‘Kontribut Patriotik’: Si u transformuan 113 m2 tokë në miliona euro pasuri

Më 1 qershor 2022, Fatmir Bektashi, biznesmen, pronar ose bashkëpronar i një numri kompanish ndërtimi në Tiranë, i dërgoi një email zyrës së vet të parapëlqyer të noterisë. Ai bënte me dije për efekt mbajtje llogarish: “Janë tërhequr dividend nga Z.Fatmir Bektashi 637 mijë euro dhe janë paguar për Z.Malltezi: paguar CASH vlera 547 mijë euro dhe 90 mijë euro fatura konsulence.”

Mbajtja e kontabilitetit është një punë rutinë, por e domosdoshme e biznesit, vetëm se në këtë rast, ruajtja e sekretit kishte gjithashtu një rëndësi vendimtare. Ky sekret ra megjithatë në duart e Prokurorisë së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, SPAK, pasi hetuesit sekuestruan komputerin në zyrën e noterisë ku mbaheshin llogaritë e Jamarbër Malltezit.

Të dhënat ndihmuan prokurorët që të zbërthenin një histori të komplikuar biznesi, përmes së cilës, Malltezi arriti të përfitojë së paku 5.4 milionë euro, duke u nisur nga një aset modest i trashëguar prej 1/67 pjesë, ose 113.7 metra katrorë tokë në total, e gjitha brenda një periudhe disavjeçare.

Malltezi u arrestua të shtunën nga policia dhe pritet të përballet në gjyq me akuzën e korrupsionit pasiv, të kryer në bashkëpunim me vjehrrin e tij, ish-kryeministrin Sali Berisha. Ky i fundit, i vendosur në masë sigurimi detyrim paraqitjeje, i ka hedhur poshtë akuzat si hakmarrje politike dhe ligjërisht të pabazuara.

Prokuroria vëren gjithashtu se në dokumentet e kompanisë, shuma prej mijëra apo dhjetëramijëra eurosh i paguhen Malltezit duke e identifikuar atë vetëm me iniciale, si dhe “herë pas here edhe me fjalët “KP” ose “Kontribut Patriotik”.” Sipas një prej dëshmitarëve të marrë në pyetje nga prokuroria, nuk ishte e qartë se pse përdorej termi “kontribut patriotik”, por ishte e dukshme se ky term përdorej edhe për pagesat ndaj Malltezit nga ana e Fatmir Bektashit.

Për arsye që nuk dihen, ortakët vendosën të bëjnë një kontratë të re në vitin 2014, të cilën e depozituan zyrtarisht në Qendrën Kombëtare të Biznesit në vitin 2018. Në kontratë, shtetasi Fatmir Bektashi i shet, me pëlqimin e bashkëshortes së tij, Malltezit 35% të aksioneve për vlerën nominale prej 35 mijë lekësh.

Prokuroria vëren anomalinë: deri në fund të vitit 2013, kompania kishte fitime të pashpërndara në shumën 362 milionë lekë. Me shumë kulla në proces ndërtimi, shitja e 35% të aksioneve të saj për 35 mijë lekë ngjan e pagjasë. Në fakt, prokuroria dyshon se transaksioni ka shërbyer si një mënyrë për të justifikuar transferimin e parave nga kompania për te Malltezi, i cili tashmë dyshohet se ka qenë aksioner hije, ndonëse nuk ka të dhëna që të sugjerojnë se ai ka investuar para në kompani.

Një fakt i tillë është pranuar në prokurori edhe nga Fatmir Bektashi, i cili tha se Malltezi ka qenë gjithmonë pjesë e shoqërisë “Homeplan”, “pavarësisht se kur janë pasqyruar gjërat në Qendrën Kombëtare të Biznesit”.

Për rrjedhojë, sipas dyshimeve të prokurorisë, aksionet dhe dividentët e përfituar, janë përfituar në shkëmbim të vendimeve favorizuese të shtetasit Sali Berisha, kryeministër.

Berisha, i cili ka folur gjerë e gjatë mbi akuzat gjatë ditëve të fundit, ka dhënë një numër argumentesh se pse akuza kundër tij është e pabazuar në ligj. Argumenti kryesor është që Malltezi nuk është anëtar i familjes Berisha në kuptim të ligjit. Prokuroria thotë se tashmë prej vitesh në Shqipëri është konsoliduar parimi juridik se pasuritë e vëna gjatë regjimit martesor, i takojnë në mënyrë të barabartë burrit dhe gruas e për rrjedhojë, duke qenë se vajza e ish-kryeministrit ka përfituar nga skema e dyshuar korruptive, atëhere një familjar i Berishës ka përfituar falë vendimeve të ndërmarra nga Berisha.

Berisha preku këtë element të akuzës në një konferencë për shtyp të hënën.

“Këta përdhosës të ligjit, për të akuzuar vajzën time për llogari të Edi Ramës, nuk i referohen ligjit të ILDKP, por ligjit të bashkësisë familjare, por edhe atë e interpretojnë sipas oreksit të Edi Ramës. Sepse edhe ai ligj e përjashton”, deklaroi ai.

“Ai ligj thotë se të gjitha janë bashkë, përveç pasurisë që vjen dhe fitohet nga trashëgimia. Argita Malltezi nuk ka asnjë qindarkë nga trashëgimia e bashkëshortit. Trashëgimia e bashkëshortit ka qenë Begeja, gjyshja e tij,” shtoi Berisha.

Exit mobile version