Korrupsion me tenderat, shpërthen Banka Botërore

Banka Botërore ka lëshuar kritika të forta mbi qeverinë shqiptare për abuzime me prokurimet publike. Në një raport të posaçëm, mbi menaxhimin e shpenzimeve publike, Banka vëren se një pjesë e madhe e tenderave në Shqipëri bëhen pa garë, çka lë hapësira për korrupsion.
“Pesha e prokurimeve publike me negocim, pa shpallje paraprake të kontratës mbetet shumë e lartë”, thuhet në analizën e BB.
Në raport, Banka e vlerëson negativisht qeverinë për tenderat publikë dhe kërkon ndryshimin e situatës, për të ndalur abuzimet me paratë e taksapaguesve.
Sipas të dhënave zyrtare nga Agjencia e Prokurimeve Publike, në vitin 2016, mbi 30 për qind e tenderave publikë në Shqipëri ishin pa garë, përmes procedurës me negocim pa shpallje paraprake të kontratës.
Sipas APP nga rreth 7300 tendera që u zhvilluan gjithsej në vitin 2016 në Shqipëri, mbi 2186 ishin tendera të mbyllur pa garë, ku vlera fituese ishte thuajse e barabartë me fondin limit.
“Pavarësisht uljes në krahasim me vitin 2015, kjo shifër vazhdon të mbetet e lartë dhe për këtë arsye, duhet të marrim parasysh të gjitha shkaqet apo situatat që çojnë në rritjen e numrit të këtyre lloj procedurave”, thuhet në raportin vjetor të APP.
Në vlerë monetare rezulton se vetëm për vitin 2016, institucionet publike realizuan 81 milionë dollarë tendera të mbyllur gjatë, në të cilët vlera fituese rezultoi 80 milionë dollarë ose 98.8 për qind e fondit limit.
Për shkak të mungesës së garës vlera e shpenzuar ka qenë thuajse e barabartë me fondin limit, duke penalizuar taksapaguesit. Sipas APP, institucionet publike i krijojnë artificialisht kushtet për të bërë tendera të mbyllur edhe pse këto tendera mund të shmangen.

Exit mobile version