Korrupsioni, arrestohet ish-drejtoresha e Hipotekës Sarandë

Ish-drejtoresha e Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, në Sarandë Adriana Shehu, përfaqësuese e Partisë Socialiste, është arrestuar me akuzën për shpërdorim detyre. Ndalimi i saj është bërë me urdhër ndalimi nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Sarandë për veprën penale “Shpërdorim detyre” dhe “Pjesëmarrje në fushatën zgjedhore”.
Mësohet se Shehu ishte pezulluar nga detyra rreth 20 ditë me urdhër të Ministrisë së Drejtësisë pas dyshimeve për shpërdorim detyre e përfshirje në fushatë elektorale. Ajo ka qenë duke pushuar dje në plazh në Borsh me vajzën e saj, kur policia ka shkuar për ta arrestuar. Pas ndalimit ish-drejtoresha është transportuar në Urgjencën e Spitalit Sarandë, sipas mjekëve për gjendjen e rënduar emocionale të saj. Ndërkohë sot ka dalë para Gjykatës për të marrë masën e sigurisë.
Shehu ka qenë e pezulluar nga detyra rreth një muaj më parë nga ministri i Drejtësisë e dyshuar për pjesëmarrje në fushatë. Ish-drejtoresha e Hipotekës, gjatë fushatës elektorale u denoncua për korrupsion edhe nga ish-Kryeministri Berisha, i cili në një status të tij e cilësonte si “Ndrikulla e korrupsionit në Sarandë”.
Pas urdhrit për shkarkimin e saj, Adriana Shehu, pati një reagim sqarues për pjesëmarrjen e saj në fushatë. “Përshëndetje miq dhe dashamirës! Para pak çastesh jam vënë në dijeni nga media për shkarkimin tim si Regjistruese e ZVRPP Sarandë. Eshtë e habitshme sesi një tendencë politike hedh poshtë punën time disavjeçare në drejtimin e një institucioni dikur gangren e sot kaq dashamirës dhe në shërbim të qytetarëve.
Dalja ime publike në krah të kandidatit për deputet përkon me ditë pushimi konkretisht data 20 maj ora 10:30 ditë e shtunë “Dita Kombëtare e Jetimëve” dhe datë 14 maj ora 11:00 ditë e dielë. Në asnjë nga këto aktivitete nuk kam dalë kundër përcaktimeve të Urdhërit të Kryeministrit nr. 65 datë 12.05.2017. Duke ju falenderuar për suportin e vazhdueshëm me mirënjohje Adriana Shehu!”, thuhej në deklaratën e saj.

Artikulli paraprakSkandali seksual, lirohet nga burgu Shukri Xhelili
Artikulli tjetërNeukirch: Fondet për bashkitë s’duhet të kenë orientim politik