Korrupsioni, ish-kryebashkiaku i Ramës dënohet me 1 vit burg

Ish-kryetari socialist i Bashkisë së Përmetit, Gilberto Jaçe është dënuar me një vit burg për shpërdorim detyre. Ai është dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë të Përmetit, për një objekt 70 metra katrorë që i ishte dhënë me qira një personi nën administrim për 6 muaj. Sipas akuzës, shitja e trojeve brenda vijës kufizuese të qytetit të Përmetit është bërë në kundërshtim të hapur me ligjin. Jaçe në kundërshtim flagrant me ligjin ka nënshkruar shitjen e subjekteve private të pronës shtetërore (truall) ndonëse nga verifikimet e bëra gjatë procesit të auditimit rezultoi se, pala shitëse Bashkia Përmet nuk ka qenë pronare e trojeve, që ajo ka shitur me anë të kontratës noteriale. Jaçe nuk i pranoi akuzat, por në përfundim të procesit trupi gjykues e shpalli fajtor Jaçen me akuzën “shpërdorim detyre”.
Gilberto Jaçe ka qenë kryetar i Bashkisë Përmet në periudhën 2011-2015 nën siglën e PS. Në zgjedhjet e qershorit të vitit që shkoi, ai rikandidoi për të njëjtin post, por nuk arriti dot të fitonte përballë kandidatit të PD, Niko Shupuli.
Gjatë kohës që Bashkia e Përmetit drejtohej nga Jaçe janë konstatuar një sërë shkeljesh edhe me tenderat. Gjithashtu organi i akuzës po ndjek penalisht edhe dy të Bashkisë së Përmetit pasi kanë shpërdoruar detyrën. Bëhet fjalë për ish-zyrtarët socialistë të kësaj njësie vendore, e cila është marrë nën administrim nga i zgjedhuri i PD, vitin e kaluar me fitoren e zgjedhjeve lokale. Vasil Pano dhe Denisa Duro, të cilët janë funksionarë të lartë vendorë të PS në Përmet, ku Kontrolli i Lartë i Shtetit i ka kallëzuar në Prokurori si ish-anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave në Bashkinë e Përmetit.
Akuza e tyre ka të bëjë me shkeljet e faktuara të barazisë në procedurat e prokurimit dhe favorizimit të operatorëve, duke i shkaktuar shtetit dëm një vlerë prej 11 milionë lekësh të reja. Përfaqësues të KLSH kanë ushtruar kontroll në këtë njësi vendore në fund të vitit të kaluar dhe një javë më parë, përpiluan raportin përfundimtar nga ky auditim i kryer.
Ajo çka vlerësohet interesante është se, dëmi i shkaktuar prej dy personave të lartpërmendur prej 11 milionë lekësh, do të kompensohet nga vetë Bashkia e Përmetit dhe administrata aktuale, e cila nuk ka pasur aspak lidhje me dëmin e shkaktuar nga bashkia e mëparshme, ku drejtohej nga Gilberto Jaçe i PS. Gjithçka ka të bëjë me shkeljen e procedurave të tenderit me vlerësimin e ofertave në rikonstruksionin e trotuareve në bllokun e qendrës në Përmet.
Nga krahasimi i ofertës ekonomike të dy prej operatorëve ekonomikë pjesëmarrës në tender, rezultoi se këta patën paraqitur kontratë furnizimi guri me të njëjtën shoqëri furnizuese, dokumentacionin tekniko-ligjor i të cilës është i njëjtë për të dyja kontratat e lidhura.
Për rrjedhojë, Komisioni i Vlerësimit të Ofertave aplikoi një standard të dyfishtë, duke e vlerësuar këtë kriter si të vlefshëm dhe në pajtueshmëri me kërkesat për operatorin konkurrues me ofertë ekonomike më të lartë dhe në papajtueshmëri për operatorin konkurrues me ofertë ekonomike më të ulët. Vlerësimi që është bërë nga dy ish-zyrtarët e Bashkisë së Përmetit, qëndron në kundërshtim me ligjin për Prokurimin Publik, pasi ka skualifikuar ofertues, të cilët plotësonin kriteret për kualifikim, duke përdorur dy standarde gjatë vlerësimit të ofertave.
KLSH, duke i konsideruar veprimet e kryera nga Pano dhe Duro në cilësinë e anëtarëve të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave në procedurën e prokurimit të rikonstruksionit të trotuareve në bllokun e qendrës së Përmetit, si veprime me pasoja të rënda për interesat e ligjshme të shtetit dhe të dënueshme sipas ligjit. Duro dhe Pano janë kallëzuar pak ditë më parë në Prokurorinë lokale për shkelje të barazisë në vlerësimin e ofertave gjatë tenderit, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit dëm ekonomik në vlerën 110 milionë lekë.

R.POLISI

Exit mobile version