Kontrolli i AMA-s dhe RTSH-së nga qeveria, PD: Vjedhja e pushtetit po çon në kapjen totale të institucioneve të medias

• Kontrolli i AMA-s dhe RTSH-së nga qeveria, liria e medias në rrezik. PD: Vjedhja e pushtetit po çon në kapjen totale të institucioneve të medias. Shqipëria rrezikon skenarin e Bjellorusisë për gazetarët.

DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, ALBANA VOKSHI

Vjedhja e mandateve përmes blerjes së votave në të gjithë Shqipërinë po sjell kapjen totale të shtetit në çdo qelizë të saj nga aleanca kriminale Rama-Doshi.

Autoriteti i Medias Audiovizive, një institucion i pavarur sipas ligjit, po merret nën kontroll nga qeveria.

Në ditët e fundit të mandatit, parlamenti ilegjitim, ka vendosur të hapë të ashtuquajturën garë për emërimin e militantëve partiakë, që nuk i shërbejnë interesit publik, por vetëm pushtetit të vjedhur të Edi Ramës. Garë nuk do të ketë edhe për faktin se në shkelje të ligjit, nga 30 ditë për paraqitjen e aplikimeve, lihen në dispozicion vetëm 20 ditë për aplikimet për kryetar , duke treguar qartë për një vendim të paracaktuar.

Vendimi për të emëruar anëtarët e AMA-s nga një parlament monopartiak është i paligjshëm, shkon kundër rekomandimit të Komisionit të Venecias dhe përkeqëson imazhin e Shqipërisë si një vend jodemokratik, ku liria e medias është në rrezik.

Disa muaj më parë, Komisioni i Venecias rekomandoi në mënyrë të qartë se “përbërja e Autoritetit të Mbikqyrjes Audiovizive apo Komisionit të Ankesave duhet të sigurojë autonominë e tyre nga kontrolli i qeverisë dhe i korporatave.

Ky rekomandim po shkelet hapur nga qeveria antidemokratike e Edi Ramës, duke shkuar drejt kapjes totale të të gjithë institucioneve që kanë lidhje me median për t’I mbyllur gojën kujtdo që denoncon vjedhjen e zgjedhjeve, vjedhjen me tenderat, bashkëpunimin e qeverisë së Edi Ramës me krimin e organizuar.

Autoritetin e Komunikimeve Elektronike, AKEP, Rama e kontrollon plotësisht përmes emërimit të shefit të protokollit.

Këshillin Drejtues të Televizionit Publik Shqiptar, Rama e kontrollon plotësisht prej disa javësh. Me një vendim antiligjor, për herë të parë në 30 vjet, anëtarët e tij i përkasin të gjithë partisë në pushtet. Transmetuesi publik, që paguhet nga taksat e shqiptarëve, është shndërruar në transmetuesin e partisë shtet dhe njësoj si në diktaturë, do t’i shërbejë një njeriu të vetëm.

Partia Demokratike kërkon të ndalojë menjëherë ky skenar antidemokratik i parlamentit monopartiak. Kontrolli i plotë nga qeveria i institucioneve të medias që duhet të jenë të pavarura, dëmton lirinë e medias, ushtron presion politik mbi televizionet dhe shantazhon gazetarët.

Nëse skenari i kontrollit nga qeveria të Autoritetit Mbikqyrës Audioviziv dhe të çdo institucioni të pavarur që lidhet me mediat, avancon, nuk do të jetë e largët dita kur Edi Rama, njësoj si Llukashenko i Bjellorusisë, të burgosë gazetarët që nuk i kontrollon dot.

Exit mobile version