Kontrata sekrete, si po trukohet tenderi 8.8 milionë euro i dixhitalizimit

Radio Televizioni Shqiptar po përpiqet që të gjejë artificat ligjore për të lidhur një shtesë kontrate për mirëmbajtje në vlerën e 8.8 milionë eurove me kompaninë “Rohde-Shvarz”. Kjo e fundit ka fituar në vitin 2015 kontratën prej 21.5 milionë eurosh për ndërtimin e dy rrjeteve dixhitale të RTSH-së; kontratën e firmosi ministrja Milena Harito si autoritet kontraktor. Por RTSH-ja pretendon se kjo kontratë nuk mbulon dhe nuk garanton mirëmbajtjen e disa dhjetëra pikave të përforcimit dhe transmetimit.

Kontrata e lidhur ndërmjet RTSH-së dhe firmës “Rohde-Shwarz”

“HashtagAL” ka siguruar kontratën konfidenciale të lidhur me “Rohde-Shwarz”, ndërsa në këtë kontratë shprehet qartësisht se kjo kompani ka për detyrë të përfundojë të plotë ndërtimin e sistemit të rrjetit dixhital; ta dorëzojë “me çelësa në dorë” dhe dy vite pasi e ka dorëzuar të bëjë dhe mirëmbajtjen. Pra, për të paktën 2 vite pas ndërtimit të këtij rrjeti përgjegjësia e mirëmbajtjes është e vetë kompanisë “Rohde-Shwarz”. Atëherë pse RTSH-ja kërkon një kontratë shtesë prej 8.8 milionë eurosh për 4 vite për mirëmbajtje? Janë 2.2 milionë euro në vit që do të shpenzohen për mirëmbajtje; ndërsa RTSH-ja parashikon të marrë kredi në banka për ta siguruar shumën. RTSH-ja e argumenton këtë nevojë me faktin se “kontrata e lidhur me ‘Rohde-Shwarz’ nuk ka limite dhe afate për ekzekutimin e saj”. Kjo është e vërtetë; Shqipëria nuk e kapi dot në kohë afatin e vendosur nga BE-ja për ngritjen e rrjetit dixhital ndaj dhe aktualisht nuk ka ndonjë afat të dytë të përcaktuar. Efekti ka ardhur nga një mangësi e kontratës së lidhur nga Harito; por nga ana tjetër, palët po i hapin rrugë një procesi për sigurimin e 8.8 milionë eurove për mirëmbajtjen 4-vjeçare duke shtuar barrën financiare; për më tepër në kushtet kur mirëmbajtja ishte detyrim i “Rohde-Shwarz”. Drejtori i RTSH-së, Martin Leka po përdor artifica ligjore për t’i hapur rrugë tenderit të mirëmbajtjes; ndërsa ministrja Milena Harito në dukje i ka kundërshtuar këto përpjekje gjatë letërkëmbimeve zyrtare; por nuk e ka bllokuar procesin dhe “de facto” tenderi shtesë prej 8.8 milionë eurosh është shumë pranë finalizimit. Opozita ka akuzuar ministren Harito se po favorizon kompaninë “IDEA-Tel”, e cila dyshohet se do të nënkontraktohet për të relizuar mirëmbajtjen; ndërsa e gjithë nisma për tenderin e mirëmbajtjes është e mbështetur nga Kryeministri Rama.

Kontrata

Më 15 nëntor 2015, e përditshmja “Shqiptarja.com” ka zbardhur kontratën e plotë, gati për t’u firmosur midis drejtorit të Përgjithshëm të RTSH, Martin Leka dhe administratorit të “IDEA-Tel”, Idlir Karkini. Kjo vjen në një çast kur nga ana e kompanisë gjermane “Rohde & Schwarz”, fituese e tenderit shumë të përfolur prej 21.5 milionë eurosh (pa TVSH) për kalimin në sistemin dixhital të transmetimit, nuk ka nisur ende asnjë punë. Në këtë mënyrë, kontrata e mirëmbajtjes prej 8.8 milionë eurosh në favor të “IDEA-Tel” (që rezulton si përfaqësuesi në Shqipëri i firmës gjermane “Rohde & Schwarz”), është përgatitur përpara se të nisë puna për dixhitalizimin e sistemit të transmetimit. Duket se administrata aktuale e RTSH, po nxitonte të nënshkruajë kontratën 8.8 milionëshe për të bërë të mundur zyrtarizimin e saj përpara zgjedhjes së drejtorit të ri të Përgjithshëm të Radio Televizionit Shqiptar. Nënshkrimi i kësaj kontrate do ta vinte kreun e ri të TVSH, përpara faktit të kryer, ashtu siç ka ndodhur dhe me kontrata të tjera problematike, siç është ajo e “Rapiscan”, ajo për markimin e karburanteve e “Eurocontrol”, e kolaudimit të mjeteve nga “SGS” apo koncesioni monopol i Aereoportit “Nënë Tereza”.
Vetë RTSH, në kontratën mes Ministrisë së Inovacionit dhe “Rohde & Schwarz” për dixhitalizimin e RTSH është përfitues i kontratës dhe jo autoritet kontraktues. Sipas të përditshmes “Shqiptarja.com”, nëse do të merrte përsipër këtë rol, RTSH do të ishte e detyruar të përzgjidhte me tender të hapur ofruesin e këtij shërbimi dhe jo me përzgjedhje të drejtpërdrejtë. Ndërkohë që në kontratën mes Ministrisë së Inovacionit dhe “Rohde & Schwarz”, vihet re se kjo e fundit e ka detyrim kontraktual (pra të përcaktuar si detyrim brenda vlera 21.5 milionë euro) trajnimin e stafit inxhiniero-teknik të RTSH-së për mirëmbajtjen e sistemit të transmetimit dixhital.
Një element tjetër që e bën më të çuditshme këtë kontratë, ka të bëjë me faktin që RTSH ka një strukturë të posaçme të specializuar për mirëmbajtjen e rrjetit të transmetimit, e njohur si Drejtoria e Stacioneve. Pa përmendur, që “Rohde & Schwarz” ofron garanci dyvjeçare për pajisjet nga momenti i instalimit. Të gjithë këto elemente e bëjnë krejt të pamotivuar, kontraktimin e një kompanie të tretë për mirëmbajtjen e sistemit të transmetimit, që mund të garantohet pa kosto shtesë nga personeli teknik i RTSH (i trajnuar nga firma gjermane) dhe me pjesë këmbimi të furnizuar prapë nga firma gjermane pa asnjë kosto ekstra brenda kushteve të garancisë. Ndërkohë që në kontratën me “IDEA-Tel”, RTSH jo vetëm merr përsipër t’i paguajë “IDEA-Tel” 8.8 milionë euro në katër vitet pas dixhitalizimit, por zotohet t’i sigurojë kompanisë edhe ambientet ku do të realizohet shërbimi.

Exit mobile version