Nga Alexandros P. Mallias
Arroganca është një tipar i demagogëve dhe autokratëve. Por kaosi, arsyetimet e gabuara dhe rënia e demokracisë nuk duhet të zëvendësojnë etikën, logjikën dhe harmonisë politike. Tragjedia dhe katastrofa mbizotërojnë sot në qytetet ukrainase, Mariupol, Kiev, Kherson, Kharkiv etj. Sjelljet kriminale të Rusisë janë rezultat i politikave monokratike dhe autokratike. Ato synojnë zgjerimin e sferave të ndikimit, dhe i bëjnë jehonë gjeopolitikës duke synuar ndarjen e Evropës në dy pjesë, sërish midis Perëndimit dhe Lindjes. Paqja mund të jetë e domosdoshme, pavarësisht të metave që mund të ketë. Por “paqja e vërtetë nuk është thjesht mungesa e tensionit; por prania e drejtësisë”.
Ky është përkufizimi im i preferuar nga dr.Martin Luther King, Jr. Pra paqja nuk është prolog dhe as epilogu i një konflikti të armatosur, dhe nuk duhet të barazohet thjesht me armëpushimin. Nuk mund të ketë paqe të mirëfilltë, në një kohë që fqinji pushton ilegalisht territorin e vendit tuaj apo ju kërcënon çdo ditë me shpalljen e luftës (casus belli).
Paqja bazohet mbi të drejtën dhe drejtësinë ndërkombëtare. Prandaj, ajo nuk mund të kufizohet në një marrëveshje armëpushimi midis agresorit dhe viktimës. Ukraina nuk duhet të detyrohet nga Kremlini apo të këshillohet nesër nga miqtë e saj euroatlantikë, të cilët sot po e ndihmojnë të ruajë integritetin e saj territorial, që të lëshojë territorin apo sovranitetin.
Një marrëveshje e tipit “pushto territorin tim, që pastaj të jetojmë në paqe”, shpërblen ekskluzivisht agresorin. Unë jam pro pragmatizmit, por kundër imponimeve jo parimore. Sepse nëse mbizotëron disfatizmi, lodhja dhe imponimi, vetëm një pjesë e vogël e shteteve do të ndihen dhe do të jenë realisht të sigurta.
Gjashtë këshillat e mia për vendet e Ballkanit Perëndimor:
1. Pavarësisht bisedave plot mirësjellje, rajoni ynë nuk do të duket shumë ndryshe nesër, nëse nuk zhvillohet që sot një ndjenjë e vërtetë e përgjegjësisë politike. Politika duhet të jetë shërbëtore dhe jo e shërbyer nga populli. Ndryshimi i qasjes, do të kërkojë çrrënjosjen e politikës jo të besueshme dhe të korruptuar.
Egoizmi politik, nepotizmi dhe korrupsioni ndikojnë negativisht tek aspiratat dhe pritjet legjitime të qytetarëve të rajonit. Në disa raste, duket se udhëheqësit po dështojnë të mbajnë premtimet para popujve të tyre, duke rrezikuar kështu procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
2. Një eksod i paprecedentë i popullsisë – kryesisht i brezit të ri, të arsimuar, të aftë dhe të talentuar – nga vendet e Ballkanit Perëndimor, flet për një mungesë alarmante të besimit dhe shpresës. Si për ironi, ata liderë politikë që u bëjnë thirrje atyre të rikthehen në vendlindje, janë përgjegjësit kryesorë për këtë eksod, që në përgjithësi është trajtuar me fatalizëm dhe apati.
3. Sundimi i ligjit dhe një gjyqësor i pavarur janë shumë të domosdoshëm, pasi në pjesën më të madhe të Ballkanit Perëndimor, gjykatat janë subjekt i ndikimit politik dhe partiak.
4. Arkitektura e sotme rajonale, bazohet tek një sërë marrëveshjesh dhe traktatesh, përfshirë marrëveshjet e Dejtonit dhe Parisit, marrëveshjet e Ohrit dhe Prespës dhe marrëveshjet midis Beogradit dhe Prishtinës. Për këtë arsye, shkelja sistematike e tyre çon në kriza dhe një destabilitet të mundshëm.
5. I nisur që nga Samiti i Selanikut i qershorit 2003, procesi i anëtarësimit në BE ofron politikën e duhur të “shkopit dhe karotës”. Aristoteli e thotë shumë saktë në librin e tij “Etika”:“Caktoni ndëshkime ndaj keqbërësve, dhe nderojini ata që bëjnë vepra të mira!”.
6. Idetë e reja dhe diskutimet mbi ndryshime të reja në kufijtë në Evropën Juglindore, përfshirë shkëmbimin e territoreve dhe popullsisë, do të hapnin Kutinë e Pandorës në Evropë. Ajo do të shndërrohej në një pandemi. Gjithnjë nis nga një fillim i njohur, por vazhdon drejt një fundi të paparashikueshëm. Jam i vetëdijshëm për argumentet që thonë se historia e dekadave të fundit apo e kaluara dhe marrëveshjet përkatëse ishin të padrejta. Kjo është pikërisht “arsyeja” e dogmës revizioniste dhe ekspansionizmit të Putinit në Evropë.
Marrëveshjet kufitare, shkëmbimet e territoreve dhe të popullsisë, nuk mund të njihen nëse: a) nuk propozohen dhe miratohen nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara; b) nuk marrin formën e një traktati shumëpalësh dhe miratohen me anë të një rezolute përkatëse të KS të OKB-së me pëlqimin zyrtar të palëve të përfshira drejtpërdrejt dhe atyre të interesuara.
Ndërkohë është dobësuar lidhja me parimet dhe qëllimet e mishëruara në Kartën e Kombeve të Bashkuara, Aktin Përfundimtar të Helsinkit dhe Kartën e Parisit të nëntorit 1990 për një Evropë të Re, miratuar pas rënies së Murit të Berlinit. Rivendosja e sistemit ndërkombëtar të sigurisë kolektive e ka një rrugë: Kombet e Bashkuara.
Për sa kohë që anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit, ngurrojnë ose nuk janë në gjendje të veprojnë sipas mandatit të Kartës së OKB, do të jetë e pamundur të parandalohen kërcënimet kundër paqes, drejtësisë dhe stabilitetit. Etika aristoteliane, është kundërhelmi më i mirë ndaj arrogancës./Përshtatur nga “Kathimerini”
*Shënim:Alexandros P.Mallias, ish-ambasador i Greqisë në Uashington, Shkup dhe Tiranë.