Rezultati tronditës i zgjedhjeve do ta ndryshojë vendin – përfundimisht për mirë – shkruan “The Economist” në analizën kryesore të kopertinës së javës
Elektorati më i madh në botë sapo ka treguar se si demokracia mund të qortojë elitat politike të paprekura, të kufizojë përqendrimin e pushtetit dhe të ndryshojë fatin e një vendi. Pas një dekade në detyrë, Narendra Modi pritej të arrinte një fitore bindëse në zgjedhjet e këtij viti; megjithatë më 4 qershor u bë e qartë se partia e tij kishte humbur shumicën e saj parlamentare, duke e detyruar atë të qeverisë përmes një koalicioni.
Rezultati e prish pjesërisht projektin Modi për të rinovuar Indinë. Gjithashtu rezultati i fundit do ta bëjë politikën më të rrëmujshme, e cila ka tronditur tregjet financiare. E megjithatë premton të ndryshojë Indinë për më mirë. Ky rezultat ul rrezikun e rrëshqitjes së vendit drejt autokracisë, por e forcon demokracinë indiane dhe, nëse zoti Modi është i gatshëm të përshtatet, hap një rrugë të re drejt reformave që mund të mbështesin zhvillimin e tij të shpejtë.
Drama që shpaloset mes një vale përvëluese nis me rezultatet e zgjedhjeve. Partia Bharatiya Janata (bjp) e z. Modi synoi të merrte deri në 370 vende në dhomën e ulët e përbërë prej 543 anëtarësh, një shumicë edhe më e madhe se në 2014 ose 2019.
Në vend të kësaj, partia e tij fitoi vetëm 240 vende. Ajo humbi vende ndaj partive rajonale në qendrat e saj në Uttar Pradesh dhe më gjerë, duke reflektuar një ringjallje të politikës së bazuar në kastë dhe, me sa duket, shqetësimi vjen për mungesën e vendeve të punës. Ndërsa partnerët e tij të koalicionit ishin më parë shtesa opsionale, ai tani do të mbështetet tek ata për të qëndruar në pushtet. Besnikëria e tyre nuk është më e garantuar – thuhet në përmbledhjen e analizës kryesore të javës nga The Economist.