Gjykata e Krimeve të Rënda ka vendosur që të dënojë me 2 vite burg gjyqtarin e Gjykatës së Tiranës, Ibrahim Hoxha. Dënimi për Hoxhën u dha pas akuzave për korrupsion pasiv nga Prokuroria. Gjyqtari akuzohet se kishte marrë 600 mijë lekë të reja për të ndryshuar një vendim gjyqësor.
Hoxha kishte rënë në kontakt me një palë në konflikt gjyqësor për një pronë dhe u kishte premtuar të mbante anën e tyre. Gjyqi do të zhvillohej më 3 maj të këtij viti. Hoxhës gjithashtu i është hequr për 5 vite e drejta për funksione publike.
Ibrahim Hoxha u arrestua mbrëmjen e 2 majit nën akuzën korrupsion aktiv e pasiv. Djali i tij, Ledion Hoxha, po merrte ryshfet rreth 6 milionë lekë për një vendim për një ndryshim trashëgimie në momentin kur është ndaluar.
Ndërkohë, gjyqtari Ibrahim Hoxha, i cili do të ndikonte në vendimin për çështjen e pronësisë, mësohet se e priste jashtë ambienteve të lokalit. Në dosjen e akuzës thuhet se gjyqtari po bënte gati vendimin për prishjen e vendimit të trashëgimisë në favor të Dritan Jazenxhiut, i cili ishte në gjyq me të motrën për prona të trashëguara nga e ëma.