Kryetari i Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, ka ngritur shqetësimin se 50% e shqiptarëve rrezikojnë varfërinë, ndërsa qeveria shpërdoron fonde publike.
Me anë të një postimi më facebook, ai shprehet se kryeministri i vendit më të varfër në Europë shpenzon 5 milionë euro për kopshtin e tij privat. Sipas tij, këto janë prioritetet e gabuara të një qeverie që punon vetëm për veten dhe yzmeqarët e saj të biznesit dhe politikës.
Basha më tej thotë se oferta e Demokratëve Euroatlantikë, reflekton problemet e të gjitha shtresave shoqërore dhe u jep frymëmarrje sipërmarrësve, ul taksat, tërheq investime të huaja dhe krijon më shumë mirëqenie për familjet shqiptare.
Postimi i plotë i Bashës:
50% e shqiptarëve në rrezik varfërie
Gjysma e popullsisë shqiptare lufton çdo ditë për mbijetesë. Mijëra familje nuk kanë para për ushqime, ngrohje apo ilaçe, ndërsa çmimet rriten dhe ndihma mungon.
Por ndërkohë, kryeministri i vendit më të varfër në Europë shpenzon 5 milionë euro për kopshtin e tij privat.
Këto janë prioritetet e gabuara të një qeverie të shkëputur nga problemet e shqiptarëve, e cila punon vetëm për veten dhe yzmeqarët e saj të biznesit dhe politikës.
Shqipëria meriton më shumë, prandaj 11 maji është dita për të dëshmuar me votë se shqiptarët nuk janë dele në vathën private të Edi Ramës, që përdor taksat, pronat dhe burimet e jashtëzakoshme të vendit në funksion të pushtetit të tij.
Në këto zgjedhje, ne vijmë te ju me ofertën më të mirë programore, e cila reflekton problemet e të gjitha shtresave shoqërore dhe u jep përgjigje sfidave me të cilat përballeni çdo ditë.
Programi i Demokratëve Euroatlantikë i jep frymëmarrje sipërmarrësve, ul taksat, tërheq investime të huaja dhe krijon më shumë mirëqenie për familjet shqiptare. Me uljen e barrës tatimore sipërmarrësit mund të investojnë më shumë, duke krijuar mundësi të jashtëzakonshme punësimi, paga më të mira, konsum më të lartë, subvencionim të drejtëpërdrejtë familjeve të reja dhe mbështetjen e merituar atyre në nevojë.
Shqipëria do të bëhet një vend më i mirë, me më shumë mundësi dhe mirëqenie për të gjithë, vetëm kur qytetarët të votojnë me vetëdije, duke u fokusuar te programet dhe politikat që mbrojnë interesat e tyre dhe jo duke i dhënë besimin e verbër një pushteti, që kishte çdo gjë në dorë për 12 vite, dhe u kujdes për të kultivuar kopshtin e vogël të interesave korruptive, që ka lënë në harresë shumicën dërrmuese të familjeve shqiptare.
Shqipëria meriton më shumë