Korrupsioni, ish-prokurori i Fierit i shpëton burgut

Gjykata e Krimeve të Rënda dënoi me 3 vite shërbim prove ish-prokurorin e Fierit, Petrit Vukaj, i cili akuzohet për korrupsion pasiv. Vukaj, i cili ndodhet në arrest shtëpie, u dënua me 3 vite burg, por për shkak të gjendjes së tij shëndetësore, dënimi u konvertua në 3 vite shërbim prove.
Gjithashtu ish-prokurorit të Fierit i është hequr e drejta e ushtrimit të profesionit për 5 vite. Nga hetimi rezultoi se, Vukaj ka marrë përsipër zbutjen e dënimit për një të pandehur si shkaktar i një aksidenti me vdekje.
Bëhet fjalë për rastin e Elton Xhemalit, i cili më 31 mars të 2015 u arrestua, pasi duke drejtuar mjetin e tij në rrugën Levan-Tepelenë, shkaktoi një aksident që i mori jetën Shefit të Rendit në Policinë e Delvinës, Përparim Bizhgës, i cili ishte pasagjer i tij.
Sipas Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Elton Xhemali, nëpërmjet vëllait të tij, Arjan Xhemali dhe oficerit të Policisë së Shtetit, Gazmir Nelollari, ka tentuar të shmangë dënimin me burg dhe për këtë arsye, vëllai i tij dhe oficeri i policisë kanë kontaktuar prokurorin Vukaj, i cili ka marrë përsipër zbutjen e dënimit në këmbim të parave.
Shuma që Prokuroria thotë se ka marrë prokurori Vukaj, është 300 mijë lekë të reja. Pas kësaj ndërhyrje korruptive, prokurori Vukaj, në seancën e datës 7 tetor të 2015 në Gjykatën e Fierit, kërkon “dënimin me 2 vjet burgim për të pandehurin Elton Xhemali dhe pezullimin e dënimit e kalimin e tij në shërbim prove”.

Artikulli paraprakKush janë tre shqiptarët e arratisur nga burgu i Romës
Artikulli tjetërGjykata dënoi dy autorët e vrasjes së dyfishtë në Tiranë