Kontrolli i ushqimeve merret në dorë nga biznesmeni i lidhur me Taulant Ballën e Tom Doshin

Kompania “Noval Laboratory”, e cila, me firmë të Ministrit të Bujqësisë, Bledi Çuçi, pritet të ushtrojë kontrollin e cilësisë ushqimore, ka lidhje indirekte me vëllain e Taulant Ballës, George, me deputetin e maxhorancës së majtë, Tom Doshi, si edhe me ish-prefektin socialist të Shkodrës, Paulin Radovani.

“Boldnews.al” ka publikuar më parë një artikull të postuar fillimisht nga “alertnews”, në të cilin gjendej i plotë Urdhëri i Çuçit, në bazë të të cilit autorizohet kompania “Noval Laboratory” që të kryejë analizat e mostrave të ushqimeve të marra gjatë kontrolleve të inspektorëve të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU).

Në urdhërin e Çuçit jepen edhe argumentat se përse ai vendosi që kompetencën për kontrollin ushqimor t’ia heqë institucionit shtetëror, AKU, dhe t’ia kalojë një kompanie private, duke përmendur faktin se laboratorët e “Noval” janë certifikuar nga autoritete ndërkombëtare.

“Boldnews.al” kreu disa verifikime mbi “Noval Laboratory”. Kompania është krijuar në Korrik të vitit 2018 me ortak të vetëm Petrit Maho. Biznesmeni Maho rezulton të jetë pronar dhe aksioner kryesor edhe në disa kompani të tjera, kryesisht në fushën e farmaceutikës dhe kozmetikës.

Transaksionet me Radovanin e Shkodrës
Petrit Maho ka nisur aktivitetin privat rreth 20 vjet më parë. Në vitin 1996 ai krijon kompaninë “Jona” shpk, me objekt prodhimet farmaceutike. Në vitin 2004, Maho i ndryshon emrin kompanisë, duke e quajtur “Intermed”.

Maho, në vitin 2013, krijon raporte biznesi me Paulin Radovanin, i cili, në Tetor të atij viti, emërohet Prefekt i Qarkut të Shkodrës, me firmë të kryeministrit Edi Rama.

Radovani ishte aksioneri kryesor i “Radofarma depo veterinare”, e krijuar në vitin 2011, e cila më pas u emërtua “Medica-Vet”. Kjo kompani ka si aktivitet të saj tregtinë e barnave për kafshët.

Paulin Radovani, në vitin 2005 zgjeron aktivitetin e tij, duke qenë aksioneri kryesor i shoqërisë “Noval”, së bashku me tre ortakë të tjerë, dy prej të cilëve shtetas italianë.

Në vitin 2013, kur Radovani po përgatitej të merrte postin e prefektit të Qarkut Shkodër, ai vendos të shesë kompanitë e tij. Blerësi ishte i njëjti-Petri Maho i kompanisë “Intermed”.

Në bazë të transaksioneve të kryera, Prifti blen 25 përqind të aksioneve, me vlerë 25.000 lekë, ndërsa Doshi blen 35% të aksioneve, me vlerë 35.000 lekë.

Në Shkurt 2015, Dritan Prifti vendos të shesë aksionet e tij në “Beata”. Tom Doshi i blen Priftit 5% të aksioneve, me vlerë 5 mijë lekë. Pjesën e mbetur të aksioneve të Priftit, e blen një tjetër kompani private, “Premiere Services”.

Rreth një muaj pas largimit të Priftit, nga “Beata” largohet edhe Tom Doshi, zotërues i 40% të aksioneve, të cilat i kishte blerë në total 40 mijë lekë të reja.

Deputeti Doshi bën një “pazar” shumë të mirë në Mars 2015, kur i shet një kompanie tjetër private aksionet e tij në “Beata”, “Breçani”, në vlerë totale 250 mijë euro.

Vëllai i Taulant Ballës
Në Tetor të vitit 2013, biznesmeni Petrit Maho themelon kompaninë “Pharma Next”, me aktivitet tregtimin me shumicë dhe pakicë të artikujve farmaceutikë dhe kozmetikë.

Në qershor të vitit 2014, Maho i shet 10% të aksioneve të tij George Ballës, vëllait të kryetarit të grupit parlamentar, Taulant Balla. Vlera e këtij transaksioni është fare minimale, ndoshta për shkak se edhe kompania sapo kishte filluar aktivitetin.

George Balla bëhet ortak në “Pharma Next” për vetëm 60 lekë të reja.

Gjithësesi, ky aktivitet privat nuk ka rezultuar i suksesshëm, pasi aktualisht “Pharma Next” është një shoqëri në likujdim e sipër.

/Boldnews.al

1a

Exit mobile version