Korrupsioni i radhës, 11 milionë euro me Polin e Drejtësisë

Nga Klodian Tomorri

Në vitin 2013, qeveria i dha Dhomës Kombëtare të Avokatisë 25 mijë metra tokë shtetërore falas pranë fushës së Aviacionit. Sipas vendimit, toka u dha me qëllim ndërtimin e Korpusit të Avokatisë dhe nuk lejohej ndryshimi i destinacionit.

Dhoma e Avokatëve e ndertoi Pallatin. Se me çfarë çmimin dhe se me çfarë parash e financoi, kjo nuk dihet, pasi Dhoma Kombëtare e Avokatisë është një OJF dhe jo Institucion Publik. Nën zë flitet se e gjithë ndërtesa ka kushtuar 2 milionë euro, por ky është informacion i pakonfirmuar sepse nuk është publik.

Tani Pallatin e ndërtuar mbi tokën e falur shtetërore, qeveria po e ble si zyra për institucionet e reja të drejtësisë. Çmimi i blerjes edhe ky ende jo publik, flitet se është caktuar 11 milionë euro.

Pra 11 milionë euro do të paguajnë qytetarët shqiptarë për Dhomën e Avokatisë, për një pallat të ndërtuar në tokë të falur shtetërore.
1-Kujt po i shkojnë paratë?
2-Si do të përdoren ato?
3-Pse u shkel vendimi i qeverisë, që ndalonte shprehimisht ndryshimin e destinacionit për pronën e falur?
4-Me çfarë baze ligjore është blerë prona?

Sepse ligji nuk e lejon qeverinë të blejë prona private sipas qejfit, por e ka kushtezuar vetëm me shpronësimet. Edhe këto me çmime të përcaktuara dhe vetëm kur përdoren për vepra publike që kanë rëndësi të veçantë. Nuk e lejon njeri qeverinë të blejë prona private si të dojë sepse po të ishte ashtu buxheti i shtetit do masakrohej nga pazaret.

Ky transaksion ka pikepyetje të mëdha dhe shumë anë të errëta. Është biznes i rëndë, që do të plasë shumë shpejt në publik. Boll më me institucione hibride, që ngrihet për të devijuar paratë e taksapaguesve në llogari të paqarta dhe me mekanizma të dyshimta.

Exit mobile version