Petros Molyviatis, ish-ministër i Jashtëm i Greqisë dhe një figurë kyçe në politikën dhe diplomacinë greke, është ndarë nga jeta sot, të dielën më 4 maj, në moshën 97-vjeçare.
Ai vuante prej më shumë se gjashtë muajsh nga probleme serioze shëndetësore, kryesisht të lidhura me frymëmarrjen dhe ishte shtruar disa herë në spital.
I lindur më 12 qershor 1928 në ishullin grek të Hios, Molyviatis vinte nga një familje me rrënjë të thella kulturore, nëna e tij Agapi ishte motra e shkrimtarit të njohur Elias Venezis dhe me origjinë nga Ayvaliku i Anadollit të Vogël.
Petros Molyviatis ishte bashkëpunëtor i ngushtë i ish-kryeministrit dhe presidentit të Republikës së Greqisë, Konstantinos Karamanlis.
Në karrierën e tij të gjatë politike dhe diplomatike, ai ka mbajtur disa poste të rëndësishme: tre herë ministër i Jashtëm (2004–2006, 2012 dhe 2015), drejtor i Zyrës Politike të Kryeministrit (1974–1980), sekretar i përgjithshëm i Presidencës së Republikës (1980–1985 dhe 1990–1995) dhe deputet proporcional në Parlamentin grek me partinë Demokracia e Re (1996–2004).
Që nga viti 1983 e deri në fund të jetës së tij, ai ishte gjithashtu kryetar i përhershëm i Fondacionit “Konstantinos Karamanlis”.
Kontributi i tij ishte vendimtar në disa prej çështjeve më të ndjeshme të politikës së jashtme greke, si marrëdhëniet greko-turke, çështja qipriote dhe integrimi evropian i Greqisë.
I martuar me Niovi Christaki, Molyviatis kishte dy fëmijë, një vajzë dhe një djalë. Vajza e tij, Laura, ishte e martuar me biznesmenin dhe bankierin Stelios Panagopoulos, ish-drejtor i Bankës Kombëtare të Greqisë dhe eurodeputet i PASOK-ut.
Një karrierë e shquar diplomatike dhe politike
Petros Molyviatis studioi drejtësi në Universitetin Kombëtar dhe Kapodistrian të Athinës dhe më pas ndoqi një karrierë të gjatë në shërbimin diplomatik. Ai shërbeu në poste të rëndësishme në misionet e përhershme të Greqisë pranë Kombeve të Bashkuara në Nju Jork dhe NATO-s në Bruksel, si dhe në ambasadat greke në Moskë, Ankara dhe Pretoria.
Pas rikthimit të demokracisë në Greqi në vitin 1974, ai u bë drejtor i Zyrës Politike të Kryeministrit Karamanlis dhe më pas sekretar i përgjithshëm i Presidencës së Republikës për dy mandate. Nga viti 1996 deri më 2004, u zgjodh deputet me sistemin proporcional, përfaqësues i Demokracisë së Re.
Në vitin 2004, në qeverinë e parë të Kostas Karamanlis, Molyviatis mori postin e ministrit të Jashtëm, detyrë që e mbajti deri në 14 shkurt 2006.
Ai u rikthye në të njëjtin post edhe në dy qeveri teknike: më 17 maj 2012 në qeverinë kalimtare të drejtuar nga Panagiotis Pikrammenos, dhe më 28 gusht 2015 në qeverinë kalimtare të Vasiliki Thanou, deri në mbajtjen e zgjedhjeve më 20 shtator 2015.
Figura e Petros Molyviatis do të mbetet e lidhur ngushtë me periudha kyçe të diplomacisë greke dhe me përpjekjet për ruajtjen e interesave kombëtare të Greqisë në një periudhë të trazuar politike dhe ndërkombëtare.