Ndër investimet më të mëdha të BE në rajonin e Ballkanit është “Korridori 8”, që shërben si korridor strategjik për NATO-n. Por pavarësisht rëndësisë strategjiko-ekonomike, fqinjët nuk i lënë dot pas mëritë e vjetra.
korridori 8
Kur lë pas Shkupin dhe drejtohesh nga kufiri bullgar – fqinji jo fort i lehtë i Maqedonisë së Veriut – rruga prej rreth dy orësh distancë është thuajse e gjitha një kantier ndërtimi.
Segmenti i fundit rrugor Rankovcë – Kriva Palankë – Deve Bair, i cili lidh Shkupin me Sofjen, është i fundit që po shndërrohet në një autostradë me standardet më të mira europiane. Maqedonia e Veriut është pjesë e trekendëshit ballkanas të Korridorit të VIII, një prej projekteve më ambicioze dhe të rëndësishme strategjike të Bashkimit Europian në rajon, ku përmes Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF) janë investuar rreth 14 milionë euro në formë granti dhe rreth 21 milionë euro në formën e huave, pjesë e Agjendës së Lidhshmërisë prej vitit 2018.
“Korridori 8” është korridori i transportit rrugor dhe hekurudhor që kalon përmes Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, duke lidhur portin e Varnës në Bullgari, nga Deti i Zi, me portin e Durrësit në Adriatik. Ky zinxhir lidhet më pas me Italinë, të vetmin shtet anëtar të BE-së brenda këtij korridori. Ai përfshin porte detare, aeroporte, rreth 960 km rrugë tokësore dhe mbi 1270 km hekurudhë.
Mosmarrëveshjet historike ngadalësojnë investimet
Por rëndësia e projekteve të tilla madhore në Ballkan shoqërohet shpesh me mosmarrëveshje dhe probleme të mbartura nga historia. Ndryshimi i forcës qeverisëse politike në Shkup ka ringjallur debatet mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, të cilat, mes shumë debatesh politike dhe historike, akuzojnë njëra-tjetrën se po pengojnë punimet e këtij korridori.
Pak kohë më parë, qeveria bullgare denoncoi devijimin e fondeve të BE-së nga ana e qeverisë maqedonase, duke e akuzuar atë se po i kalonte fondet tek Korridori 10, korridor që lidh Shkupin me Beogradin dhe Budapestin. Kryeministri i ri maqedonas, nga partia VRMO-DPMNE, Hristijan Mickoski, tha se çështja po politizohej dhe se situata në vetvete ishte thjesht një problem inxhinierik dhe se në anën bullgare projekti hekurudhor ishte i paqartë.
Burime pranë BE-së nuk pranuan të bëjnë komente rreth mosmarrëveshjeve politike mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, por ata theksuan rëndësinë e madhe strategjike të dy projekteve. “Për ne, Korridori 8 dhe Korridori 10 janë tepër të rëndësishme dhe do të çohen deri në fund”, thanë burimet.
Fondet varen nga zbatimi i reformave
Komisioni Europian miratoi gjatë qershorit të këtij viti Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor për periudhën 2024-2027, përmes të cilit investon në të gjitha vendet kandidate, me qëllim përafrimin me politikën dhe standardet e BE-së. Sipas këtij plani, 6 miliardë euro do të ndahen në: 2 miliardë në formën e granteve dhe 4 miliardë në kredi, ndarje sipas prodhimit të brendshëm bruto dhe popullsisë së secilit vend. Lëvrimi i këtyre fondeve dhe huave mundësohet vetëm pasi qeveritë përmbushin reformat e kërkuara nga Bashkimi Europian. Në rastin kur qeveritë dështojnë zbatimin e reformave, atëherë fondet u kalojnë shteteve që ia kanë dalë mbanë të jenë të suksesshme, duke rritur në këtë mënyrë edhe presionin për përmbushjen sa më të shpejtë të reformave.
Bashkimi Europian është ndër investitorët më të mëdhenj në Ballkanin Perëndimor. Në të njëjtën kohë, rajoni vuan prej vitesh nga niveli i lartë i korrupsionit. Deutsche Welle pyeti një tjetër zyrtar të BE-së në lidhje me rastet e abuzimit dhe korrupsionit me fondet e BE-së në rajon. “Korrupsioni është fenomen që ekziston në të gjitha vendet kandidate, por në momentin e parë që përballemi me to, hyjnë në lojë mekanizmat tona audituese dhe hetuese, si OLAF dhe struktura të tjera. Ne kemi tolerancë zero ndaj korrupsionit” – theksoi burimi, në kushtet e anonimatit.
“Korridori 8” – më shumë lidhshmëri, transport më i shpejtë
“Korridori 8” u konceptua për herë të parë në Konferencën Pan-Europiane të Transportit të mbajtur në Pragë të Çekisë në vitin 1991. Ambicia asokohe ishte vënia në praktikë e kësaj ideje dhe përfundimi i saj brenda një periudhe 15-vjeçare, por projekti mbeti në sirtar për shkak të zhvillimeve gjeopolitike, të nxitura edhe me nisjen e investimeve kineze në rajonin e Ballkanit.
Pas gati 30 vitesh, ky korridor u rifut në agjendën e investimeve europiane në Ballkan. Në territorin shqiptar, “Korridori 8” shtrihet në rreth 154 kilometër, dhe një pjesë e saj, siç është Bypassi i Tiranës do të shërbejë edhe për “Korridorin 10”. Në palën shqiptare, është punuar më tepër në pjesën e segmenteve rrugore, ndërkohë që investimet për linjat hekurudhore që do të jenë pjesë e këtij projekti, kanë ecur shumë më ngadalë.
Në praktikë, ndërtimi i “Korridorit 8” nënkupton lidhshmëri dhe transport më të shpejtë mes vendeve, çka do të thotë zhvillim ekonomik më të mirë, mundësi më të mira lëvizjeje të njerëzve dhe mallrave, duke qenë më pranë filozofisë së tregut të përbashkët europian./DW