Emisioni “Në Shënjestër” në News24 të gazetares Klodiana Lala, ka hedhur më shumë dritë mbi arrestimin e ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, lidhur me abuzimet me fondet e BE-së, gjatë kohës që drejtonte agjensinë shtetërore SASPAC.
Nga dokumentet dhe dosja hetimore e trajtuar nga emisioni hidhet dritë mbi skemën korruptive, e cila duket se është më e gjerë dhe më e organizuar.
Nga hetimet rezulton se Shoqëria ‘Landëays International’ është aksionere me 27 për qind tek ‘Mediterenian Investment Group’, kompani e cila po ndërton hotelin luksoz në Durrës, ku një prej aksionerëve kryesorë është Redi Molla, ish-drejtor në Bashkinë e Tiranës, i arrestuar për aferën ‘5 D’.
Kompania ‘Mediterenian Investment Group’ ka marrë status special me propozim të Ministrisë së Turizmit.
Vetë ministria e Turizmit ka lidhur kontratë me ‘Landëays International’ për aktivitetin ‘Festa’ me vlerë 380 mijë euro.
Por le të ndalemi konkretisht se për çfarë ofertash bëhet fjalë dhe cili është dëmi i shkaktuar?
Dhe se si për të njëjtin event bëheshin dy tenderime dhe faturat lëshoheshin nga një prej restoranteve brenda Kalasë së Tiranës, që dyshohet se është në pronësi të Ilir Beqaj.
Dosja Hetimore
Në lidhje me këto kontrata shërbimi është konstatuar: Shërbimi i prokuruar ‘Për Organizmin e Konferencës nga datat 3-5 Prill 2023 ‘E Ardhmja e Turizmit të Qëndrueshëm Mjedisor në Shqipëri FESTA Asistenca Teknike IPA CBC, Projekti Adrion’) me vlerë 125 000 00 euro, është i njëjtë me atë të prokuruar nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit (në vlerën sipas çmimit të kontratës 38 509 550 lekë) për të njëjtin event atë të quajtur “Festa”, duke u kontraktuar në të dyja rastet e njëjta shoqëri tregtare e quajtur ‘Landways International’ sh.p.k me ortak dhe administrator personi nën hetim Gazmend Haxhia dhe Drejtor Ekzekutiv personin nën hetim Alfred Nikolla.
Shoqëria tregtare ‘Albanian Food and Hospitality Lab’ sh.p.k, njohur si restorant ‘Gzona’ ka lëshuar 4 fatura ndaj shoqërisë ‘Landëays International’.
Por duket se skema korruptive është më e gjerë dhe më e organizuar se kaq.
Pasi nga hetimet rezulton se Shoqëria ‘Landëays International’ është aksionere me 27 për qind tek ‘Mediterenian Investment Group’.
Kompani e cila po ndërton hotelin luksoz në Durrës, ku një prej aksionerëve kryesorë është Redi Molla, ish-drejtor në Bashkinë e Tiranës, i arrestuar për aferën ‘5 D’.
Kompania ‘Mediterenian Investment Group’ që ka marrë status special me propozim të Ministrisë së Turizmit.
Vetë ministria e Turizmit ka lidhur kontratë me ‘Landëays International’ për aktivitetin ‘Festa’ me vlerë 380 mijë euro.
Ku SPAK dyshon se aktiviteti nuk është kryer as nga SASPAK. as nga ky institucion, por janë gjetur vetëm 41 mijë euro fatura te lokali ‘Gzona’.
Dosja Hetimore
Deri më tani i vetmi shërbim i ofruar në kuadër të këtij eventi nga kjo shoqëri tregtare është organizimi i darkës, nga shoqëria tregtare ‘Albanian Food and Hospitality Lab’ sh.p.k, njohur me emërtimin tregtar si restorant ‘Gzona’ në një vlerë prej 4 189 000 lekë.
Personat nën hetim i kanë kryer vetë shërbimet (me shpenzime shumë herë më të ulta) duke i prokuruar më pas tek persona të tjerë juridikë ‘NINE SERVICES INT’ sh.p.k me ortak dhe administrator Elton Marinin dhe Bjona Zijaj për qëllime të përfitimit material.
Këto para në mënyrë po fiktive janë përdorur edhe për konsulenca. Ku një nga personat e përfshirë del se është edhe Bledar Leka.
Në llogarinë e të cilit kanë kaluar mijëra euro nga llogaria e SASPAC.
Ku përfituesi fundor del sërish se është Ilir Beqaj, dhe njeriu i tij, Ermal Kurtula.
Dosja Hetimore
Në llogarinë e subjektit Bledar Leka, më 8 Shtator 2023 është kredituar shuma prej 21 milionë lekësh nga SASPAK me përshkrimin ‘SASPAK-shërbim koordinim dhe konsulencë për konferencë’.
Shoqëritë tregtare të kontraktuara për organizim të eventeve kanë dhënë përfitim të parregullt në formën e blerjeve të shërbimeve tek restoranti ‘Gzona’, apo të kryera në formën e pagesave nëpërmjet personave fizik të tjerë, me qëllim përvetësimin fundor nga personat nën hetim Ilir Beqaj e Ermal Kurtula.
Në rastet kur projektet e monitoruara nga SASPAC-u kanë prokuruar shërbime nën vlerën 2 500 euro, ku sipas rregullave ‘PRAG’ realizohen vetëm me pranim fature, duke rezultuar vetë, si blerës direkt të shërbimeve me objekt shërbim kateringu ata kanë kryer veprime për fshehjen e përfituesit direkt.
Ata e kanë faturuar këtë shërbim tek persona fizik të tjerë me të njëjtin objekt veprimtarie, në një kohë që shërbimi është ofruar nga restorant ‘Gzona’.
Këto veprime janë kryer me qëllim fshehjen e lidhjes së personave nën hetim Ilir Beqaj dhe Ermal Kurtula me restorantin ‘Gzona’.
Por ajo që mund ta fundosë edhe më tej ish-ministrin Beqaj, në këtë aferë, por edhe të tjerët është hetimi pasuror.
Ku SPAK ka zbuluar deri më tani se Beqaj ka fshehur interesat e tij te restoranti ‘Gzona’.
Aty ku rrotullohen një pjesë e mirë e faturave fiktive, të krijuara si shërbime të paqena, me fondet e BE-së të grabitura nga SASPAC.
Nga ku del se bashkëshortja e Beqaj fillimisht ka pasur aksione në restorantin ‘Gzona’, të cilat më pas mendohet se janë fshehur në emra të tij. Por që dyshimi është se ‘Gzona’ në fakt i përket familjes Beqaj.
Dosja Hetimore
Ilir Beqaj dyshohet se ka kryer deklarim të rremë mbi pasurinë e tij nga viti 2020 e në vazhdim, pasi ka fshehur interesat pasurore të tij mbi restorantin ‘Gzona’ me adresë pranë Kalasë Tiranë, që nga krijimi e deri në vazhdim. Pavarësisht se bashkëshortja e tij ka figuruar de jure ortake në masën 15 përqind në këtë shoqëri deri në vitin 2020 duke i dhuruar më pas kuotat e saj ortakut tjetër, ortak ka qenë në fakt vetë personi nën hetim Ilir Beqaj, i cili ka vijuar si i tillë edhe përgjatë kohës që drejtonte SASPAC-un.
Këto dyshime të SPAK lidhen edhe me gjetjet që kanë bërë gjatë hetimeve.
Ku del se Beqaj ka investuar në restorantin ‘Gzona’, duke blerë pajisje.
Dosja Hetimore
Personi nën hetim Ilir Beqaj dyshohet të ketë investuar në vitin 2019 në shoqëri të paktën shumën prej 21 411 euro dhe 4 666 110 lekë, në formën e blerjeve të pajisjeve (aseteve) dhe në shumën 34 783 euro në formën e shpenzimeve si qira e të tjera, duke mos i deklaruar ato si hua ndaj shoqërisë. Interesat pasurore të tij mbi këtë restorant i ka ushtruar nëpërmjet personit nën hetim Ermal Kurtula, i cili ka administruar ato, duke qenë i punësuar në këtë restorant që nga krijimi i tij, por pa qenë i deklaruar si i punësuar pranë organeve tatimore.
Në fakt Ermal Kurtula që shërbente edhe si shofer i Beqaj edhe gjatë ardhjeve të tij në SPAK, duket se ka qenë pikënisja nga ku Prkuroria e Posaçme nisi hetimin e ri ndaj ish-Ministrit të Shëndetësisë.
I cili në një nga pranitë e tij në SPAK, erdhi me një makinë të drejuar nga Kurtula, e cila më pas u gjobit për parkim të gabuar.
Makinë e cila më pas rezultoi se në fakt ishte e Beqaj dhe jo e Ermal Kurtulas.
Dhe se ish-ministri nuk e kishte deklaruar.
Ashtu si edhe ndjekja që iu bë Kurtulas, nga ku doli se ai ishte njeriu i besuar i Beqaj në çdo aferë të tij.
Dosja Hetimore
Personi nën hetim Ilir Beqaj ka fshehur edhe pasurinë e luajtshme automjet me targë AB 020 DE blerë në vitin 6 Shtator 2019, në emër të personit nën hetim Ermal Kurtula.
Me këtë automjet Beqaj vinte në SPAK kur po hetohej për koncesionin e sterilizimit dhe është gjobitur disa herë nga policia për parkim të gabuar.
Tashmë Beqaj dhe të tijët duhet të përballen me akuza, deri te mashtrimi me pasoja të rënda.
Ndërkohë që gjatë kontrollit në banesa, BKH ka gjetur edhe sasi të konsiderueshme parash si edhe blloqe shënimi, të cilët priten të provojnë gjithmonë e më shumë përmasat e kësaj afere korruptive.
Dosja Hetimore
Gjykata e Posaçme me nr. 65, datë 3 Korrik 2024 ka caktuar masë sigurimi arrest me burg për shtetasit Ilir Beqaj, Ermal Kurtula dhe Alfred Nikolla.
Nga të cilat dy masa janë ‘arrest shtëpie’ dhe dy të tjerë ‘detyrim për paraqitje’. Ku ata po hetohen për akuzat: ‘Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë’, kryer në bashkëpunim, ‘Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë publikë’, ‘Fshehja e pasurisë’, ‘Mashtrimi’ me pasoja të rënda kryer në bashkëpunim dhe ‘Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike’.
Gjatë hetimeve janë ushtruar kontrolle në disa banesa dhe në njërën nga zyrat e shoqërisë tregtare ku janë sekuestruar dokumente dhe blloqe me shënime, shuma parash prej afro 47 000 euro dhe 700 000 lekë, aparate telefoni me interes për hetimin etj.
Por ajo që pritet më interes në këtë hetim është se deri këtu mund të jemi në majën e ajsbergut. Pasi sipas SPAK, hetimi vazhdon edhe në lidhje me grumbullimin dhe sigurimin e provave për persona të tjerë të përfshirë në këto veprime, si dhe për fakte të tjera penale të lidhura me kontrollet e ushtruara më datë 28 dhjetor 2023.
Një hetim që nëse do të shtyhet më tej edhe në ministri të tjera mund të rezultojë me surpriza të pakëndshme për disa nga drejtuesit e këtyre ministrive.