprakNgjarja e javës ishte vizita e Tod Robinson në SPAK
Artikulli tjetërDosja ‘bombë’ nga Italia për kryebashkiakun e Ramës, SPAK-ut i kërkohet verifikim urgjent