Ka mjaftuar vetëm një shtyrje e bisedimeve për rinovimin e kontratës nga ana e trajnerit italian për të bërë që të nisin sërish aludimet lidhur me të ardhmen e Antonio Kontes në stolin e Chelsea-t. Ish-tekniku i përfaqësueses italiane ka një kontratë me Blutë e Londrës deri në vitin 2019-të, por impakti i menjëhershëm që ka lënë Konte në futbollin anglez teksa po udhëheq Chelsea-n drejt fitimit të titullit kampion, ka sjellë që në muajt e fundit të flitej shumë për një rinovim të kontratës nga ana e 47-vjeçarit. Megjithatë së fundmi Konte ka shtyrë bisedimet për zgjatjen e kontratës pasi është i përqendruar te kampionati, por edhe te FA Cup me Chelsea-n që ka shanse të mira ta mbyllë sezonin duke fituar 2 trofe.
Në këtë mënyrë tifozët e Bluve të Londrës, të cilët janë dashuruar pas trajnerit italian duhet të presin, për të parë Konten të firmosë kontratën e re që mund ta lidhë me skuadrën angleze deri në vitin 2021. Por kjo shtyrje e bisedimeve nga ana e trajnerit dhe deklaratave të menaxherit të Kontes Pastorello se, 47-vjeçari edhe mund të mos rinovojë me Chelsea-n, një ofertë e mirë nga një klub me histori të madhe, kanë bërë që në Itali të nisin aludimet për një kalim të mundshëm të ish-trajnerit të Juventusit te Interi në fund të këtij sezoni. Pronarët kinezë të klubit zikaltër janë të gatshëm të bëjnë gjithçka për të bindur Konten të ulet në stolin e Interit, duke i ofruar atij një pagë shumë të lartë dhe mbi të gjitha një buxhet të palimituar për merkaton e verës. Janë thjesht zëra apo ka diçka të vërtetë në këtë mes kjo mbetet për t’u parë, e sigurtë është që për momentin Konte është i përqendruar vetëm te Chelsea pasi dëshiron të fitojë titullin kampion në Angli me skuadrën londineze.