Kontrolloni paratë në Banka nga Jaku i Ramës

Redin HAFIZI

Një rast flagrant i grabitjes së qytetarëve nga njerëz të veshur me pushtet dhe mbështetje politike është denoncuar më në fund edhe nga emisioni investigativ “Stop”. I akuzuari kryesor në këtë grabitje është ish-drejtori i filialit të Lezhës për “Tirana Bank”, Altin Jaku, ish-prefekt i komanduar në Lezhë dhe sot sekretar i Përgjithshëm i Prefekturës së këtij qarku. Pas katër vjetësh hetime më në fund qytetari është detyruar që ta bëj publik këtë skandal shtetëror. Një qytetar shqiptar ka vite që kërkon të drejtën, por pa sukses. Altin Barutit i janë zhdukur nga llogaria 150 milionë lekë në një prej filialeve të “Tirana Bank”. Të ndodhur në një situatë qeverisëse, ku skandali është kthyer në normalitet, problemi i këtij qytetari është zvarritur deri në limitet e durimit.
Rasti i grabitjes së 150 milionëve të kursyera nga emigranti shqiptar, të cilit iu deshën 22 vjet që të mblidhte ato para, por që iu deshën vetëm 22 minuta Altin Jakut që t’i grabiste është skandali i radhës së qeveritarëve, por gjithashtu edhe një histori e dhimbshme. Ky i fundit e ka treguar se ka mbrojtjen e politikës, pasi edhe pse e ka pranuar krimin dhe është nën hetim, ka arritur që të vazhdojë karrierën e tij nëpër zyrat e shtetit. Ky zyrtar është paguar nga taksapaguesit shqiptarë edhe pse grabit kursimet e tyre. Nga taksat e shqiptarëve paguhen edhe Erion Veliaj, kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe ministrja e Arsimit Lindita Nikolla, të cilët kanë pozuar me këtë individ.

Si i grabiti prefekti 150 milionë lekët qytetarit?

Faktet janë të pakundërshtueshme. Në datën 9 dhjetor 2013 janë bërë dy transferta bankare, njëra 20 mijë euro dhe tjetra 45 mijë euro. Sipas tij, këto shuma kanë kaluar tek një kambist në Noel Sh.p.k. Gjithashtu ka patur edhe dy transferta të tjera ku kanë kaluar 41 milionë lekë dhe 11 mijë euro nga llogaria e Altin Barutit në llogarinë e Inida Kruja, që është e fejuara e Altin Jakut. Por nga dëshmi të ish-punonjësve të bankës mësohet se rasti i 150 milionshit nuk është i vetmi. Nga këto del se Altin Jaku, gjithashtu i ka vjedhur një mikut të tij 100 milionë lekë dhe në llogaritë e depozituesve shpesh qëllonte që të zhdukeshin 5 mijë eurosha. Edhe pse ka katër vjet që çështja është nën hetim, Jaku ka mbajtur poste të rëndësishëm në administratën shtetërore. Përkohësisht, ai ka mbajtur pozicionin e Prefektit të Lezhës, i komanduar nga PS dhe aktualisht ai është sekretar i Përgjithshëm i kësaj prefekture. Ai ka arritur që të mbajë këto poste edhe pse ka qenë nën hetim, pasi Jaku njihet për lidhjet e ngushta që ka me eksponentë të PS dhe sidomos me kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj dhe ministren aktuale të Arsimit, Lindita Nikolla.
Nga ana tjetër i dëmtuari Altin Baruti, që ka humbur të gjitha kursimet, ka që në vitin 2013 që sorrollatet nëpër dyert e drejtësisë, por pa sukses. Miqtë e Jakut janë më të fuqishëm në Shqipëri se sa drejtësia.
Pas 22 vjetësh emigracion në Greqi, Altin Baruti kthehet në atdhe së bashku me familjen dhe paratë e kursyera. Në vitin 2013, ai i ka depozituar këto kursime në një llogari në “Tirana Bank”. Drejtor i filialit të Lezhës në atë kohë ka qenë Altin Jaku. Shuma e depozituar ka qenë 150 milionë lekë. Më pas, për shkak të rrethanave ai kërkon që të tërheqë shumën e depozituar, por ai mëson se llogaria e tij është boshatisur. Altin Jaku, përmes falsifikimit të firmave ka shpërndarë paratë e Altin Barutit në disa llogari të tjera, ku njëra prej tyre rezulton të jetë llogaria e të fejuarës së tij, Inida Kruja.
Pasi nuk mundi të tërhiqte shumën, Baruti mori takim me drejtorin e filialit dhe kur nuk gjeti zgjidhje iu drejtua drejtësisë. Kanë kaluar katër vjet dhe ai nuk e ka zgjidhur problemin, ndërkohë që Jaku vazhdon punë në zyrat e shtetit në sajë të miqësisë së ngushtë.
Ka qenë emisioni “Stop” që ka sjellë këtë denoncim të qytetarit, pasi ka qenë ky i fundit që, pasi nuk ka parë zgjidhje në rrugë institucionale, i është drejtuar këtij emisioni investigativ. Ka qenë Altin Baruti që ka treguar rreth jetës së tij me probleme jo vetëm si emigrant, por edhe si prind i një fëmije me probleme të dëgjimit dhe që nuk fliste. Në Greqi, ai ka qenë i detyruar që të përballojë operacionin e djalit të madh. Pas operacionit, ka ndenjur edhe pak kohë në Greqi e më pas ka vendosur të kthehet në Shqipëri, duke u vendosur në qytetin e Lezhës, pasi atje ishte një shkollë për fëmijët me probleme si djali i tij. Sipas Barutit, shkolla ishte e pajisur me logopedist, që bënte të mundur rehabilitimin e fëmijës. Por këtu nis edhe kalvari i tij.

Pas fitores së PS nisi edhe grabitja

Altin Jaku nisi planin e grabitjes përmes premtimeve për interesa më të larta.
Në momentin që Baruti kërkoi të tërhiqte shumën, atëherë doli edhe skandali. Këtu nisi edhe ecejakja e tij nëpër zyra dhe sorrollatja nga ana e zyrtarëve. Më pas, ai mësoi se përmes falsifikimit të firmës, paratë e tij kishin kaluar në të tjera llogari bankare. Sipas Barutit, në datën 9 dhjetor 2013 janë bërë dy transferta bankare, njëra 20 mijë euro dhe tjetra 45 mijë euro. Sipas tij, këto shuma kanë kaluar tek një kambist në Noel Sh.p.k. Gjithashtu ka patur edhe dy transferta të tjera, ku kanë kaluar 41 milionë lekë dhe 11 mijë euro nga llogaria e Altin Barutit në llogarinë e Inida Kruja, që është e fejuara e Altin Jakut. Por nga dëshmi të ish-punonjësve të bankës mësohet se, rasti i 150 milionshit nuk është i vetmi. Nga këto del se Altin Jaku gjithashtu i ka vjedhur një mikut të tij 100 milionë lekë dhe në llogaritë e depozituesve shpesh qëllonte që të zhdukeshin 5 mijë eurosha.
Më në fund, vetë banka në zyrat qëndrore ngre një padi ndaj Jakut, por këtu problemi komplikohet edhe më shumë. Edhe pse Jaku e ka pranuar krimin, ndërhyrjet e miqve të Jakut në PS bënë që dosja të mbetet në sirtarë. Jaku kërkon ndihmën e radhës për të lidhur akt-marrëveshje që të njohë borxhin. Jo vetëm kaq, por për ta larguar nga banka, Jaku u komandua si Prefekt i Lezhës dhe më pas si sekretar i Përgjithshëm i Prefekturës ku qëndroi deri në momentin e shkarkimit ditën e djeshme.

Si i’u boshatis llogaria, nuk është rasti i vetëm

-Çfarë shkolle është kjo?
Është shkollë jo publike, e cila ka logopedist brenda, që bën të mundur rehabilitimin e fëmijës. Kur vendosa të depozitoj lekët në bankë, kam pyetur në shumë banka dhe vetëm tek “Tirana Bank” gjeta përqindjet më të larta dhe kjo ishte arsyeja që këto lekë i tërhoqa në tre këste dhe i çova tek kjo bankë. Pas një ore më bie telefoni dhe më thotë: “Jam Altin Jaku, drejtor i “Tirana Bank”. Shkoj në bankë me bashkëshorten, konsultohem me ish–drejtorin dhe më thotë që do të flas me qendrën, që të ofrojmë përqindje më të larta. M’u dha një përqindje e konsiderueshme dhe firmosa edhe kontratën”.
Prej gati dy vitesh, Altini pretendonte se shuma prej 150 milionë lekësh të vjetra ishin në bankë, por në fakt ishte krejt e kundërta.
“Ish – drejtori i bankës më merr në telefon dhe më thotë, që më duhen 20 mijë euro. U habita me thënë të drejtën, por meqenëse më kishte premtuar shumë gjëra dhe i them që të ndihmoj duhet të prish kontratën nga banka dhe t’i jap me qejf, se më ke thënë shok e të kam thënë shok. Jo më thotë, në bankë je në rregull, mos e prish përqindjen e lekëve. Ai më kërkoi që t’i gjeja në njerëz, pasi për 15 ditë i duheshin ato para. I mora lekë xhaxhait dhe kaluan shumë muaj dhe ai nuk po m’i kthente lekët. U detyrova të shkoja në bankë, që të tërhiqja lekët e mia dhe t’ia jepja xhaxhait. Shkoj në bankë, interesohem të prish kontratën. Në atë moment, punonjësit e bankës më thonë që ti nuk ke lekë këtu në bankë. I thashë po talleni me mua?!”
Pas skandalit që ndodhi në filialin e “Tirana Bank” në qytetin e Lezhës, vetë zoti Baruti kontaktohet nga presidenti i “Tirana Bank”, shtetasi grek, i cili kërkon një takim me të.
“Drejtori i madh më ka thënë, a je i gatshëm të bësh një denoncim, siç e bëre paradite? Po i kam thënë. Bëra denoncimin përsëri dhe të nesërmen në orën 11:30 më ka telefonuar sërish drejtori i Shkodrës dhe më ka thënë që ndodhem në Shëngjin me grekun, me drejtorin e madh. Më thotë mund të bëni një ballafaqim me të? I’u them, po! U takova me grekun, i kam treguar gjërat siç ndodhën dhe më thotë ai, që për 10 ditë do t’i kesh lekët në bankë”.
Vetë banka i bën një kallëzim penal ish–drejtorit të filialit të “Tirana Bank” në qytetin e Lezhës, Altin Jaku, pranë Prokurorisë së këtij rrethi. Pas kallëzimit, çëshja iu dorëzuar prokurorit Bardhok Lleshi. Sapo ky rast mbërriti në Prokurori, çëshjta u ndërlikua.
Në Prokurori kam vajtur mbi 500 herë të pyes se çfarë bëhet me çështjen time dhe figuron që këto transferta që ka bërë Altin Jaku, del sikur i kam bërë unë.
-Çfarë thonë këto transferta, janë katër të tilla?
Në datën 9 dhjetor të 2013, unë kam marrë mandatin që kam këto lekë në bankë dhe para datës 9 dhjetor janë bërë dy transferta, ku njëra është 20 mijë euro dhe tjetra 45 mijë euro.
-Tek kush kanë kaluar, pra nga emri yt tek kush?
Kanë kaluar nga emri im tek një kambist Noel Sh.p.k. Ndërsa dy tranfertat e tjera kanë kaluar nga emri im tek Inida Kruja, me shumë 41 milionë lekë dhe 11 mijë euro, po tek i njëjti person, që rezulton si e fejuara e Altin Jakut.

Nëpërmjet një kamere të fshehtë realizuar me ish-punjonjësin e bankës del se si rasti i Altin Barutit, ka edhe të tjera raste. Madje punonjësit e këtij filiali, habiteshin me jetën e luksit që bënte Altin Jaku.

Ish-punonjësi – Duke ditë sesi i ka marrë ato lekë, që të flasim kështu dhe me i shpenzuar një person tjetër dhe mos t’i gëzojë Altin Baruti, se Altin e ka dhe ky tjetri, mos t’i gëzojë, t’i harxhojë dikush për budallallëqet e veta, se realisht nuk e di, ku i ka çuar.
Të thotë Arditi diçka, nuk ka shans me ia fut, sepse unë Altin Barutit i kam hapur llogari. Po të shkosh te banka, të kontrollosh dosjen, aty ke firmën time, që kur ka ardhur klienti aty, i kam hapur llogarinë, më ka kërkuar depozitë 70 mijë euro. Mua në Prokurori më thanë një vlerë tjetër.

Qytetari – 150 milionë lekë fiks, 150 milionë lekë.

Ish-punonjësi – Ky i ka marrë ato lekë për të financuar, ka harxhuar budallallëqe të tjera, me shëtitje me të dashurën e vet, domethënë pafund. Sa të gjithë habiteshim si ka mundësi, që i del një personi me 1 milion e gjysmë rrogë, i del të shkojë jo në Francë, jo në Itali, jo andej, jo këtej xhiro, kjo ishte habi për ne.

Qytetari – Me një fjalë, problemi qëndron vetëm te drejtori i bankës, Altini.

Ish-punonjësi – Ai i ka marrë lekët. I ka marrë atij, e i ka marrë një mikut vet që e di unë, që jam takuar rastësish me të. I ka marrë 100 milionë lekë, shokëve të mi, që ju ka marrë 5 mijë eurosha ka pafund. E ke parasysh, se kur ka plas e para kanë dalë të tjerat, ai ka pafund me njerëz individë, me individë ka pafund.

Në fund realizohet një bisedë me vetë Altin Jakun, i cili e pranon se këto para i ka marrë vetë ai.

Qytetari – Si je?

Altini – Si kalove?

Qytetari – Për kafe je?

Altini – Po.

Qytetari – Hajde ta pimë një kafe.

Qytetari – A ka një ballafaqim në Prokurori, apo çfarë mund të bëhet?

Altini – Po, o burrë, na kanë thirrë tash dy, ballafaqimin e bën, se Altini e ka kërkuar një gjë të tillë, të paktën çfarë më ka thënë mua oficerja gjyqësore është se ka kërkuar Altini ballafaqim.

Altini – Nuk ka përfitim, që unë me u fut brenda, me shku si thotë ky, me shku me pranu diçka, që të dënon 10 vjet.

Altini – A mendon, që ia vlen me shku, me u ba marrëveshja? Sinqerisht ta them, nëqoftëse mendon, që ia vlen, se nuk ke çfarë, përveçse të betohem, na hap rrugë me ba marrëveshje. Se direkt sa të bëhet marrëveshja, shkoj e i them zonjë e mirë, ja ku ke një marrëveshje, që kemi bërë me njëri–tjetrin, shkoj e ia paraqes oficeres gjyqësore.

Altini – A ia kam mohuar në ndonjë moment këtë, duhet të kuptojë ky që unë asnjëherë nuk i kam thënë, që nuk t’i kam ato lekë kurrë, që këtu kuptoje, që unë kam thënë gjithmonë dhe ta deklaroj aty, që të kam kaq lekë.

Altin Baruti – Frika ime ishte, që unë nuk t’i kam dhënë lekët në dorë dhe të pranoj atë gjë.

Altin – Jo prit, ka bërë padi banka që Altini i ka marrë Altinit tjetër kaq lekë dhe të thërrasin, a t’i ka marrë o zotëri, apo ke bërë marrëveshje me të, sepse ai do të sqarojë situatën, çfarë të bëj me Altinin, ta dënoj apo mos ta dënoj.

Exit mobile version