Gjykata Kushtetuese vendosi dje të miratojë kërkesën e parë të PD-së, pezullimin e ligjit të vetting-ut. Për të mësuar më shumë rreth asaj që ndodhi pas pezullimit të këtij ligji, pjesë e Reformës në Drejtësi deputeti Bylykbashi, i cili ka paraqitur edhe kërkesën në Kushtetuese në emër të PD-së, tha se “ky ligj për momentin nuk mund të zbatohet deri në një vendim përfundimtar”. Ai sqaron se, jurisprudenca e mëhershme e Gjykatës Kushtetuese, ka interpretuar se një vendim pezullimi merret kur Gjykata konstaton paraprakisht elemente antikushtetutshmërie në ligj, dhe pasojat e ligjit do të ishin të pariparueshme”. Sipas tij, me pezullimin e këtij ligji nuk mund të zbatohen edhe disa ligje të tjera, pjesë e paketës së Reformës në Drejtësi.
“Nëse ky ligj do të zbatohej do të kishte pasoja të pakthyeshme”, tha z.Bylykbashi. Bylykbashi bëri përgjegjëse mazhorancën për vonesën e zbatimit të Reformës në Drejtësi përfshirë vetting-un, sepse ajo me arrogancën e saj prej 84 kartonash shkeli me ligj marrëveshjen kushtetuese për vetting-un që u miratua me 140 vota në Parlament dhe pezullimi i sotshëm është pasojë e drejtpërdrejtë e kësaj shkeljeje të Kushtetutës.
“Largimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar duhet të bëhet vetëm sipas standardit kushtetues dhe jo atij të Kryeministrit Rama që me vetting-un kërkon kapjen e drejtësisë”, shtoi Bylykbashi. Ky është ndër rastet e rralla, kur gjykata është shprehur për pezullimin e një ligji dhe jep një sinjal shumë të fortë, shtoi ai.
Por çfarë do të ndodhë më tej? Ky proces në Gjykatën Kushtetuese pritet të zgjasë disa muaj të tjerë. Bylykbashi tha se Kushtetuesja, me kërkesë të PD-së, do ta dërgojë ligjin për mendim në Komisionin e Venecias. Kjo, pasi Venecia nuk e ka shqyrtuar asnjëherë ligjin në formë finale, por ka parë vetëm një draft të amendimeve kushtetuese që i është dërguar në janar 2016 dhe një opinion mbi ligjin nga Komisioni, i cili e konsideron në parim të jashtëzakonshëm dhe problematik një proces vettingu, është kyç.
Dorëheqja e Berberit të Ramës
Gjykata Kushtetuese pezulloi ligjin e “vettingut” ku u bë e ditur se një prej anëtarëve të kësaj trupe, Sokol Berberi ka dhënë dorëheqjen. Letra e dorëheqjes nga gjyqtari Berberi është depozituar në 15 shtator pranë Gjykatës Kushtetuese dhe pasi është pranuar unanimisht në seancë iu është vënë në dispozicion edhe Presidentit të Republikës dhe Parlamentit.
Por burime zyrtare pranë Gjykatës saktësojnë, se në fakt Berberit i kishte mbaruar mandati si anëtar i kësaj trupe qysh në muajin prill 2016. Në respekt të Kushtetutës dhe ligjit që përcakton se gjyqtari që i ka mbaruar mandati duhet të qëndrojë në detyrë deri në zgjedhjen e anëtarit zëvendësues, Berberi qëndroi 6 muaj si pjesë e kësaj gjykate deri ditën që vendosi të dorëhiqej.
“BalkanWeb” ka mundur të mësojë një pjesë të tekstit të dorëheqjes që Sokol Berberi ka depozituar pranë Gjykatës Kushtetuese ku ndër të tjera sqaron se: “Në zbatim të Kushtetutës, duke konstatuar mungesë vullneti nga ana e institucioneve qëndrore për të zgjedhur anëtarin zëvendësues, vendosa të jap dorëheqjen. Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë më jep një afat të arsyeshëm për të qëndruar në detyrë pas përfundimit të mandatit. Në opinionin tim ky afat ka përfunduar për aq kohë sa nuk shoh vullnet nga institucionet e ngarkuara për përzgjedhjen e anëtarit zëvendësues, ndaj dhe vendosa të dorëhiqem”, mësohet të ketë qenë në thelb teksti i largimit që Berberi ka depozituar pranë Gjykatës Kushtetuese.
Të njëjtat burime zyrtare pranë këtij institucioni bëjnë gjithashtu me dije se edhe një tjetër anëtar i kësaj Gjykate, Vladimir Kristo prej muajit prill 2016 i ka mbaruar mandati. Por ai vijon të qëndrojë në detyrë me një argument krejt ndryshe nga Berberi. Konkretisht, Vladimir Kristo refuzon të japë dorëheqjen, pasi sipas tij “Kushtetuta më detyron të qëndroj në detyrë derisa të emërohet anëtari zëvendësues”.
Aktualisht, Gjykata Kushtetuese nga 9 anëtarë po funksionon me 8, për shkak të dorëheqjes së Sokol Berberit. Ky fakt e ka futur në ngërç institucional, jo vetëm për faktin se Kushtetuta përcakton që trupa gjykuese përbëhen nga 9 anëtarë, por edhe për faktin se pikërisht numri tek (9) i gjykatësve është përcaktuar për të shmangur pikërisht ndarjen e barabartë të votave gjatë vendimmarrjes. Konkretisht nëse për një çështje të caktuar Gjykata Kushtetuese, që aktualisht ka 8 anëtarë, do të ndahen në votim 4 me 4, atëhere kjo do të rrezikojë.
SHBA dhe BE respektojnë Kushtetuesen
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian respektojnë autoritetin e Gjykatës Kushtetuese për të shqyrtuar Ligjin e Vetingut dhe pezulluar zbatimin e tij.
Gjykata Kushtetuese ka thënë se do t’ia referojë ligjin Komisionit të Venecias. Nxisim që ky referim të ndodhë sa më shpejt që të jetë e mundur për të parandaluar vonesa.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian mbeten të përkushtuar ndaj zbatimit të plotë të reformës së gjyqësorit.
Pezullimi i ligjit të Vettingut ndalon përkohësisht procesin e Reformës në Drejtësi, pasi është një nga ligjet më të rëndësishëm të kësaj reforme, pasi lidhet drejtpërsëdrejti me ngritjen e institucionit të SPAK, që do të hetojë gjyqtarët dhe prokurorët.
Partia Demokratike kishte ankimuar 3 javë më parë në Gjykatën Kushtetuese ligjin e Vettingut që ishte votuar në Parlament vetëm nga mazhoranca.