Korrupsion me tenderat, KLSH padit 6 zyrtarë të Bashkisë Berat

KLSH ka kallëzuar ditët e fundit 18 zyrtarë të pushtetit lokal në Prokurori, duke kërkuar hetimet për dëmet e shkaktuara prej tyre kryesisht në procedurat e prokurimit. Numri më i madh i përket Bashkisë së Beratit. 3 anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave dhe 3 Anëtarë të Njësisë të Hartimit të Dokumenteve të Tenderit të Bashkisë Berat, janë akuzuar për shkelje të barazisë në procedurat e prokurimit, vendosjen e kritereve përjashtuese dhe favorizim të operatorëve ekonomikë.
Është dërguar për hetim ish-Kryetari i Komunës Buçimas, 3 anëtar të Njësisë së Prokurimit dhe 3 anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave në Njësinë Administrative të këtij fshati si dhe 2 mbikëqyrës punimesh, për shkelje të barazisë në procedurat e prokurimit, favorizim të operatorëve ekonomikë privat, për punime të pakryera, si dhe për dhënien në përdorim të aseteve.
KLSH ka kërkuar ndjekje penale edhe për zyrtarë të pushtetit lokal në Librazhd. Janë kallëzuar në Prokurori 3 anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave të Njësisë Administrative Qukës, për shkelje të barazisë në procedurat e prokurimit dhe favorizim të operatorëve ekonomikë privat.

Artikulli paraprakHetimet: Vrasja në Fier për trafikun e drogës
Artikulli tjetërReagim i PD për TEC-in e Maliqit: Një minë mjedisore për Korçën