Grupi i kontrollit të UEFA-s për substancat e ndaluara mësyu në rezidencën ku është grumbulluar Kombëtarja shqiptare në Bad Waltersdorf të Austrisë. Menjëherë pas zgjimit, dhjetë futbollistë kuqezi iu nënshtruan kontrolleve. Tetë prej tyre, Cikalleshi, Berisha, Lenjani, Hysaj, Cana, Gjimshiti, Memushaj e Abrashi ishin në listën kryesore të përcaktuar nga UEFA. Kontrolle ishin parashikuar edhe për Ansi Agollin dhe Burim Kukelin, të cilët ende nuk i janë bashkuar skuadrës kuqezi në grumbullim.
Kjo bëri që dy lojtarët të zëvendësoheshin me emrat e kuqezinjve në listën rezervë, me Migjen Bashën dhe Andi Lilën që iu nënshtruan testeve. Lojtarët u shoqëruan nga pjesëtarët e Anti-Dopingut në tualet për provën e urinës dhe në një dhomë të posaçme për testin e gjakut.
Edhe pse lojtarët i pritën me humor kontrollet Anti-Doping, e njëjta gjë nuk mund të thuhet për trajnerin Gianni De Biasi. Vizita e befasishme nga grupi i UEFA-s bëri që stërvitja e paradites në ditën e tretë të niste me 15 minuta vonesë. “Pasi mbaruan procedurat, lojtarët dolën në stërvitje. UEFA gjithmonë zhvillon teste të befasishme, që sipas stafit mjekësor do të vazhdojë deri në startin e Kampionatit Europian”, tha ai. Kontrollet surprizë shkaktuan anomali në përgatitjet e parashikuara në programin e stërvitor, ndërsa prej këtij episodi edhe vetë trajneri De Biasi u paraqit me vonesë në fushat stërvitore.
Përgatitjet e skuadrës vazhduan të cunguara, me dy kuqezinjtë, Sokol Cikalleshi dhe Andi Lila që munguan në gjysmën e parë të stërvitjes, pasi u vonuan nga Anti-Dopingu. Ky ishte kontrolli i dytë i befasishëm i UEFA-s për Kombëtaren, pas atij të muajit mars në Austri për miqësoret me Austrinë dhe Luksemburgun. Edhe në atë rast, kontrolleve anti-doping iu nënshtruan 10 futbollistë kuqezi.