Korrupsion dhe trukim tenderash/ CV-ja e pistë e pronarëve italianë të koncesionit të Sterilizimit

Nga Kapitali.al

Në mars të këtij viti prokuroria e Bolonjës u komunikoi zyrtarisht akuzën e trukimit të tenderave 7 personave. Në mes të akuzuarve janë presidenti i kompanisë Servizi Italia, që zotëron 30 për qind të koncesionit të Sterilizimit në Shqipëri dhe kunati i tij Marco Storchi, drejtor i spitalit Sant Orsola në Bolonja. Arsyeja e akuzës? Storchi i dha tender 123 milionë euro kunatit të tij.

Në dhjetor të vitit 2017, ndërmarrja spitalore e Sant Orsolas shpalli një tender gjigand prej 123 milionë eurosh për menaxhimin e shërbimeve të integruara të mbështetjes. Në vitin 2019, fitues i tenderit u shpallën kompanitë Coopservice dhe Servizi Italia. Por kompania e renditur e treta, bolonjezja Rekeep e ankimoi shpalljen e fituesit. Storchi dhe Olivi kishin fshehur faktin se ishin kunetër.

Çështja u shndërrua në një skandal të madh duke e detyruar Këshillin e Shtetit në Itali të përmbyste fituesin, duke ja hequr kontratën Coopservize dhe duke shpallur fituese pikërisht ankimuesin Rekeep. Megjithatë, menjëherë pas kësaj Prokuroria italiane nisi hetimet.

Për dy vite me radhë në bashkëpunim me Guardia di Finanzan, prokurorët kanë zhvilluar hetime intensive, të cilat u përmbyllën 6 muaj me parë me marrjen zyrtarisht të pandehur të Storchit dhe Olivit, të cilët tani presin gjykimin.

Rryshfete
Por tenderi i spitalit të Sant Orsolas nuk është i vetmi pisllëk në CV-në problematike të kompanisë Coopservice. Backgroundi i saj në këtë drejtim është shumë i pasur. Në vitin 2022, prokuroria italiane nisi një tjetër hetim ndaj kompanisë. Këtë herë për një tender 23 milionë euro për mbeturinat spitalore në spitalin kryesor të Cosenzës.

Akuzat janë shumë të rënda: mashtrim i rëndë ndaj shtetit, falsifikim dhe mashtrim në furnizime publike. Sipas hetimeve, Coopservice ka kërkuar dhe ka marrë pagesën për orë pune që nuk janë kryer kurrë: një fitim i paligjshëm i marrë nga paratë publike që llogaritet në rreth 3 milionë euro.

Konkretisht, kooperativa akuzohet se ka dhënë kallëzime të rreme në lidhje me ecurinë e orarit të punës: deklaratat janë përpiluar me të dhëna të pavërteta në lidhje me numrin e orëve të punës në ditë nga stafi i kompanisë kontraktore Coopservice dhe nënkontraktori Multiservice South me shumat përkatëse të parave në vlerë të përgjithshme prej 3,092,416,04€.

Gjatë hetimeve të këtij procesi, në shkurt të vitit 2019, prokurorët italianë përgjuan një telefonatë të Monica Fabris, menaxhere e Coopservice, dhe partnerit të saj.

“Po të them këtu në telefon, nuk më intereson më. Coopservice ka paguar ryshfet prej 420 mijë eurosh. Po të gërrmojnë pak, janë të zhytur me atë aferë, nuk do të dalin prej saj. Jam i sigurt se këtu qëndron problemi. Domethënë nuk janë… nuk kanë hyrë në Cozenza për meritë të garës… këtë dua të them”.

Ryshfeti për të cilin fliste Fabris, sipas hetuesvem ishte shuma që do të kishte paguar Coopservice për të siguruar kontratën e Cosenzës.

Historia përsëritet në Shqipëri
Coopservice është pronarja fundore e 30 për qind të aksioneve të koncesionit të sterilizimit. Kjo shoqëri kontrollon 100 për qind të aksioneve të Servizi Italia, e cila nga ana e saj ka 30 për qind në kompaninë Saniservice, që zotëron koncesionin e sterilizimit në spitalet publike të Shqipërisë. Roberto Olivi është presidenti i të dyja kompanive, si Coopservize ashtu dhe Servizi Italia.

struktura e shoqerive

Tashmë koncesioni i sterilizimit është faktuar qartësisht si një histori korrupsioni, për të cilën janë pas hekurave biznesmeni Ilir Rrapaj dhe ish zëvendesministri i Shëndetësisë Rrjepaj.

Por historia shqiptare e korrupsionit thjesht përsërit një skemë që pronarët italianë të koncesionit e kanë bërë shpesh në të kaluarën. Por pavarësisht dhjetra hetimeve dhe gjykimeve ja kanë dalë gjithmonë t’ia hedhin burgut me parashkrim ose dënime minimale.

Exit mobile version