Para 30 vjetësh Gorbaçovi dhe Reagani ranë dakord që të asgjësojnë raketat me rreze të mesme veprimi. Një ngjarje historike, që mund të shërbejë si shembull për t’iu kundërvënë shqetësimeve aktuale.
Në fund të viteve ‘70-të e në fillim të viteve ‘80-të bëhej fjalë për “ekuilibrin e tmerrit”. Asokohe Bashkimi Sovjetik dhe SHBA-ja zhvillonin një garë të pashembullt në histori armatimesh. Raketat me rreze të mesme veprimi të tipit “SS 20” nga njëra anë dhe “Pershing II” nga ana tjetër, ishin kthyer në metaforat e konfliktit Lindje-Perëndim. Frika nga një luftë bërthamore ishte reale. Në Gjermani u krijua një lëvizje e re për paqen. Protesta e saj ishte në fakt e pasukses, sepse Bundestagu në fund të vitit 1983 vendosi që të dislokohen raketat me rreze të mesme veprimi në territorin e RFGJ-së.
Asokohe askush nuk e imagjinonte si të mundshme, që pak vite më vonë do të mund të arrihej “marrëveshja e parë e çarmatimit pas 1045”. Kështu u shpreh Bernd Greiner, drejtues i Kolegjit të Berlinit për Luftën e Ftohtë, në konferencën mbi Marrëveshjen INF (Intermediate Range Nuclear Forces Treaty) vendosur 30 vjet më parë mes Bashkimit Sovjetik dhe SHBA-së.
Marrëveshja INF ndodhet mbi baza të lëkundura
Parë në retrospektivë shtrohet pyetja, se “si ka qenë e mundur që të ratifikohej një marrëveshje e tillë”. Përgjigje për këtë në sfondin e “aktualitetit të politikës së ditës” mundohen të japin pjesëmarrësit në konferencën e javës së kaluar në Berlin. Shpejt shtrohet në diskutim problemi i Koresë së Veriut dhe vazhdimi i provave me raketat bërthamore që kryen regjimi nën Kim Jong Un. Megjithatë, eksperti Greiner dhe të tjerë pjesëmarrës i referohen vazhdimisht çështjes, se si qe e mundur të vendosej marrëveshja INF para 30 vjetësh.
Rusia si trashëgimtare e Bashkimit Sovjetik duket se sot ka pak interes që ta zgjasë afatin e kësaj marrëveshjeje historike. Arsyeja është: dislokimi i raketave me rreze të mesme veprimi në Kinë, Indi dhe në Pakistan. Edhe nga pala e SHBA-së ka “mendime të ngjashme” për t’u shkëputur nga marrëveshja INF. Në një sfond të tillë, Greiner shpreh shqetësim lidhur me politikën globale të sigurisë, “sepse debati për rrezikimin e marrëveshjes nuk ka arritur në nivelin ku do të duhej të ishte”.
Nevoja për një politikë shtensionimi
Por që bota ndodhet vërtetë para një gare të re armatimi, këtë e vë në pikëpyetje Susanne Baumann. Ajo është zëvendësja e së ngarkuarës së qeverisë për çështjet e çarmatimit dhe kontrollit të armatimeve. Megjithatë disa shtete i kushtojnë një rëndësi krejt të re armëve bërthamore. Korenë e Veriut Baumann e konsideron si “shembullin më të spikatur, se si një shtet përpiqet që të sigurojë vendin e vet në botë përmes zhvillimit të armëve bërthamore”. Ajo thotë, se situata e sigurisë në Europë “ka ndryshuar në masë me aneksimin e Krimesë”.
Armët atomike vitet e fundit kanë fituar peshë në retorikën ruse. Por ekspertja ka dyshim nëse “mund të bëhet fjalë vërtetë për një ‘renukelarizim’. Ndërsa Otfried Nassauer nga Qendra e Informacionit për Sigurinë Transatlantike në Berlin është më skeptik. Ai druan, se mund të ketë një diskutim për armë atomike në Europë. Si dëshmi për këtë, ai përmend programin e SHBA-së për modernizimin e armëve të tilla. Otfried Nassauer i cilëson marrëdhëniet aktuale ruso-amerikane si një “raport klasik i një lufte të ftohtë”. Ai rekomandon si zgjidhje thelbin e idesë së politikës socialdemokrate të shtensionimit që u aplikua në kohën e Luftës së Ftohtë kur Gjermania ishte e ndarë: “Përpara se të kritikojmë tjetrin, duhet të vihemi njëherë vet në pozitën e tij”.
E ardhmja e programit bërthamor
Kur Kim Jong Un para katër vjetësh deklaroi, se programi i tij i raketave do të përfundojë deri në fund tëvitit 2017, askush nuk dëgjonte. “I çmenduri” thuhej asokohe, “i paparashikueshmi”, “njeriu me ngërdheshjen e trashë në fytyrë”. “E kush e di edhe sa kohë do t’i duhet atij të merret me këtë?” Por kur dy vjet më vonë Kim deklaroi, se do të vazhdojë më tej në rrugën drejt një fuqie atomike, e pastaj do të negociojë me SHBA-në për çarmatimin, atë e përqeshën. Ndërsa tani duket se edhe më i humburi e ka kuptuar, që ky njeri e ka seriozisht.
Natyrisht askush nuk e di, se sa precize janë raketat e tij dhe nëse ai tani do të ishte vërtetë në gjendje të asgjësonte Nju Jorkun apo Uashingtonin. Por a duam ne vërtet ta dimë këtë? Kush nuk do të preferenote më mirë ta peshonte me arsye këtë rrezik se sa të hynte në këtë valle? Nëse e mërkura do të hyjë në histori si një ditë historike, këtë ende nuk e dimë. Por ajo i përmbush kriteret për të qenë e tillë: Koreja e Veriut e ka shpallur veten fuqi atomike! E madje me gjithçka përfshin ky status. Kjo nuk nënkupton vetëm një përforcim të kërcënimit, por nënkupton njëkohësisht edhe një ofertë. Sepse kushdo e di, që edhe sikur raketat e Penianit të mund të arrijnë çdo vend në SHBA – ato mund ta bëjnë këtë vetëm një herë. E paskëtaj nuk ekziston më as Peniani e as një Kore e Veriut apo një e Jugut.
Ç’farë ka Kim vërtetë në mendje? Ai do të mbrojë veten. Ai do të qendrojë në pushtet. Ndaj, ai do të negociojë në nivel si i barabartë me SHBA-në. Jo me Korenë e Jugut, për të cilën ai e di, se ky vend të paktën në aspektin ushtarak ecën në linjën e SHBA-së. Ai nuk do të negociojë as me Kinën, e cila luhatet mes interesave të saj ekonomike dhe atyre strategjike. Kim kundër Trump – kjo është loja ku i var shpresat Koreja e Veriut!