Drejtori i Drejtorisë Operacionale në Portin e Durresit, Fatjon Sulaj ka dhënë dorëheqjen nga detyra që mbante. Lajmi për dorëheqjen e tij vjen një ditë pas skandalit me kontrabandën e cigareve në Portin e Durrësit. Sulaj vinte nga radhët e LSI, dhe ka mbajtur këtë detyrë për 4 vite.
Kujtojmë se një ditë më parë, Drejtoria e Doganave bllokoi një sasi prej 6100 koli cigare me vlerë 610 mijë euro në Portin e Durrësit, pasi dyshohet se do hynin kontrabandë. Pas kontrollit të 5 konteinerëve, u gjetën 6100 koli ose 3,050,000 paketa cigare, të cilat nga kontrolli rezultuan të papajisura me pulla fiskale.
Ish-kryeministri Berisha, ka denoncuar një ditë më parë një tjetër vjedhje të madhe që po bëhet në doganën e Durrësit. Berisha ka postuar në Facebook mesazhin e një doganieri, i cili thotë se, zyrtarët po vjedhin 5 milionë dollarë në Doganën e Durrësit. Doganieri i shkruan Berishës se në këtë skandal është përfshirë edhe drejtoresha dhe drejtori i Antikontrabandës. “Ja si po i vjedhin zyrtarët 5 milionë dollarë në Doganën e Durrësit! Lexoni mesazhin i doganierit dixhital!”, shkruante Berisha.
“Mirdita Dr, jam doganier në Durrës. Prej mëse 3 muajsh në Portin e Durrësit kanë ardhur 5 konteinerë me cigare pa pullë fiskale. Këto erdhën në periudhën e zgjedhjeve me porosi të burrit të drejtoreshës, Bedis dhe Androkliut. Për t’i kaluar do t’i kalonte klani i tyre në dogana, drejtori i Antikontrabandës, z.Prifti me atë të Hetimit, z.Brahja, në pikën e konteinerëve ku është përgjegjës turni miku i tyre z. Beshiku. Por meqë ranë në sy, i kaluan në magazinën doganore dhe këto dy ditë po përpiqen me të gjitha mënyrat, por askujt nga ne nuk ja mban të firmosë, sepse bëhet fjalë për 5 milionë USD evazion fiskal. Kuptohet që edhe policia i ka mbyllur sytë me kohë. Paskan dy ditë se i mbaron afati dhe nuk dinë nga t’i çojnë”, shkruante doganieri.