Kontaktet e para politike të shqiptarëve me rusët

Nga dr. Hasan Bello

Kontaktet e para politike të shqiptarëve me rusët dokumentohen të paktën dy-tre shekuj përpara lindjes së shtetit shqiptar. Në shekullin e XVII-të disa murgj të manastireve ortodokse të Shqipërisë së Jugut shkuan në Rusi për të kërkuar ndihma nga kisha ruse. Ndërsa në gjysmën e dytë të shekullit XVII-të dhe në fillim të shekullit XVIII-të filluan kontaktet e para politike të disa shqiptarëve me autoritetet shtetërore ruse, duke nisur që nga Petri i Madh për të vijuar me perandorë të tjerë. Këto kontakte u intesifikuan me depërtimin dhe rritjen e influencës ruse në Ballkan.

Sipas studiuesve të ndryshëm politika antishqiptare e Rusisë u shfaq haptazi në vitin 1696 pas nënshkrimit të “aleancës së shenjtë” në luftë kundër Perandorisë Osmane. Në këtë periudhë, Rusia e shtriu influencën e saj në Himarë dhe në disa fise katolike në Shqipërinë e Veriut (kryesisht në Mirditë), duke përdorur edhe ndikimin që ajo kishte te fiset malazeze.

Nëpërmjet “misionarëve” të ndryshëm që ajo dërgoi në Shqipëri dhe Ballkan, Rusia krijoi lidhje të drejtpërdrejta me krahinat shqiptare dhe i nxiti ato në vitet 1701-1704 në kryengritje. Në vitin 1711, Petri i Parë shpërndau një manifest ku i ftoi shqiptarët dhe popujt ballkanikë që t`i bashkoheshin ushtrisë së tij kundër osmanëve.

Aleanca pro-ruse që u krijua në këtë periudhë mes fiseve ortodokse malazeze dhe fiseve katolike shqiptare, ishte në kundërshtim me politikën e një fuqie tjetër rajonale, Venedikut. Prandaj, kundër kësaj aleance anti-osmane u ngrit peshkopi katolik i Tivarit, Visk Zmajeviq. Këto qëndrime do të ndryshojnë në varësi të koniukturave të kohës.

Kulmi i bashkëpunimit politik mes disa shqiptarëve dhe rusëve arriti në gjysmën e dytë të shekullit XVIII-të. Kështu, në Kuvendin e Përgjithshëm të himariotëve të vitit 1759, i cili u mbajt nën ndikimin e propagandës ruse, u vendos që popullsia ortodokse shqiptare e këtyre krahinave të kërkonte protektoratin e Rusisë. Për këtë u caktua një delegacion i cili do të shkonte në Peterburg për të kërkuar udhëzime dhe armë kundër osmanëve.
Në shkurt të 1760 himariotët zhvilluan bisedime sekrete me rezidentin rus në Stamboll, A.M.Obreskov për të cilën u informua edhe perandoresha ruse Elizabeta Petrovna. Në këtë periudhë u vendosën kontakte edhe ndërmjet agjentëve rusë dhe disa shqiptarëve katolikë nga Shqipëria e Veriut. Në mars të 1762, Jakov Suma nga Shkodra shkoi në Peterburg dhe u takua me Petrin III dhe si “përfaqësues i gjithë shqiptarëve” kërkoi që të formohej një regjiment shqiptar i ushtrisë ruse për të luftuar kundër Perandorisë Osmane.

Në luftën turko-ruse në vitin 1768 një numër shqiptarësh (kryesisht himariotë) hynë në shërbim të flotës ruse në Detin Mesdhe. Në luftimet që u zhvilluan në gusht të vitit 1773, kundëradmirali rus A.Elmanov raportonte se kishin marrë pjesë katër batalione shqiptarësh (1020 veta), të cilët shkatërruan dhe pushtuan kështjellat osmane Stançio dhe Butrint. Kjo dukuri do të vihet re edhe në luftërat e tjera, duke bërë që një pjesë e tyre të vendoset në Odesë. Kështu u krijua edhe kolonia shqiptare e rusisë.

Edhe Ali Pashë Tepelena u përpoq të bashkëpunonte me rusët, me qëllim që ata të mbështesnin projektin e tij politik për të fituar pavarësinë e Pashallëkut të Janinës. Por pavarësisht premtimeve të princit G.A.Pomtekim, ky projekt bindte ndesh me preferencat ruse në Ballkan. Luftën kundër suliotëve dhe himariotëve në vitin 1798, Ali Pashë Tepelena e filloi me pretekstin se ata ishin pro-rusë. Në fakt kjo ishte e vërtetë. Por megjith shtypjen e tyre në vitin 1803, ndikimi rus në territoret shqiptare nuk u zhduk. Përkundrazi, ai u rrit akoma më shumë në gjysmën e dytë të shekullit XIX-të dhe arriti kulmin gjatë shekullit XX-të.

Exit mobile version