Erion Veliaj, kryetari i Bashkisë së Tiranës, reagoi pas akuzave të reja që rëndojnë mbi të se ndërpreu emisionin “Publicus” në “Vizion Plus”, që të dielën do të transmetonte një investigim mbi vdekjen tragjike të 17–vjeçarit Ardit Gjoklaj në landfillin e Sharrës.
Veliaj thotë se kjo është një akuzë e radhës e PD dhe “mediave të koodinuara prej saj” dhe se, “me një mori punësh që ka Tirana, as nuk kam kohë e as interes të merrem me çdo histori që shpiken në dhoma montazhi, seli partie e duzinë portalesh pranë tyre”.
Akuzave se nuk u dha gazetarëve të emisionit “Publicus” kontratën e Bashkisë me kompaninë “3R” që kishte ngritur në Sharrë impiantin ku u vra Ardit Gjoklaj, të njëjtën kontratë që ia fsheh me një akt të paprecedent edhe Prokurorisë që ka nisur hetimet, Veliaj u përgjigjet duke thënë se është aq i zënë me punë saqë s’ka kohë për të harxhuar.
“Kushdo që më njeh, e di se sa i fokusuar jam në punët e Tiranës e sa nuk harxhoj kohë fare me litaninë e përditshme të PD e mercenarëve të tyre – sepse besoj se qyteti ndërtohet me punë, jo me helm! Në 1 vit, Tirana ka hapur 100 kantiere pune, ka më shumë rrugë, shkolla, kopshte, çerdhe e kënde lojërash! Ka sot një jetë artistike, kulturore e turizëm të paprecedent më parë. Ka një Bashki me 3 turne në punë dhe një qytet më të pastër, më të ndriçuar e më të gjelbër. Sado të përpiqen me histeri e kujë, nuk i bindin dot 1 milion dëshmitarë të këtij ndryshimi frymëzues për qytetin e me jehonë në gjithë rajonin”, shprehet kryebashkiaku i Tiranës.
Gazetarët e “Publicus” nuk i kërkuan Erion Veliajt nëse ka bërë punë në Tiranë. As Prokuroria nuk po e heton nëse ka lyer fasada e vija të bardha rrugëve të kryeqytetit. Erion Veliaj dyshohet për një vepër penale. Ai është kallëzuar penalisht nga PD për ngjarjen e ndodhur në Sharrë me vdekjen e 17–vjeçarit Ardit Gjoklaj dhe ngritjen e një impianti të ndarjes së mbetjeve, në shkelje të ligjit.
Ndaj Erion Veliaj është i ftuar nga gazetarët, opozita dhe prokurorët, që të tregojë kontratën me të cilën lejoi aktivitetin e kompanisë “3R”, në landfillin e Sharrës, me administrator kryetarin e Partisë Socialiste të Peqinit.
Ai nuk akuzohet se s’ka bërë punë në Tiranë dhe devijimi i çështjes tek puna nuk e shpëton dot përpara hetimit, të cilit ndoshta mund t’i shmanget vetëm me pirueta të tjera, si kurorëzimi në martesë i djalit të ndonjë prokurori që ka në dorë 4 dosje hetimore.
Erion Veliaj i lutet PD–së dhe mediave që ta lënë të punojë. Por mediat, opozita dhe Prokuroria i kërkojnë të bashkëpunojë në hetimin që ka nisur. Atij i kërkohet t’i japë Prokurorisë dhe gazetarëve marrëveshjen që Bashkia ka me kompaninë “3R” dhe manualin e sigurisë së punonjësve.
Erion Veliajt i kërkohet sot jo që të mos punojë, por që të mos sorollasë hetimet për javë me radhë.
“Puna or miq, ju nxjerr në dritë, jo çezma e helmit, sajesave e trillimeve! Ju vazhdoni me stërkëmbëshat, por jua them fort e qartë: Tirana nuk ndalet!” shkruan Veliaj në reagimin e tij.
Teksa ai vetë po punon “pa u ndalur”, Erion Veliaj është i ftuar të mos ndalë as hetimet e Prokurorisë dhe të tregojë se në ç’kushte punoi 17–vjeçari Ardit Gjoklaj që u ftua prej vetë atij që t’i drejtohej për punë impiantit privat që ai lejoi të ngrihej në landfillin e Sharrës. Kryetari i Bashkisë së Tiranës nuk mund t’i fshihet një hetimi penal duke thënë “më lini të qetë të punoj”.
Punë pati bërë edhe Enver Hoxha në Shqipëri apo Hilteri në Gjermani. Ata nuk u akuzuan ndonjëherë se s’kishin punuar dhe puna nuk ua fshehu dot krimet që kishin bërë.